Qeveria socialiste dhe kryeministri Rama kanë formuluar nevojën e bërjes së shtetit në platformën qeverisëse, dhe si kryefjalë të punës e veprimit të përditshëm kanë sloganin “për Shqipërinë që duam”.
Shkruan Panajot Zoto
“Ky vend nuk bëhet”. “Nuk ka shtet…”. “Ku është shteti”? Janë këto formulime konsideratash për një çështje thelbësore të jetës së përditshme të çdo shqiptari, qysh prej gati tri dekadash. Pritja e gjatë për shtetin që duam për ta bërë këtë vend, ka qenë një kalvar i mundimshëm dhe, sikundër ndodhte me “pëlhurën e Penelopës”, ajo çka, ndër vite, bëhej për mirë, shembej sërish dhe… pas saj mbeste ëndrra, dëshira dhe natyrisht, shprehja “ky vend nuk bëhet” etj.
Në verën e vitit ’99, dy vite pas ngjarjeve të dhunshme të një viti që e çoi Shqipërinë në buzë të greminës dhe “largoi” për shkak të pasigurisë dhe “mungesës së shtetit”, dhjetëra mijë shqiptarë në emigracion, jam takuar me një grup syresh në sheshin qendror të Athinës, “Omonia”, (vend grumbullimi asokohe i emigrantëve), me qëllim pasqyrimin në gazetën ku punoja të problematikave, vështirësive që hasnin në tejkalimin e halleve të jetës së përditshme, etj.
Ishin të keqardhur për largimin nga vendi dhe, për më shumë, të pashpresë për një kthim të mundshëm. Edhe se Berisha kishte rënë nga pushteti dhe socialistët në pushtet premtonin për ndryshime dhe sundimin e ligjit në vend; për habinë time, shumica e bashkëbiseduesve ishin mosbesues, dhe e shprehnin mosbesimin hapur duke thënë se “Shqipëria nuk bëhet”.
Edhe më pas, në vitet 2004-2007, kur kam shkruar për çështje të ngjashme për jetën dhe shqetësimet e përditshme të tyre, shprehja “Shqipëria nuk bëhet” ishte po aty brenda subkoshiencës të secilit, si një pritmëri e paarritshme. Personalisht, edhe se ndër vite kam menduar dhe shpresuar të kundërtën, kam ndjerë zhgënjimin dhe ndjehem nën pushtetin e një gjykimi të tillë.
Togfjalëshi “Ky vend nuk bëhet” shpreh në vetvete jo thjesht përvoja njerëzore, gjykime subjektive dhe realitete të caktuara, por një rrugëtim shteti të brishtë. Shpreh përvoja qeverisëse, marrëdhënie të qytetarit me shtetin dhe shtetarët, me politikën dhe politikanët. Shpreh nivel shërbimesh ndaj qytetarit dhe raportet e tij me administratën e nëpunësit e shtetit. Shpreh shkallën e sigurisë për jetën dhe lirinë e shprehjes për çka secili mendon. Shpreh së fundi mosbesim te vetë institucionet e shtetit, etj…
Domethënia e fjalëve “bëhet” apo “nuk bëhet”, lidhet me vetë shtetin, i cili përflitet sa herë qytetarët nuk marrin shërbimin që duan, sa herë atyre u cënohet e drejta, sa herë ndjehen të kërcënuar nga krimi, sa herë bien pre e mashtrimit dhe mospërfilljes së zyrtarëve, sa herë detyrohen të blejnë drejtësinë, apo të japin ryshfet për të marrë një shërbim. Dhe thonë “nuk ka shtet”.
Qeveria socialiste dhe kryeministri Rama kanë formuluar nevojën e bërjes së shtetit në platformën qeverisëse, dhe si kryefjalë të punës e veprimit të përditshëm kanë sloganin “për Shqipërinë që duam”. Një Shqipëri ku të sundojë ligji dhe një drejtësi që garanton shtetin ligjor, ku gjithkush të marrë atë që i takon dhe të ndjehet i sigurtë në jetën e përditshme, i garantuar në përpjekjet për mirëqenien e tij dhe të familjes.
Reformat e ndërmarra, si ajo në sistemin e drejtësisë (veçanërisht), në administratë, ekonomi dhe jetën sociale, i shërbejnë qëllimit për të bërë një shtet më të mirë dhe në funksion të qytetarëve dhe Shqipërisë, atdheut tonë, një vend ku jetohet më mirë dhe të besueshëm deri te më skeptikët, se mund të bëhet siç e duam vërtet. Kjo është sfida!
Por qeveria është vetëm një skalion (ndonëse kryesori) në “ushtrinë” e madhe që duhet të angazhohet në “betejën” për fitoren e luftës për “Shqipërinë që duam” dhe shtetin ligjor. Politika ka rolin e vet dhe siç e shohim përditë, ajo më shumë se në angazhimin për arritjen e këtij misioni dhe objektivi përmes mbështetjes së përpjekjeve në zbatim të reformave, kacafytet dhe përfshihet në debate shterpë e konflikte, duke nxitur gjithnjë e më shumë mosbesimin te qytetarët.
Edhe faktorë mediatikë, individë e grupime të ndryshme të shoqërisë civile, intelektualë me profile politike në krah të opozitës, e gjejnë veten në këtë skalion “anti”, duke mohuar gjithçka, çdo produkt pozitiv të punës së qeverisë dhe veç kritikave objektive, që do ti bënin mirë qeverisjes, u bashkohen disa pseudokauzave, duke i shtyrë ditët me beteja politike pa sens.
Thënë këtë, nuk mund të mohohen problemet që janë sheshit dhe përgjegjësitë individuale apo kolektive të maxhorancës qeverisëse. Dobësitë dhe përgjegjësitë e institucioneve, të deputetëve, shtetarëve dhe administratës në përgjithësi. Shqiptarët, dhe jo vetëm ata që votuan për këtë mandat qeverisës, janë në të drejtën e tyre të kërkojnë më shumë nga kjo qeveri. Ata, siç shkruante në editorialin e vet një prej gazetave më serioze që botohet sot, kërkojnë që qeveria, vetë kryeministri, strukturat shtetërore përkatëse, të jenë në luftë të përditshme me të keqen, ta ndëshkojnë atë brenda e jashtë vetes. Me të drejtë kërkojnë që qeveria ti ketë më në vëmendje dhe ta hedhë vështrimin më shpesh e më shumë në shtresën më vulnerabël të shoqërisë: ta kthejë kokën dhe ti ketë më në konsideratë njerëzit e thjeshtë, me hallet dhe problemet e tyre, dhe me pak nga ata që pasurohen nga puna dhe taksat e votuesve që e sollën në pushtet.
Po, në ç’raporte janë këto kërkesa me realitetin? Përgjigjen e pyetjes e gjen në biseda me njerëzit, e japin eksperiencat e hidhura të tyre në marrëdhënie me nëpunësit e shtetit, në shërbimet që kërkojnë e(s) marrin, në mënyrën se si vlerësohen dhe si u tërhiqet mendimi, etj. Platforma “shqiperiaqeduam…”, është një përvojë pozitive, por jo gjithçka në përpjekjet dhe misionin shtetbërës. Objektivi është ende larg, pasi ende këto problematika gëlojnë në përditshmërinë tonë si qytetarë.
Nuk mund të ndihesh mirë dhe të thuash se ky është shteti që duam, kur dëgjon psh, se ndonjë deputet socialist mbështet klane të caktuara dhe mban në krah elementë që nuk gëzojnë respektin e qytetarëve. Kur emërohen me “vulën” e deputetit, drejtues në institucione dhe zyrat e shtetit jo të aftit, profesionistët e fushës, por partiakët, individë pranë deputetit a ministrit, të cilët ngjiten në karrierë vetëm se “kanë financuar fushatën”. Nëse do të vazhdohet me këtë mentalitet berishist, rruga drejt shtetit që duam do jetë më e lodhshme dhe e largët. Dhe kjo është përgjegjësi.
Në administratën shtetërore janë bërë ndryshime cilësore dhe përmirësime serioze, por ende qytetari nuk e shikon atë (administratën) si subjekt në shërbim të tij. Nga ana tjetër, administrata, njerëzit që punojnë atje, në të gjitha nivelet, nuk po e kuptojnë se janë shërbëtorë, ndaj vazhdojnë ti shikojnë qytetarët nga lart, dhe jo rrallë, në emër gjoja të rregullave, i sorollatin siç ndodh në nivele të larta të saj. Të duhet, për të zgjidhur një problem, një takim me drejtorin apo sekretarin e përgjithshëm (s’po flas me ministrin) të ministrisë (çfarëdo ministrie), duhet një kërkesë me shkrim si fillim dhe takimi mund të mundësohet ditë më vonë. Nëse je nga Korça, Shkodra, Kukësi a Saranda, të duhet të udhëtosh dy tri herë drejt Tiranës për të mbaruar punë. Nëse jo, kuptohet. Nëpër dhëmbë nevojtarët shajnë e pëshpëritin: “Hajde, hajde… shtet”!
Nëpunësit e bazës janë edhe më sqimatarë. Ka prej tyre (dhe jo pak) që sillen pa etikë dhe qytetarëve që kërkojnë shërbime u qëndrojnë hundë e buzë, me një sjellje që tregon mospërfillje e mungesë vullneti për sqarim dhe për t’u dhënë atyre në kohë e cilësisht, shërbimin e kërkuar. Kuptohet, gjithçka që duhet korigjuar e përmirësuar është detyrim e përgjegjësi për qeverinë, një nevoje dhe domosdoshmëri për të pastruar trupin e shëndoshë nga çibanë të tillë, që bezdisin njerëzit, duke i shtyrë në pabesueshmëri e në pashpresë për shtetin që duan.
Veç, për këtë shtet dhe këtë vend kanë detyrime për ta bërë dhe vetë qytetarët. Respektimi dhe kërkesa për zbatimin e ligjit është kriteri matës i kontributit të secilit në forcimin e themeleve te godinës –shtet për Shqipërinë që duam. Indiferenca ndaj shkelësve të ligjit dhe së keqes siç shpesh ndodh, nuk të çon askund. Përkundrazi. Nuk do isha dakord me ata qytetarë që heshtin, psh, me F. E., apo S. T., e ndonjë tjetër, banor të Sarandës dhe Ksamilit, që të thonë (në konfidencë. “E mo, ku e keni administratën e pastër…”?
“I dhashë 8 mijë euro drejtorit që mora dokumentin”. “I dhashë milionat filanit që mora lejen e ndërtimit”, etj. Pse nuk denoncohen këto e të tjera raste? Vështirë se mund të të zgjidhet kërkesa pa ua ngrohur xhepat atyre-thonë qytetarët. Janë pikërisht kjo kategori qytetarësh që ushqen korrupsionin dhe zhvlerësojnë reformat e përpjekjet për sundimin e ligjit, që mban gjallë frymën e mohimit të atyre “skalioneve” që akuzojnë e flasin përditë për mungesën e shtetit dhe thonë se “ky vend nuk bëhet”.