Përfundon supersfida e javës së 8 në Serinë A. Lacio ka shkatërruar Interin në “Olimpico”, duke triumfuar në shifrat e pastra 3-1, por nga ana tjetër është hakmarrë edhe ndaj ish-trajnerit Simone Inzagi, i cili këtë sezon drejton kampionët e Italisë. Miqtë gjetën golin në minutën e 12 me Ivan Perisiç nga pika e bardhë e penalltisë. Barela fitoi 11-metërshin pas një gafe nga Hysaj.
Vazhdon periudha negative e mbrojtësit kuqezi. Pas gabimeve me kombëtaren, edhe në Serinë A nuk është se gjërat po shkojnë mirë. Mbrojtësi kuqezi ka ndërhyrë me vonesë te topi që ishte prekur nga Barela, duke e penguar në rënie mesfushorin e Interit.
Pasi VAR-i pa situatën, konfirmoi vendimin e gjyqtarit. Perisiç nuk gaboi nga pika e bardhë.
Në minutën e 64, Ciro Imobile barazoi shifrat për Lacion nga pika e bardhë e penalltisë. Në minutën e 81, bardhekaltërit përmbysën gjithçka në favor të tyre. Dimarko u dëmtua, por bardhekaltrit vazhduan aksionin dhe shënuan me Felipe Anderson. Ky i fundit u sulmua menjëherë nga lojtarët e Interit, duke bërë që në fushë të shpërthejë kaosi.
Milinkoviç Saviç i dha goditjen e fundit Inzagit, duke shënuar golin e tretë dhe të nokautit. Sarri arrin të marrë një fitore shumë të rëndësishme, duke mundur kampionët e Italisë në një ndeshje mjaft të luftuar.