Aktualitet 2 Maj 2022, 12:46

Kuvendi i Bashkimit Familjar

Shkruar nga Pamfleti
Kuvendi i Bashkimit Familjar

Kuvendi i Bashkimit Familjar

Lulzim Basha përfundimisht e ka shkatërruar Sali Berishën shpirtërisht, mendërisht dhe politikisht, pasi e ka detyruar që në vend që të nxjerrë kthetrat siç tentonte të dukej si tigër, në fakt është strukur në shpellën e fisit të vet si urith, për të qenë i sigurt. 

Shkruan Mero Baze

Sali Berisha i dha fund dilemave të atyre që mendonin se kishte nisur një betejë për të bashkuar PD. Lista finale e të zgjedhurve në atë që ai e quan Këshill Kombëtar, është dëshmi e fortë e nevojës që ai ka për një familje të bashkuar rreth PD së tij dhe jo për një PD të bashkuar.

Lista e Këshillit Kombëtar, përveç nivelit banal politik, është një regjistër i gjendjes civile të Fisit Berisha dhe e shokëve të djalit dhe vajzës së tij.

Është e pazakontë se si në një listë të drejtuesve të PD të jenë bashkë: dhëndri, nipërit e tij, kushërinjtë e tij, mbesat, nunët e kushërinjve, sekretaret e tij, fëmijët e sekretareve, e deri tek shokët e djalit, administratorët e bizneseve të tij e kështu me radhë.

Kujdesi që gjithkush në atë sallë të jetë dikush që ka lidhje familjare, fisnore apo biznesi me familjen e tij, e bën përpjekjen e tij për të përçarë PD shumë domethënëse, pasi ka zbuluar makthin real që e mundon dhe e ka munduar nga PD e mëparshme, makthin e mungesës së besnikërisë.

Lulzim Basha përfundimisht e ka shkatërruar Sali Berishën shpirtërisht, mendërisht dhe politikisht, pasi e ka detyruar që në vend që të nxjerrë kthetrat siç tentonte të dukej si tigër, në fakt është strukur në shpellën e fisit të vet si urith, për të qenë i sigurt.

Fushata e tij kundër “besëprerit” në fakt, ka qenë makthi i tij dhe betimi që nuk do përsëritej më që rrotull tij të kishte njerëz me personalitetin e tyre, që i bashkonte një kauzë politike.

Kuvendi i sotëm i partisë së Berishës, është thjeshtë një gjest i bashkimit familjar, i përafërt me procedurat e bashkimit familjar që bëhen në konsullata kur familjet ndahen për arsye të ndryshme.

Dhe sot ai përveçse ka blinduar partinë e tij me nipa, mbesa, krushq, dhëndurë, nunër, shokë të djalit apo vajzës apo të punësuar të tyre, ka thirrur dhe disa emra, që ishin larguar nga PD, por që kthehen aty të mallëngjyer që nuk do ta bëjnë më atë gabim. Aq fanatik është treguar sa dhe njerëz që janë realisht me të dhe që kanë dhënë kontribute në keqkuptimet e tyre për Berishën, nuk janë përfshirë në listë fituese, se ndjehet i pasigurt.

Refuzimi historik i shumicës dërmuese të Grupit parlamentar të PD për t’iu bashkuar atij, qoftë dhe formalisht në Kuvend ishte me sa duket goditja celebrale që ja ka shtuar më shumë makthet. Nëse Enkelejd Alibej arriti të bëjë një platformë me 32 firma deputetësh kundër tij, pa Enkelejd Alibej dhe pa nxitjen e askujt, ai humbi 35 deputetë. Kjo do të thotë që kundër Berishës, PD punon vetë dhe nuk ka nevojë për liderë. Kurse kundër PD, Berishës i duhet të thërrasë fisin që ta mundë.

Si i tillë, ky Kuvend nuk vlen për të kuptuar ku do shkojë PD apo opozita, po vlen për të kuptuar makthet e Sali Berishës. Dhe me thënë të drejtën, për mua është shumë argëtuese kur shikoj se që paska pas kaq shumë makthe. Dhe që s’kanë për t’i ikur edhe pas kësaj.

Forum #Kuvendi i Bashkimit Familjar Mero Baze