
Lara Kolturi bën histori në Botërorin e skive, e 27 në sllallomin gjigant në Amerikë, merr pikët e para në Kupën e Botës (Video)
Nga SHBA-ja e largët vijnë rezultate të jashtëzakonshme për ngjyrat kuqezi të sportit të skive ku po zhvillohet një nga kampionatet ndërkombëtare në Killington. Skiatorja me origjinë italiane e natyralizuar në shqiptare, Lara Kolturi, vetëm 16 vjeç ka bërë historinë duke u renditur në vendin e 27 dhe duke fituar kualifikimin për në raundin tjetër.
Ajo bëri një paraqitje mjaft të mirë në pistën amerikane. Në zbritjen e parë dha kohën 54”83, duke arritur të kualifikohet për në zbritjen e dytë, ku garojnë më të mirat.
Në zbritjen e dytë, Kolturi dha kohën 51”13, ndërsa në total ajo dha kohën 1’45”96, duke u klasifikuar në vendin e 27. Pas kësaj gare, skiatorja shqiptare grumbulloi 14 pikë, të parat në karrierën e saj në Kupën e Botës dhe në këtë disiplinë. Dy javë më parë, Lara Kolturi garoi në pistën e Levi, dy herë në disiplinën e sllallomit, por pa mundur të hyjë në zbritjen e dytë.
Kujtojmë se cirkuiti i Kupës së Botës do të rikthehet më pas në Sestririere të Italisë në datat 10-11 dhjetor, ku për Larën do të jetë një emocion i veçantë, pasi ajo stervitet dhe jeton në atë anë të Italisë, por kësaj rradhe do të përfaqësojë ngjyrat kuq e zi.