Aktualitet20 Janar 2023, 10:24

Kush rri pa gjumë dhe kush do shpallet ‘Non Grata’: Zbërthimi i ‘bombave’ të Yuri Kim!

Shkruar nga Pamfleti
Kush rri pa gjumë dhe kush do shpallet ‘Non Grata’:

Kush rri pa gjumë dhe kush do shpallet ‘Non Grata’: Zbërthimi i ‘bombave’ të Yuri Kim!

Një qëndrim që ndan me vizë të kuqe jo një preferencë apo një deklaratë preferenciale, por një vijë të politikës së lartë amerikane…

Përveç përsëritjes së qëndrimit tashmë të njohur të SHBA-së për korrupsionin në Shqipëri, si dhe kujdestarinë për SPAK, ambasadorja Yuri Kim ka lëshuar dy ‘bomba’ të vërteta në intervistën e saj, të cilat ja vlen të analizohen.

Njëra ishte në lidhje me zyrtarët, politikanët apo njerëz të rëndësishëm në këtë vend. Ambasadorja e SHBA tha se ka nga ata që janë të shqetësuar dhe nuk kanë gjumë në lidhje me shpalljen e radhës ‘Non Grata’ apo për ndjekjen penale nga SPAK.

Në këtë deklaratë është krejt e qartë se Departamenti i Shtetit apo Departamenti i Thesarit do të fuse së shpejti të tjerë persona nga Shqipëria në listën e zezë.

Siç dihet, deri tani janë shpallur katër politikanë të rëndësishëm dhe një sipërmarrës.

Në rangun e tyre, duke ç’koduar deklaratën, i pari politikan që është i shqetësuar dhe pa gjumë për hetimet ndaj tij, apo qëndrimet ndërkombëtare është Ilir Meta, i cili nuk heziton ta shprehë thuajse çdo ditë publikisht inatin me SPAK dhe reformën në Drejtësi.

Ndërkaq, nga ana tjetër, loja që u bë në SPAK që të mos zgjidhet Altin Dumani, duke përdorur si shantazh “mbarimin e mandatit të ambasadores Yuri Kim” është një tjetër indikacion se çfarë fshihet prapa. Menjëherë pas këtij makinacioni SHBA vendosi të shtyjë qëndrimin e ambasadores në Tiranë, e cila e tha qartë se do të qëndrojë gjatë. E ky nuk është tjetër veçse një dështim i ministres së Jashtme Olta Xhaçka, e cila u përzi në këtë çështje. Ajo prej asaj dite qëndron si “pulë e lagur” e thuajse është izoluar nga axhenda të rëndësishme diplomatike. Ndërkohë që ka një çështje ndaj saj në Gjykatën Kushtetuese, ministrja e Jashtme ka më shumë se dy muaj pa zhvilluar asnjë vizitë të rëndësishme ndërkombëtare, kur më parë ishte thuajse gjatë gjithë kohës në ajër.

Një tjetër indikacion është vendimi i gjykatës speciale për kontrollin e deputetit socialist Rrahman Rraja, në lidhje me nipin e tij të akuzuar për disa ngjarje të rënda.

A po afrohet një ndjekje penale për të?

Vendimi i gjykatës pa shkuar në Kuvend për këtë kërkesë, është një zhvillim i fortë që paralajmëron shumë gjëra. Madje përflitet se këto ditë SPAK pritet të zhvillojë disa operacionë të bujshme ndaj zyrtarëve e politikanëve të lartë.

Por normalisht ka edhe të tjerë që janë trazuar nga drejtësia e re, e me qëndrime të hapura dhe të fshehta kundër saj. E siç mësohet, këtë radhë mund të kemi një listë të rëndësishme sipërmarrësish të mëdhenj, të ndëshkuar nga Departamenti i Thesarit.

Ndërkaq, pjesa e dytë e rëndësishme ishte ajo në lidhje me Partinë Demokratike.

Yuri Kim e ka bërë të ditur qartë se SHBA kërkon që PD të fitojë zgjedhjet në Shqipëri, e se me Sali Berishën në krye nuk i fiton këto zgjedhje.

Sipas gjasave, nuk do të ketë më përsëritje qëndrimesh, pasi bëhet fjalë për një shtet serioz që flet një herë e më pas vepron. E si apel ndaj opozitës nuk ka më shumë se kaq për të hyrë në trurin e atyre që akoma kanë iluzione se mund të përfitojnë nga Berisha.

“SHBA e ka mbështetur qartë PD-në në vitin 1992 dhe e ka bërë këtë për të mirën e vendit. Sot ajo forcë duhet të punojë për të ardhur në pushtet, të fitojë zgjedhjet, që nuk bëhet duke parë nga e shkuara por nga e ardhmja”, deklaroi ambasadorja. Një qëndrim që ndan me vizë të kuqe jo një preferencë apo një deklaratë preferenciale, por një vijë të politikës së lartë amerikane kur thotë avokat Ngjela. Pra më qartë se kaq nuk mund të flasë dikush: Doni të fitoni zgjedhjet? Braktisni të shkuarën, që është Sali Berisha. I cili jo vetëm që nuk do të reablilitohet më ndërkombëtarisht në asnjë rast, por është edhe një subjekt i SPAK.

Gjykata e posaçme madje vendosi që të hetojë pasurinë e tij dhe të Ilir Metës. Sipas gjasave vilat luksoze të Lalzit do të rrethohen së shpejti me shirit të verdhë…/Pamfleti

Kryesore #Kush rri pa gjumë dhe kush do shpallet ‘Non Grata’ #Zbërthimi i ‘bombave’ të Yuri Kim!