Aktualitet30 Mars 2022, 15:28

Kush po e fsheh listën e Stela Gugalljas me emrat e politikanëve dhe drejtorëve që kanë ndarë paratë e inceneratorëve!?

Shkruar nga Pamfleti
Kush po e fsheh listën e Stela Gugalljas me emrat e politikanëve dhe

Kush po e fsheh listën e Stela Gugalljas me emrat e politikanëve dhe drejtorëve që kanë ndarë paratë e inceneratorëve!?

Pas Lefter Kokës, Alqi Bllako, një hajdut premtues i stërvitur nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, është ‘kurbani’ i dytë i madh i Edi Ramës për aferën 430 milionë euro të inceneratorëve. Arrestimet e deritanishme, sekuestrimet, bllokimet, akuzat dhe zhurma, besohet se janë një strategji për të mbuluar fakte edhe më të rënda rreth vjedhjes së parave publike me inceneratorët, fakte që nëse zbulohen mund të hedhin në erë qeverinë e Bablokut. Mes fakteve të rënda është edhe një listë me emrat e ministrave, drejtorëve dhe njerëzve rreth pushtetit, të cilët kanë ndarë paratë publike të inceneratorëve. Sipas burimeve të rezervuara lista është gjetur nga hetuesit në kompjuterët dhe arkat e Stela Gugalljas, administratore dhe pronare në letra e kompanisë mafioze të inceneratorëve.

Ashtu si bosët e mafies që mbanin lista me emra njerëzish dhe llogari financiare, edhe Gugallja kishte një listë me njerëzit që duhet të merrnin para publike, të hedhura gjoja për inceneratorët. Lista dyshohet se po mbahet e fshehtë nga prokurorët me porosi të Edi Ramës, pasi zbulimi i saj hedh në erë bandën e ‘Rilindjes’, bashkë me pushtetin korruptiv.

Po si është prodhuar lista e korrupsionit?

Edi Rama, me ministra, drejtorë dhe sekserë gjetën Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton për të zbatuar aferën 430 milionë euro të inceneratorëve në Tiranë, Elbasan dhe Fier. Dyshja Mërtiri-Zoto përfaqëson një nga linjat më famëkeqe të pastrimit të parave, trafiqeve dhe korrupsionit në Shqipëri deri në Zimnabve. Mërtiri dhe Zoto vendosën në krye të kompanisë koncensionare, Stela Gugalljan, e cila është bashkëjetuesja e Mërtirit. Pas koncesionit dhe kontratave korruptive, nisën të kalonin paratë në llogaritë e kompanisë së Gugalljas, Mërtirit dhe Zotos.

Deri më tani SPAK ka zbuluar se Lefter Koka, si ish-ministër i Mjedisit, ka marrë 5 milionë euro. Alqi Bllako ka marrë 140 mijë euro. Koka dhe Bllako ranë në rrjetë pasi nuk i morën paratë me çanta si të tjerët nga Stela Gugallja, por tentuan t’i merrnin me kompani fantazmë dhe kontrata mashtrimi, me qëllim për t’i kthyer në para të pastra. Koka dhe Bllako i morën paratë e inceneratorëve përmes bankave, me kontrata pagash dhe punësh fiktive.

Pyetja që lind është: Pse vetëm Lefter Koka dhe Alqi Bllako i ndanë paratë e inceneratorëve, në kushtet kur nuk ka fare incenerator?! Kësaj pyetje i përgjigjet vetëm lista e Stela Gugalljas, e cila ka shënuar emrat e pushtetarëve që kanë vjedhur paratë publike. Aktualisht, Stela Gugallja po shijon pushimet në vende ekzotike bashkë me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, me paratë e shqiptarëve./Pamfleti

Kryesore #Stela Gugallja Ilir Meta Lefter Koka