Aktualitet22 Nëntor 2022, 09:13

Kush fshihet pas koncensionit të Portit të Durrësit dhe pse po nxiton Edi Rama?  

Shkruar nga Pamfleti
Kush fshihet pas koncensionit të Portit të Durrësit dhe pse po

Ç’do të ndodhë me Portin Tregtar të Durrësit, një nga pikat nevralgjike të ekonomisë shqiptare, përfaqësuese strategjike e Shqipërisë?

Ndërkohë që Edi Rama dhe të tijtë po mbush dosjen e koncensionit të Portit të Durrësit për t’ia treguar Parlamentit, gjoja si një projekt të ligjshëm dhe me vlerë, petët e lakrorit janë hapur dhe ajo çfarë parashikohet të ndodhë është e frikshme. Për herë të parë afera e Kryeministrit shqiptar, që ka nxjerrë në shitje gjithë Shqipërinë, degradoi shpejt. Ndoshta sepse kjo nuk është hera e parë, ose ndoshta sepse tani dihet botërisht se si po sillet Edi Rama me pronat dhe pasuritë publike të shqiptarëve, dosja e Portit të Durrësit nuk ka më asnjë pikë të fshehtë. Duhet vetëm që drejtësia të funksionojë.

Këmbana e parë ka rënë plot një vit më parë në të famshmen “darkë te Nusreti” në Dubai.

Me 9 janar 2021 një pjesë e delegacionit shqiptar që zyrtarisht kishte shkuar ne Dubai  për të diskutuar kushtet e kontratës së Portit të Durrësit, i shoqëruar asokohe edhe nga përfaqësues të mediave të oborrit, u shkëput nga grupi dhe dikush dekonspiroi “pa dashje” se ata nuk ishin duke ngrënë në darkën zyrtare që përfaqësuesit e grupit “Emaar” kishin shtruar për të gjithë delegacionin shqiptar, por tek Nusreti i famshëm.

Në darkën “sekrete” përveç ministrave të Ramës, Arben Ahmetaj dhe Belinda Balluku, ishte edhe një oligark i Edi Ramës, edhe zëdhënësi i tij, Endri Fuga, edhe nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbër Mazniku, i cili nuk ka asnjë lidhje me portin e Durrësit. Atëherë pse ishte ai aty dhe çfarë ndodhi me kushtet e kontratës, gjoja 2 miliardë dollarëshe?

Data shënonte 9 janar 2021 dhe Edi Rama ato ditë endej lart e poshtë një Shqipërie të përmbytur nga reshjet.

Si mjeshtër i propagandës, Rama dhe të vetët ia hodhën lumit paq, duke u marrë me darkën super të kushtueshme dhe lojën “Kush pagoi e kush hëngri”, dhe askujt nuk i shkoi mendja për keq. Atëkohë pakkush mendonte se Porti i Durrësit ishte shitur në mënyrën më të keqe të mundshme.

Këmbana e dytë ra ende pa u mbushur viti dhe Edi Rama miratoi në Parlament (siç ka bërë më çdo kontratë tjetër), koncensionin e Portit të Durrësit pa i vënë në dispozicion deputetëve dhe publikut asnjë copë dokumenti. 820 mijë metër katror bregdeti në Durrës i jepen kompanisë arabe “Emaar” për ta shndërruar Portin e Durrësit në një port turistik dhe, siç tha Rama, për të investuar në të 2 miliard dollarë.

Por vini re, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, gënjeu sy më sy e publikisht edhe kësaj here.

Qeveria e Edi Ramës ka nënshkruar me Emiratet e Bashkuara Arabe një marrëveshje, sipas së cilës kompanitë strategjike përjashtohen nga detyrimi për konkurrencë kur duan të investojnë në Shqipëri. Në bazë të kësaj marrëveshje Edi Rama bëri një fushatë të gjerë propagandistike mbi të mirat që do të vinin nga ky investim duke thënë se grupi i madh Emaar, i cili ka në gjirin e tij aksioner shtetin, që ka ndërtuar qendrën e Dubait dhe ka investime të mëdha kudo në botë, do të vijë në Shqipëri të na qëndisë Portin e Durrësit. Siç bën në të tilla raste Rama nisi në Dubai edhe gazetarët e oborrit, të cilët shkuan dhe hartuan lavde në kthim…

Edi Rama fliste për një “kompani flamur” të monarkisë arabe ndërsa vetë ministrja Balluku, në një intervistë në maj 2021 thoshte: “Zhvillimi i portit të ri, ka lidhje me portin turistik që do të ndërtohet në Durrës nga Emaar Group. Kjo kompani ka marrë përsipër ndërtimin e ish-portit të vjetër të Durrësit dhe kthimin në një pikë turistike për të gjithë mesdheun. Të gjitha këto projekte janë të ndërlidhura me njëra tjetrën”.

Më këtë propagandë e hëngri llokumen edhe Parlamenti, por pa parë dokumente me sy. Ama kur u vu nën presion dhe tani që u hapën letrat rezulton se kompania “Emaar” nuk figuron gjëkundi si investitor në portin e Durrësit. Më shumë mundësi ajo vizita e famshme e janarit të 2021 ka qenë për t’i mbushur mendjen Muhamed Alabaar-it, i cili ka qenë drejtor i përgjithshëm dhe themelues i Emaar, që të fuste emrin e vet si investitor. Alabaar e ka futur vërtet emrin në koncensionin e Portit të Durrësit, por pa miliardat dhe reputacionin e një kompanie të nivelit botëror dhe me kapitale shtetërore, siç e shiti Edi Rama. Ai është thjesht një person privat si çdo i huaj që kërkon të investojë në këtë vend.

Këmbana e tretë. Petët e lakrorit janë hapur dhe kjo që po bën Edi Rama bie ndesh me marrëveshjen e Asocim Stabilizimit me BE-në dhe në nenet 71 dhe 74 të saj ku thuhet qartë se shtrembërimi i konkurrencës ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e MSA-së, si dhe në tregtinë mes Komunitetit dhe Shqipërisë. BE i ka drejtuar një letër Shqipërisë dhe i kërkon llogari për këtë, dhe Rama po mendon përgjigjen pasi i ka kërkuar zyrtarëve evropianë heshtje mediatike për çështjen.

Mediat investigative e kanë vërtetuar këtë.

Këmbana e Katërt. Porti i Durrësit, porti më i vjetër, historik dhe legjendar i Shqipërisë do të zhduket nga harta. Në vend të tij do të ndërtohen pallate luksoze, port jahtesh dhe qendra tregtare. 70 për qind të këtyre do të zotërohen nga kompania “arabe”. Por ç’do të ndodhë me Portin Tregtar të Durrësit, një nga pikat nevralgjike të ekonomisë shqiptare, përfaqësuese strategjike e Shqipërisë?

Sipas Ballukut, me një arsyetim të trashë dhe të dyshimtë, aktiviteti tregtar do të transferohet në Porto Romano ku aktualisht operojnë dy kompani të tjera dhe aktiviteti është energjitik. Që këtu nis vështirësia e parë, në të tilla raste, pra kur aktiviteti i portit është energjitik, ai tregtar nuk është i lejueshëm.

Por sa mirë sikur të ishte vetëm ky problemi.

Zhvendosja e Portit të Durrësit në Porto Romano nuk është një fjalë goje. Si fillim, studimet e deritanishme kanë treguar se Porto Romano nuk është vendi më i mirë për një port të tillë, pasi është në det të hapur dhe i pambrojtur nga erërat, deti është i cekët dhe aktualisht operojnë dy terminale private dhe nuk ka shumë hapësira portuale dhe ligjore për manovrim.

Së dyti transferimi i shërbimeve pa investuar në infrastrukturën lidhëse si hekurudha, rrugë, sheshet e përpunimit dhe logjistika do t’i bëjë shërbimet portuale pothuaj të pamunduara.

Së treti Porti i Durrësit është vërtet shtetëror, por kontratat e tij me kompanitë që operojnë në të janë koncensione mbi 30 vjeçare dhe transferimi i aktivitetit në një vend tjetër nënkupton shkelje të kontratave me këto kompani – një nga më të mëdhatë është ajo me kompaninë gjermane, Albanian Ferri Terminal (AFTO), e cila ofron shërbimin e ngarkimit dhe shkarkimit të mallrave në terminalin lindor të Portit nëpërmjet një kontrate PPP me afat 25- vjeçar. Pra pasoja të mëdha financiare.

Kaq vetëm të përmbledhura sepse diskutimi i transferimit të aktivitetit tregtar të portit të Durrësit në Porto Romano është shumë më i thellë dhe i panatyrshëm.

Si përfundim, këmbanat bien për kë ka veshë dhe afera e Portit të Durrësit është ashiqare e lexueshme. Po përdoret emri i një arabi, për të ngrënë e pirë oligarkët dhe mafia shqiptare që, me apo pa pjesëmarrje të drejtëpërdrejtë, udhëhiqet nga Kryeministri i Shqipërisë. Nuk është e vështirë të kuptoni se cilët janë aktorët e kësaj afere. Hapni arkivat dhe shikoni fytyrat e darkës te Nustreti dhe hapni defterët dhe lexoni se kush po e shqyen Porto Romanon aktualisht. Do te kuptoni se janë disa hijena që ushqehen me koncensionin e Portit te Durrësit. Janë disa mafiozët që përfitojnë nga kjo copë e majme Shqipërie që është hedhur në tepsi për tu shqyer.

Prandaj fjala e fundit u ka mbetur shqiptarëve. Vetëm ne mund ta mbrojmë atë që na përket dhe duhet ta gëzojmë të gjithë./Pamfleti

Kryesore #Kush fshihet pas koncensionit të Portit të Durrësit dhe pse po nxiton Edi Rama?