Editorial 3 Janar 2023, 12:05

 Kush i hoqi Barrikadat

Shkruar nga Pamfleti

 Kush i hoqi Barrikadat

Kush i ngriti barrikadat ishte pyetja fillestare dhe të gjithë përgjigjeshin “ata”, ndërsa në pyetjen se kush i hoqi barrikadat, të gjithë përgjigjen: “NE”!

Shkruan Fadil Lepaja

Ndoshta pikërisht Babadimri, fryma e tij e padukshme e cila njerëzve u sjell atë që e dëshirojnë me zemër. Pavarësisht politikës, njerëzit e thjeshtë duan paqe, liri lëvizjeje, dashuri dhe begati. Edhe nga një gotë … prodhime pemësh. Dikush të pjekur njëherë, dikush dy herë e dikush e do “fresh”.

Në këtë atmosferë festive, pyetja sa e pavend mund edhe të ju duket e lehtë fare. Por, do të merrni reagime nga shumë anë. I hoqëm “NE” do të lëvdohen të parët. Jo, ne i hoqëm  do të kundërshtojnë të dytët, me një fjalë, meritat i duan të gjithë për vete.

Qeveria e Kosovës ishte më modeste. As nuk i vumë, as nuk i hoqëm, por…”nëse nuk i hiqni ju, do ti heqim ne” u zotuan ata. I thanë KFOR-it, edhe EULEX-it edhe … ndërkombëtarëve kryesisht.

Pastaj në tregim futet zyrtari i lartë amerikan dhe thotë: ”Barrikadat t’i heqë ai që i ka vënë”, edhe këtu u komplikua situata. Autorësia mbeti jetime! Askush nuk e pranonte se i ka vënë, edhe pse të dyshuarit rreshtoheshin pas tyre, i arsyetonin. Madje edhe vetë Patriarku serb deshi të vizitojë Kosovën pikërisht ato ditë, por kur u ndalua në kufirin “jo ekzistues” Kosovë-Serbi dhe u kthye prapa, ai u ankua se nuk e lanë të hynte në Vatikan.

“Paramendojeni, tha ai, sikur Papa të mos lejohej të hyjë në “Vatikan”. Dikush nga jashtë fillimisht do të ketë menduar se patriarku është nisur për Romë, por shpejt e kuptuan se ai vetëm po e krahason veten me Papën, dhe Kosovën me Vatikanin. Ishte nisur për Kosovë, të vizitojë manastiret, mbase edhe barrikadat, edhe pse “Bozhiqi” serb, ngjashëm me rusët është me kalendar tjetër dhe i bie pas vitit të ri.

Kështu, në zemërim e sipër, mbase padashur, Patriarku shpalosi dhe sqaroi idenë e hedhur në bisedimet në Bruksel  për ekstra- territorialet e manastireve dhe kishave serbe në Kosovë. Kisha serbe e cila ende ka marrëdhënie të ngrira me Kishën Autoqefale Maqedonase dhe atë Malazeze, nuk heq dorë nga “Vatikani” i saj, pra nga ideja që edhe në Kosovën e pavarur të ketë shtetin e vet “papal”. Për “gjeopolitikën” serbe këtu është rëndësia e Kosovës, sepse lidhë ose ndërpret ambiciet serbe për të pushtuar Ballkanin qendror, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi dhe të dalë në dy dete. Halli i përbashkët i daljes në det është emëruesi i përbashkët i aleancës gjeopolitike ruso- serbe.

Por, sidoqoftë askush nuk e akuzoi Kishën Pravosllave Serbe se i kishte vënë barrikadat, edhe pse protestuesit e armatosur paqësor, në Barrikada po bëheshin gati për të pritur edhe “babadimrin”, ndoshta pikërisht për të “shenjtëruar” barrikadat. Si u pa puna, duket se kishin problem me identitetin e babadimrit, i cili kësaj radhe nuk vinte dot nga oxhaku. Vonë u kujtuan organizatorët, se barrikadat nuk kanë oxhak.

Pra kush i ngriti barrikadat ishte pyetja fillestare dhe të gjithë përgjigjeshin “ata”, ndërsa në pyetjen se kush i hoqi barrikadat, të gjithë përgjigjen: “NE”! Zyrtari amerikan nuk u prononcua, sepse po të përsëriste të njëjtën logjikë do të dilte se ato i ka vendosur pikërisht presidenti serb i cili së fundmi u angazhua personalisht që të hiqen.

Pyetja më e natyrshme për këdo që do të ruaj me çdo kusht atmosferën festive është, “sa është e rëndësishme tani se kush i vuri barrikadat “, apo kujt i intereson në të vërtetë?

Kjo, në këtë atmosferë festive, kur edhe vetë Babadimri mund të jetë dehur, është pyetje e rrezikshme e cila sërish mund të acarojë gjakrat, e ky në fakt mund të ketë qenë motivi i kujtdo që kishte dashur të përfitojë mbi frikën e qytetarëve serb në veri.

Ka që thonë se ishte skenar rus, ka që thonë skenar serb i ngjashëm me barrikadat në Srpska Krainë, në Republika Srpska dhe gjithkund ku serbët donin një humbje të ndershme në fushëbetejë, për tu tërhequr. Si të jetohet ndryshe 500 vjetët e ardhshme në këtë planet ku identitetet kanë filluar të përzihen, ku të gjithë, gjithnjë e më tepër po duken të njëjtë. A nuk po vishen njëjtë, ushqehen njëjtë, banojnë në rrokaqiej, luajnë lojëra të njëjta. Pak a shumë të gjithë jetojmë në rrjet, në një realitet virtual, me idenë se po kthehemi në origjinë.

As mos e mendoni majmunin, kur flasim për kthim në origjinë. Më e besueshme sot duket ideja se jetojmë në hologram. Nga rrjeti erdhëm, në rrjet do të kthehemi, mund të parafrazojmë frazën e besimtarëve që në vend të rrjetit, përdorin idenë se nga pluhuri vijmë dhe pluhur bëhemi. Apo nuk është vetëm pluhur kozmik, virtual?

Pra, mos e lodhni kokën këto ditë se kush i vuri barrikadat, lavdërohuni të gjithë se i hoqëm, kontribuam sadopak, deri pas … festave. Në ndërkohë në rrjetet sociale do të jetojmë trishtimin e një gjenerate të rritur në tokë e të plakur në rrjet, ndërkohë që më të rinjtë … por, ti lëmë të rinjtë, se edhe ashtu nuk i shkëpusim dot nga rrjeti.

Gëzuar o njerëz të mirë, kudo që jeni… në rrjet!/Pamfleti

Editorial “Pamfleti” #Kush i hoqi Barrikadat Fadil Lepaja Kosova