Aktualitet27 Dhjetor 2022, 17:02

Kushtetuesja bllokon komisionet hetimore kundër qeverisë, rrëzon PD edhe për çështjen “Becchetti”

Shkruar nga Pamfleti
Kushtetuesja bllokon komisionet hetimore kundër qeverisë, rrëzon

Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor sa i takon humbjes së gjyqit të qeverisë në Arbitrazh me biznesmenin italian Francesco Becchetti.

Grupi i parlamentar demokrat kërkoi që të hetohet rasti në fjalë, por mazhoranca e bllokoi ngritjen e komisionit hetimor. PD ju drejtua Gjykatës Kushtetuese, por kjo e fundit ka arritur në konkluzionin se nuk ka shkelje të Kushtetutës duke rrëzuar kërkesën e demokratëve.

Kërkesa u bë më 25 Tetor 2021, nga ish-deputetja Grida Duma dhe deputeti Gazment Bardhi, të cilët nga dera e Gjykatës Kushtetues çuan kërkesën kundër vendimit të Kuvendit, pasi sipas tyre kryeministri Edi Rama ka frikë të hetojë këtë çështje.

PD kërkoi të hetoje veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë që çuan në një dëm prej 120 milionë euro.

Ky shpërblim iu është akorduar palëve paditëse Becchetti dhe të tjerë, pasi nga faktet dhe provat e vëna në dispozicion, arbitrazhi ka konstatuar se si rezultat i veprimeve dhe mosveprimeve të paligjshme të zyrtarëve të lartë shtetërorë, ku përfshihen shtetasi Edi Rama, me detyrë kryeministër i Shqipërisë, shtetasi Erion Veliaj, me detyrë kryetar i Bashkisë Tiranë dhe shtetasi Ëngjëll Agaci, me detyrë sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të një rangu më të ulët si shtetasi Enkelejd Joti, me detyrë drejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ish-drejtor i përgjithshëm i Top Channel, shtetasi Skerdi Drenova, me detyrë administrator i Operator të Sistemit të Transmetimit, ish-zëvëndësdrejtor i përgjithshëm i Top Channel dhe shtetasi Gentian Sala, kryetar i Autoritetit të Mediave Audiovizive, ish-drejtor i Top Channel dhe Digitalb, sipërmarrjet e biznesmenit italian Becchetti janë shkatërruar plotësisht”, shprehej PD në padi. Por Kushtetuesja ka deklaruar ndryshe.

Duhet theksuar se vendimi i Kushtetuese vjen pak ditë pas atij për investimet strategjike. PD kërkoi një komision hetimor mbi shpalljen investitorë strategjikë të miqve dhe familjarëve të qeverisë, por Kushtetuesja refuzoi. Ky i sotmi është vendimi i dytë kundër PD brenda pak javësh.

Njoftimi i Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese, sot në datën 27.12.2022, mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh çështjen me kërkues një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë (jo më pak se një e katërta e deputetëve), anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, me objekt: “ Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Deklarimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 80/2021 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë në çështjet që kanë sjellë si pasojë vendimin e Arbitrazhit “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”.”.

Gjykata vlerësoi se:

– Ajo ka juridiksion për shqyrtimin e kësaj çështjeje, pasi vendimi nr. 9, datë 28.03.2022 i kësaj Gjykate nuk përbën gjë të gjykuar, për rrjedhojë as pengesë në aspektin kushtetues.

– Kërkuesi plotëson kriteret e legjitimimit, pasi kërkesa është paraqitur nga i njëjti subjekt që ka kërkuar edhe ngritjen e komisionit hetimor.

– Në lidhje me themelin e pretendimeve, Gjykata nuk arriti në përfundimin se në rastin konkret plotësohen standardet kushtetuese për ngritjen e komisionit hetimor.

Për sa më sipër, Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të neneve 77, 131, pika 1, shkronja “ç” të Kushtetutës, si dhe të neneve 54, 55, 56, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash,

VENDOSI:

1. Rrëzimin e kërkesës.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese. /Pamfleti

Kryesore Becchetti kushtetuese PD