Bota 9 Gusht 2022, 19:53

Kush janë akuzat me të cilat po përballet Donald Trump dhe pse kandidimi në zgjedhje nuk i ndal dot hetimet?

Shkruar nga Pamfleti

Ish presidenti amerikan Donald Trump, konfirmoi të hënën se agjentët e FBI-së kontrolluan pronën e tij në Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida.

Teksa kërkimi duket se është pjesë e një hetimi për heqjen dhe shkatërrimin e paligjshëm të të dhënave të Shtëpisë së Bardhë nga Trump pas presidencës së tij, biznesmeni dhe politikani po përballet me hetime dhe padi në një sërë frontesh.

Këtu kemi një përmbledhje të trazirave ligjore me të cilat po përballet Donald Trump.

1. Humbja e disa dosjeve nga arkiva kombëtare

Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Regjistrimeve të SHBA-së (Nara) në shkurt njoftoi Kongresin se kishte gjetur rreth 15 kuti me dokumente të Shtëpisë së Bardhë në shtëpia e Trump në Florida, disa prej të cilave përmbanin materiale të klasifikuara.

Komiteti i Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së në atë kohë tha se po zgjeronte një hetim mbi veprimet e Trump dhe kërkoi nga Arkivat të jepnin informacione shtesë. Trump konfirmoi më parë se ai kishte rënë dakord të kthente disa të dhëna në Arkiva, duke e quajtur atë “një proces të zakonshëm dhe rutinë“.

2. Sulmi në Kapitolin e SHBA

Një panel i Kongresit po heton sulmin e 6 janarit nga mbështetësit e Trump në Kapitolin e SHBA-së, dhe po punon për të ndërtimin e një precedenti për thyerjen e ligjit në përpjekje për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.

Nënkryetarja Liz Cheney ka thënë se komiteti mund të bëjë referime të shumta në departamentin e drejtësisë duke kërkuar akuza penale kundër Trump, i cili akuzon panelin për kryerjen e një hetimi të rremë.

Në një dosje gjyqësore të marsit, komiteti detajoi përpjekjet e Trump për të bindur Mike Pence që të refuzojë listën e zgjedhësve për Joe Biden, i cili fitoi zgjedhjet, ose të vonojë një numërim të votave në Kongres.

Komiteti nuk mund ta akuzojë Trumpin për krime federale. Ky vendim duhet të merret nga departamenti i drejtësisë, i udhëhequr nga prokurori i përgjithshëm, Merrick Garland. Nëse departamenti i drejtësisë ngre akuza, sfida kryesore e prokurorëve do të jetë vërtetimi se Trump veproi me qëllime korruptive, thanë ekspertët.

Trump gjithashtu mund të akuzohet për “komplot kryengritje”, një statut i përdorur rrallë që e bën të paligjshme përmbysjen e qeverisë amerikane me forcë, një akuzë që tashmë është ngritur kundër pjesëmarrësve të shumtë në sulm.

3. Mashtrim

Demokratët thanë në një seancë dëgjimore të qershorit, në komitetit e 6 janarit se Trump, mblodhi rreth 250 milionë dollarë nga mbështetësit e tij, për të avancuar pretendimet se ai fitoi zgjedhjet, por në fakt ai i përdori parat për tjetër qëllim.

Kjo ngre mundësinë që ai të akuzohet për mashtrim, pasi ligji e ndalon marrjen e parave me “pretendime të rreme ose mashtruese“, thanë ekspertët ligjorë.

4. Ndërhyrja në zgjedhjet në Xhorxhia

Një juri e madhe e posaçme u zgjodh në maj, për të shqyrtuar provat lidhur me hetimin e një prokurorie të Xhorxhias mbi përpjekjet e supozuara të Trump për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve të shtetit në vitin 2020.

Hetimi fokusohet pjesërisht në një telefonatë që Trump i bëri Brad Raffensperger, sekretarit republikan të shtetit të Xhorxhias më 2 janar 2021.

Trump i kërkoi Raffensperger-it të “gjente” votat e nevojshme për të përmbysur humbjen e Trumpit në zgjedhje, sipas një regjistrimi audio të siguruar nga Washington Post.

Ekspertët ligjorë thanë se Trump mund të ketë shkelur të paktën tre ligje kriminale zgjedhore në Xhorxhia: konspiracion për të kryer mashtrime zgjedhore, kërkesë kriminale për të kryer mashtrime zgjedhore dhe ndërhyrje të qëllimshme në kryerjen e detyrave zgjedhore

5. Hetimi penal në Nju Jork

Alvin Bragg, prokurori i qarkut të Manhatanit, ka hetuar nëse kompania e pasurive të paluajtshme të familjes së Trump ka keqinterpretuar vlerat e pronave të saj për të marrë kredi bankare të favorshme dhe fatura më të ulëta taksash.

Dy avokatë kryesorë që kishin udhëhequr hetimin dhanë dorëheqjen në shkurt, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e hetimit, por zyra e Bragg ka thënë se është në vazhdim.

6. Hetimi civil i Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Jorkut

Letitia James, prokurorja e përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut, po kryen një hetim civil për të shqyrtuar nëse Organizata Trump ka fryrë vlerat e pasurive të paluajtshme. Trump dhe dy nga fëmijët e tij të rritur, Donald Trump Jr dhe Ivanka Trump, ranë dakord të dëshmonin në hetimin që fillon më 15 korrik.

Trump ka mohuar keq bërjen në të dyja rastet e Nju Jorkut dhe i ka përshkruar ato si të motivuara politikisht.

7 . Çështja e shpifjes së Jean Carroll

Jean Carroll, një ish-shkrimtare e revistës Elle, e paditi Trumpin për shpifje në vitin 2019 pasi presidenti i atëhershëm mohoi pretendimin e saj se ai e kishte përdhunuar atë në vitet 1990 në një dyqan të qytetit të Nju Jorkut. Ndërsa ai e akuzoi atë se gënjeu për të nxitur shitjet për librin e saj.

Gjykata e dytë e apelit në Manhattan është gati të vendosë nëse padia e Carroll duhet të rrëzohet.

Një avokat i Trump ka argumentuar se ai mbrohet nga një ligj federal që i bën punonjësit e qeverisë të imunizuar nga pretendimet për shpifje.

A do të thotë një kandidim presidencial që Trump nuk mund të ndiqet penalisht?

Jo. Edhe pse Departamenti i Drejtësisë ka një politikë dekadash që një president në detyrë nuk mund të paditet, nuk ka një mbrojtje të tillë për kandidatët presidencialë. / Përshtati “Pamfleti” nga “The Guardian”

Bota Akuzat Hetimet Trump