Kosova 2 Shkurt 2023, 17:15

Kushtet për Asociacionin, Vuçiç sulmon Kurtin: Po tregon përralla

Shkruar nga Pamfleti
Kushtet për Asociacionin, Vuçiç sulmon Kurtin: Po tregon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndonëse SHBA e BE e kërkojnë miratimin e Asociacionit, kryeministri i Kosovës duket i vendosur për të mos lejuar një gjë të tillë pa plotësuar kushtet.

Mbi këtë zhvillim ka reaguar presidenti serb Aleksandar Vuçiç. Ai i ka cilësuar “përrallë” kushtet e kryeministrit të Kosovës.

Gjatë një seancë në Kuvendin e Serbisë, gjatë diskutimeve për Kosovën, Vuçiq ka thënë se Kurti në fakt “nuk do të formojë Asociacionin”.

Kurti gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës, ka numëruar gjashtë kushtet që duhet të përmbushen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi; Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5); Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane; Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale; Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raport me Kosovën; Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE, që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013”, tha ai.

Prishtine Kurti Vucic