Aktualitet26 Prill 2019, 09:36

La ëndrrën amerikane për Shqipërinë, të vërtetat e Rudina Hajdarit

Shkruar nga Pamfleti
La ëndrrën amerikane për Shqipërinë, të

La ëndrrën amerikane për Shqipërinë, të vërtetat e Rudina Hajdarit

E ndërgjegjshme për mangësitë dhe kufizimet për shkak të shkëputjes nga Shqipëria dhe ndoshta edhe të moshës, me sinqeritet ajo pranon se është më mirë “të ketë të meta në komunikim se sa të thotë gënjeshtra”.

Nga Lutfi Dervishi

Rudina Hajdari është një politikane e re që tre vjet më parë la ëndrrën amerikane për një ëndërr shqiptare.Thotë se është ëndrra e lënë në mes nga babai i saj Azem Hajdari, lideri i lëvizjes së dhjetorit dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike.

Ka vetëm një angazhim dy vjeçar në politikë, dhe gjysmën e të cilit, vitin e parë, e ka konsumuar për të vëzhguar dhe mësuar.

Deklarimet dhe lëvizjet e saj politike megjithëse të rralla kanë qenë befasuese dhe të paparashikueshme. Në 8 dhjetor deklaroi në sheshin “Demokracia” në qytetin Studenti se ishte gati të digjte mandatin për kauzën e studentëve. 5 ditë më pas nga foltorja e Kuvendit drejtoi gishtin akuzues për gjendjen e tyre nga të dy krahët e sallës së Parlamentit.

Në 3 janar të këtij vit tha se nuk pret ndonjë gjë të madhe për 2019.

Por ngjarjet e tejkaluan shpejt këtë parashikim. Sot ajo është një nga dy deputetët e PD-së që nuk pranoi t’i nënshtrohej vendimit të forumeve të PD-së për t’i djegur mandatet dhe për të braktisur Parlamentin.

E ardhur nga një përvoje shkolle dhe pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku nocioni i disiplinës partiake është i huaj, ajo preferon më mirë truizmin (të vërtetën) se sa lojëllti (besnikërinë).

E ndërgjegjshme për mangësitë dhe kufizimet për shkak të shkëputjes nga Shqipëria dhe ndoshta edhe të moshës, me sinqeritet ajo pranon se është më mirë “të ketë të meta në komunikim se sa të thotë gënjeshtra”.

Me dëshirën për të bërë gjëra të mira dhe të mëdha, ajo guxoi t’i bëj ftesë dy krahëve të politikës të ulen në një tavolinë dialogu për të zgjidhur krizën!

Politikania e re artikulon qartë se çfarë duhet ndryshuar, por nuk është shprehur po aq qartë se si arrihet tek ndryshimi.

Rudina Hajdari shpesh thotë se do që të sjellë një model të ri, një frymë të re në politikë. Fundjava e Pashkëve u përmbyt nga lajmet për lindjen e një force të re politike: “Bindja Demokratike” me të cilën u lidh edhe emri i saj.

U fol shumë për të këto 3 ditë në një kohë që ajo vetë nuk bëri asnjë deklaratë. A është ky tregues i një shprese të madhe? Të shumta ishin ndaj saj dhe kritikat e sulmet- shenjë kjo e një frike të madhe?

A është Rudina Hajdari një yll në ngjitje i politikës shqiptare apo një meteor i radhës?

Në kulmin e krizës politike ajo ka thënë se është koha për të thënë të vërteta të mëdha.

Forum Lutfi Dervishi Rudina Hajdari