Aktualitet13 Tetor 2022, 18:49

Kush i financon partitë shqiptare? PS-PD-LSI hodhën 2.2 milionë euro në fushatë, socialistët tejkaluan 3-fish shpenzimet

Shkruar nga Pamfleti
Kush i financon partitë shqiptare? PS-PD-LSI hodhën 2.2 milionë

Nëse bëjmë një mbledhje të shpenzimeve të PS dhe PD kemi të deklaruara plot 215,105,910 lekë, ose rreth 1.8 milionë euro. Ndërkohë LSI ka shpenzuar plot 43,501,573 lekë. Në total kemi shpenzime nga tre forcat kryesore plot 258,607,483 lekë ose rreth 2.2 milionë euro.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gjetur parregullsi me financat e PS dhe PD për fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021. Komisioneri Shtetëror miratoi raportet e auditimit dhe vihet re se PS qëndron në krye të partive me më shumë shkelje.

Sipas KQZ, kjo parti nuk ka respektuar kufirin e shpenzimeve të fushatës sipas nenit 92/2, pika 4 e Kodit Zgjedhor” ku thuhet se shuma e shpenzimeve të bëra nga një subjekt zgjedhor, përfshirë kandidatët e tij, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të jetë më shumë se 3 herë më e madhe se shuma më e lartë që ka marrë një subjekt zgjedhor nga fondet publike për qëllime zgjedhore, në përputhje me nenin 88 të këtij ligji.

Referuar vendimit 172 datë 23.03.2021 të Komisionerit Qëndror të Zgjedhjeve, shuma më e lartë është fondi i përfituar nga Partia Socialiste në vlerën 55,826,750 leke. 55,826,750*3= 167,480,250 lekë. Pra kufiri i shpenzimeve të fushatës është 167,480,250 leke. Nga subjekti zgjedhor Partia Socialiste janë kryer shpenzime të fushatës zgjedhore në shumën 172,046,612 lekë. Shpenzimet janë kryer në nivel qendor, nga zyra qëndrore e partisë dhe nga degët e partisë në të gjithë vendin duke përfshirë edhe kandidatët. Pra është tejkaluar kufiri i shpenzimeve të fushatës për shumën 4,566,362 leke”, thekson KQZ.

Sipas dokumentit, shpenzimet e aktiviteteve/eventeve janë në vlerën 11,962,510 leke ose e shprehur në përqindje 43.88 %. Shpenzimet për materiale promocionale janë në vlerën 6,717,701 leke ose shprehur në përqindje 21.73%. Këto shpenzime janë për flamuj, bluza me logon e PS-se, byzylyke, çanta,kapele dhe banera, maska. Shpenzime për media janë në vlerën 98,247 lekë. Këto shpenzime janë për spote publicitare. Shpenzime për media sociale janë në vlerën 8,290 leke. Këto shpenzime janë për facebook, instagram. Shpenzimet për botime/publikime janë në vlerën 100,000 lekë. Këto përfaqësojnë shpenzimet për fletë votimi. Shpenzimet për trasport janë vlerën 902,966 leke. Këto janë shpenzimet për karburant dhe mjete transporti të marra me qira për fushatën.

Shpenzime zyra elektrorale janë në vlerën 4,216,200 leke. Këto janë shpenzimet për zyrat elektorale në vlerë monetare.

Dhurime në natyre për shumën 4,101,905 leke përfaqësojnë shpenzimet për zyrat elektorale nga dhuruesit. Shpenzimet administrative për shumën 2,806,509 leke përfaqësojnë shpenzimet për kancelari, internet, shpenzime telefoni, kokteil, kafe etj.

Një tjetër shkelje e gjetur nga KQZ është se në disa raste vlera e dhënies me qira të zyrave elektorale është më e ulet se vlera minimale e qirasë e përcaktuar sipas VKM 469, datë 03.06.2015 “Për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave për qëllime tatimore”. Ndërkohë  në shpenzimet e kandidatëve kishte raste ku shpenzimet nuk ishin me faturë tatimore por vetëm me kupon tatimor ose e anasjellta ishte lëshuar faturë tatimore por mungonte kuponi tatimor.

Nuk mbetet pas edhe Partia Demokratike. Kjo e fundit ka shpenzuar në zgjedhje 47,625,660 lekë. KQZ shprehet se shuma nuk e tejkalon limitin, por ka shkelje me deklarimet e kandidatëve.

Nuk kanë përgatitur dhe deklaruar sipas ligjit, pasqyrat e raportimit financiar për fushatën zgjedhore, rreth 50 për qind e kandidateve. Mungojnë deklaratat e donatoreve mbi konfliktin e interesave për financimin e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve të tyre. Pasqyrat e raportimit financiar për fushatën zgjedhore, nga kandidatët që kanë kryer deklarimet, kanë pasaktësi në llogaritjen e te ardhurave dhe shpenzimeve, megjithëse nuk janë vlera të konsiderueshme, në total 2,103,625.43 lekë për 5 deklarime te kandidateve.  Të ardhurat dhe shpenzimet nuk janë të balancuara. Mungojnë të dhëna për faturat. Në një rast mungon vlera monetare e llogaritur për kontributin në natyre”, shprehet KQZ.

Ajo që bie në sy është se kemi shpenzime të jashtëzakonshme në fushatë, sidomos nga PS. Nëse bëjmë një mbledhje të shpenzimeve të PS dhe PD kemi të deklaruar plot 215,105,910 lekë, ose rreth 1.8 milionë euro. Ndërkohë LSI ka shpenzuar plot 43,501,573 lekë. Në total kemi shpenzime nga tre forcat kryesore plot 258,607,483 lekë, ose rreth 2.2 milionë euro.

Kush jep kaq shumë lekë? Nga dalin gjithë këto para? PS e PD janë kapur në shkelje dhe mund të gjobiten, por historikisht KQZ nuk ka shkuar më shumë se kaq, të kërkojë llogari se përse shpenzohen kaq shumë para dhe ku gjenden ato. /Pamfleti

Kryesore Fushata Rama shpenzime zgjehdje