
Lamtumirë Edi Reja! Trajneri shqiptar merr “timonin” e kombëtares, "Wikipedia" po ‘çmend’ tifozët (Foto)
Shqipëria mësoi sot grupin eliminator për kualifikueset e “EURO 2024”, teksa fati i buzëqeshi kuqezinjve, pasi do të luajnë në një grup me 5 ekipe, ku bëjnë pjesë Polonia, Çekia, Ishujt Faraore dhe Moldavia.
Por teksa shorti ishte pozitiv dhe po aq pozitive janë edhe performancat e legjionarëve në klubet e tyre në Europë, stoli i kombëtares nuk ka qetësinë që të gjithë do të donin.
Edi Reja është një trajner në largim, pasi në nëntor i skadon kontrata me FSHF-në dhe të gjithë do të donin një fytyrë të re si “timonier” të kuqezinjve.
Emri që po përflitet është ai i Ilir Dajës, tekniku që po shkruan historinë me ekipin e “Ballkanit” nga Suhareka, me 4 pikë në grupin e tyre në Ligën e Konferencës.
Fansat e futbollit e kuotojnë Dajën si favoritin dhe njeriun e duhur për të pasuar Rejan në stol dhe duket se portali i njohur i informacioneve, “Wikipedia” i ka dëgjuar thirrjet e tyre.
Në versionin italisht dhe atë anglisht, portali shkruan se trajneri i Kombëtares nuk është më tekniku italian, por Ilir Daja.
“Panorama Sport” ka siguruar një foto të asaj që mendohet të jetë një gabim nga ana e “Wikipedia”, pasi ashtu siç dihet çdo kush mund të shtojë informacione në këtë faqe.