Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj rezultoi pozitiv me COVID-19 disa javë më pare duke shkaktuar frikë për gjendjen e tij shëndetësore. Mirëpo, mesa duket gjithçka po kalon me sukses. Lajmin e mirë e ka bërë të ditur vet Brataj me një postim në rrjetin social Facebook.
Brataj shkruan se ia ka dalë falë mbështetjes, terapisë, dëshirës dhe vullnetit për ta mposhtur COVID-19, për të cilin thotë se tani e njohin më mirë se një muaj më parë.
“Një falënderim të gjithë JUVE, që asnjëherë nuk më keni lënë vetëm në këto ditë të sëmundjes, izolimit dhe karantinës. E di që nuk kam mundur t’ju përgjigjem dot të gjitha mesazheve tuaja sepse janë të shumta, prandaj ju falënderoj dhe ju vë në dijeni se gjendja ime shëndetësore është më e mirë dhe shpresoj të jetë negative prova e tamponit. Unë mendoj se ja dola falë mbështetjes tuaj, terapisë, dëshirës dhe vullnetit që kam për ta mposhtur COVID-19.
GATI, për të rifilluar përsëri betejën me këtë armik të padukshëm, por që tani e njohim më shumë se një muaj më parë, kur u paraqit para nesh. Nëse ka pasur shprehje që nuk e kam duruar që kur jam kthyer, është shprehja e famshme: NUK BËHET, pa e ditur për çfarë problemi flitet, për çfarë pune, pa e pasur idenë ose kompetencat profesionale!
Duke ju përveshur punës, ne krijuam një shërbim të pazëvendësueshëm, siç është ai i urgjencës, të cilin shumë prej jush e kanë provuar në këto tre vitet e fundit. NUK KA GJË QË NUK BËHET, luftë që nuk fitohet, por duhet shumë shumë punë, shumë shumë durim, shumë shumë bashkëpunim dhe mirëkuptim nga të gjithë“, shkruan në Facebook drejtori i Urgjencës kombëtare, Skënder Brataj