
Kuvendi ka miratuar mes debatesh ndryshimet në qeveri. Me 76 vota pro dhe 32 kundër, Belinda Balluku u emërua zv/kryeministre duke zëvendësuar Arben Ahmetajn, ndërsa Mjalinda Dhuka është emëruar Kryenegociatore me BE, duke zëvendësuar në këtë post Zef Mazin. Opozita votoi kundër emërimeve, ndërsa dha votën pro shkakrimit të Ahmetajt, i cili mori 103 vota pro dhe 3 kundër.
Pas seancës, Dhuka e Balluku shkuan në Presidencë ku dhe bënë betimin, duke marrë zyrtarisht detyrat. Balluku ndërkohë do vijojë të jetë ministre e Energjisë dhe Transportit.
Seanca e sotme parlamentare u shoqërua me akuza e debate. Opozita kritikoi kryetaren e Kuvendit, e cila vendosi që seanca të mos shoqërohej me diskutime. Enkelejd Alibeja u shpreh se po shkelet rregullorja, pasi nuk mund t’i mbyllet goja opozitës.
“Ministrat nuk janë lojtarë basketbolli, heq një mbrojtës për të vendosur një sulmues. Janë njerëz të cilët marrin topin, që është fati i shqiptarëve. Nuk keni asnjë të drejtë tu hiqni të drejtën deputetëve dhe qytetarëve për të kuptuar se kush i qeveris. Pse po vijnë ato që do i qeverisin sot e mandej. Sot, tani në këtë seancë t’u ktheni Parlamentin deputetëve, shqiptarëve. Të dëgjojmë, të diskutojmë dhe të shqyrtojmë aktet e para të Presidentit të Republikës. Dje më thirrët në pikë të mëngjesit për një kërkesë nga autoriteti i dosjeve. Të pyeta çfarë është kjo. Është një iniciativë legjislative më thatë. Sa herë që ka kërkesa për ndryshime ligjore, autoriteti nuk ka të drejtën për të propozuar ndryshime ligjore. Ndërsa sot për çështjen më të rëndësishme, kontrollin e deputetëve, ju na hiqni të drejtën e fjalës. Që qeveria është private, e dinë të gjithë. Që Parlamenti të bëhet privati juaj, kjo është e papranueshme”, tha Alibeaj.
Pas tij e mori fjalën Sali Berisha. Ai e quajti një akt të pashembullt dhe vendim flagrant për të shkelur Rregulloren, mos lejimin e debatit ditën e sotme.
Gjithashtu lidhur dhe me shkarkimin e Ahmetaj nga posti i zv/Kryeministrit, Berisha ju drejtua kryeministrit, Edi Rama, me një mesazh duke u shprehur që s’ka rëndësi sa herë i ndryshon xhaketat, pasi sipas tij, asnjë lëvizje nuk e ndryshon dot faktin e vjedhjeve nga kjo qeveri.
“Vendimi për të shkelur në mënyrë flagrantë rregullore, u garanton në nenin e saj 110 pika 4, garanton debatin për programin dhe përbërjen e këshillit të ministrave. Ky është një akt i pashembullt. Një e drejtë e deputeti për debat në këtë parlament. Është një vendim që merret në kuadrin e minizmit të plotë të vendosur nga mazhorance e drogës dhe e krimit. I them Edi Ramës se çdo xhakete të veshësh dhe zhveshës asgjë nuk të heq qyrkun dhe vjedhësit dhe ti kërkon tu mohosh deputetëve të drejtën e fjalës. Sepse do u faktoni shqiptarëve se padrino e Ahmetajt e ka emrin tender begu Edi Rama”, u shpreh Berisha.
Ndaj tyre reagoi kreu i Grupit Parlamentar socialist Taulant Balla, i cili u shpreh se historikisht në këtë Parlament nuk janë shoqëruar me debate ndryshimet në qeveri.
“Kushtetua e miratuar në ’98-ën dhe rregullorja, ju ftoj që të gjeni një rast të vetëm që kur ka pasur ndryshime të pjesshme në qeveri, që të jetë zhvilluar debat. Edhe në 2007, kur Alibeaj zëvendësoi Rusmailin unë kërkova debat. Dhe kryetarja e asaj kohe dha sqarim se s’ka debat. Kjo është e mbyllur”, tha Balla.
Në fund po ashtu Nikolla u shpreh se rregullorja e Kushtetuta e ndalojnë debatin duke vijuar me votimin.