Policia vazhdon hetimet në lidhje me zbardhjen atentatit të dy ditëve më parë ndaj Durim Bamit, personit që u bë i famshëm për tentativën e vrasjes së Tom Doshit me porosi të Ilir Metës. Atë kohë, Tom Doshi pretendonte se për ekzekutimin e tij, Bami do të merrte 500 mijë euro.
Gjithashtu Durim Bami njihet si i forti i Niklës dhe ka hesape të shumta me njerëz të rrezikshëm nga bota e krimit. Për pasojë policia ende nuk ka një pistë zyrtare për atentatin e dy ditëve më parë në Tapizë, ku mbeti i plagosur kushëriri i Bamit, Ervin Kodra.
Ndërkohë në mjetin e djegur tip “Golf 5” që dyshohet se u përdor nga autorët e plagosjes së Ervin Kodrës në Tapizë, u gjetën disa pjesë armë kallashnikovi të çmontuara. Policia e gjeti automjetin të djegur në zonën periferike të Tiranës, Valias. Arma e sekuestruar u dërgua në laboratorin e balistikës. Dyshohet se ajo u përdor në ngjarjen kriminale.
Fatmirësisht i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe fillimisht ka dëshmuar për policinë se i vetëm në makinë por më pas i ka treguar se udhëtonte bashkë me kushëririn e tij, Durim Bamin. Burimet raportojnë se Ervin Kodra ka qenë shumë i rezervuar për itinerarin që ka bërë me Durim Bamin, përpara atentatit.
Hetuesit kanë dyshime se Durim Bami mund të ketë qenë edhe objektivi i sulmit të armatosur dhe janë vënë në ndjekje të tij për ta marrë në pyetje, por deri më tani nuk ka mundur që ta lokalizojnë.
Policia nuk ka ende ndonjë të dhënë apo provë rreth autorëve, ndërsa dyshohet se shkak i ngjarjes janë konfliktet e mëparshme të Durim Bamit, i cilësuar si “i forti” i Niklës.
Policia dhe prokuroria e Krujës thonë se Ervin Kodra dhe kushëriri i tij Durim Bami, kanë rënë në pritë pasi personat ishin pozicionuar buzë rrugës, pikërisht në ambientet e një pike që tregton mermer. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur dy lloje gëzhojash, automatiku dhe pistolete. Policia dyshon se mes atentatorëve dhe Bamit ka pasur shkëmbim zjarri.
Emri dhe fotoja e tij u bë publik dhe mori akoma më tepër famë, në skandalin Meta-Doshi, ku sipas Doshit, Durim Bami ishte kontraktuar nga Ilir Meta për të vrarë Tom Doshin, kundrejt 500 mijë eurove.