Editorial19 Nëntor 2022, 10:39

 “Larvat” e Arvizu janë bërë “peshq”, Shqipëria çdo ditë e më keq

Shkruar nga Pamfleti
 “Larvat” e Arvizu janë bërë

 “Larvat” e Arvizu janë bërë “peshq”, Shqipëria çdo ditë e më keq

Prandaj erdhi Alexandër Arvizu, të shohë si ja kanë trajtuar “krimbat”. Ata jo vetëm nuk kanë ngordhur, por janë bërë “peshq” të mëdhenj, sa Arvizu u ngjan kafshatë e vogël.

Shkruan Sokol Pepushaj

Ku janë fshehur hajdutët, more aman?

Të gjithë po i kërkojmë dhe asnjëri nuk shkon aty ku kanë paratë, pronat, gjënë e vjedhur. Ose andej nga rritën barkun “krimbat” e Alexandër Arvizu, tek vilat, resortet, dyqanet, bankat, në oborre ku ndezin makinat dy marmitëshe, kudo është vjedhur djersa e shqiptarëve

Prandaj erdhi Alexandër Arvizu, të shohë si ja kanë trajtuar “krimbat”.

Ata jo vetëm nuk kanë ngordhur, por janë bërë “peshq” të mëdhenj, sa Arvizu u ngjan kafshatë e vogël.

“Peshqit” kanë rrethuar Bablokun, Ambasadoren, Sali Berishën, Ilir Metën dhe i kënaqin me spektakle, sa ata vetëm qeshin e nganjëherë përqeshin njëri-tjetrin.

Arvizu e di se Delfinët shoqërojnë Diellin në mbrëmje, sa duket se peshqit po mbyten në ujë andej nga perëndon. 

Kështu ka ngjarë, krimbat e Arvizu, kanë mësuar notin, kanë bërë operacione të shtrenjta, janë bërë “peshq”.

Edhe Sali Berishën tashmë e kanë matrikulluar “peshk” ‘non grata’.

Arvizu u interesua për të. I thanë se nuk i lejohet të notojë në Atlantik. Ai qeshi dhe shpjegoi se asgjë s’paskeni bërë, më keq se ju lashë jeni, “Peshqit” nuk janë krimba, ata notojnë e nuk pyesin fare.

Për hapësira dhe pasuri po zien gjithë bota.

Edhe në “Shtëpinë e Bardhë” ka bërë reaksion korrupsioni.

Reaktive nga kundërveprimi i detyrueshëm po “fluturon” edhe Monika Kryemadhi nëpër koshat e plehrave, ku shtiret se po kapë “Peshq” të mëdhenj; jo më Saliu, Iliri dhe Edi që janë specialistë mashtrimi.

Mona po tërheq vëmendjen me flamurin anti- korrupsion, ku ka ndezur “bishtukët” në çdo kosh mbeturinash, nga Tirana e deri në Fier, ndërkohë që ambasadorja Yuri Kim dhe Edi Rama nuk dihet në cilin kosh kanë “fshehur” kokën, se nuk po ndihen fare.

Jemi pra, nëpër këtë realitet ku pak kujt nuk i bie ndërmend të pyesë, po pasuritë e Monikës ç’janë e ku janë?

Mona i ka shitur disa vila dhe ka bërë një listë me dhuratat prej 30 vitesh. Ka gjetur shumë fukarenj të vdekur që na ju paska marrë deklarime se njëri i ka falur 50 000 dollarë, tjetri 30 000 e pastaj prona e banesa pa fund, si tjerët.

Por meqë ndeshja është mes hajdutëve, llogaritë bëhen krejt ndryshe.

Në këtë fushë mashtrimi, bëjnë edhe fushatën për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Mashtrimin që njëra palë i bën palës tjetër. Mes dy zjarreve janë personazhet e biznesit, të trafiqeve, të drogës. Vota pra nuk do të jetë as këtë radhë produkt vullneti, por amoraliteti dhe interesi.

Si po luhet loja?

Rama ka skuadrën e qyfyrexhinjve e interesaxhinjve, Erion Veliaj të patronazhistëve e Yuri Kim- istëve, Saliu “batalionin” e dhunshëm për beteja luftarake, Iliri mercenarë e jeniçerë sa i del për hunde këtij vendi të vogël rrëmuja e mundshme.

Po kaq seriozisht e kanë marrë shëndoshjen e sektorit më delikat, korrupsionin, edhe prokurorët e SPAK-ut dhe mediat, veçmas ata gazetarë që kanë vila e pasuri të çmendura.

Meqë shqiptarët janë të ftohtë e po rritet partia e abstenuesve, do thotë se pushtetarët janë kapur në tejkalim kompetencash, në shkelje të vijave të kuqe, në përvetësim të fondeve publike.

Të tërë janë në një udhë, kanë të njëjtën trajektore, nguljen e flamurit në “kap ç’të kapësh”. Shtiren se kanë zënë pozicionet delikate anti korrupsion. Në konferenca shtypi, televizione e deri para pilafit, militantëve u bëjnë sytë xixa. Secili ka interes të ngrejë lart hajdutin e vet. Ja edhe në koshat me plehra medemek po bëhet nami dhe asgjë përveçse Monika kërkon hajdutë me “bishtuk” dhe ‘krimbat’ e Arvizu janë bërë peshq, Shqipëria çdo ditë e më keq. / Pamfleti

Editorial # “Larvat” e Arvizu janë bërë “peshq” #Shqipëria çdo ditë e më keq