
Leari prej Kukësi, si Jezusi prej Nazareti: “Fali o Zot vrasësit e mi, se kanë fëmijë për të rritur”!
Sot pas 2000 vitesh vrasjet janë më mizore, por mesazhi është i njëjtë….
Shkruan Sokol Pepushaj
Komisioni i Sigurisë Kombëtare u mblodh për të zbuluar kush e vrau Lear Kurtin. Drejtori i policisë Muhamet Rrumbullaku, i futi “vrasësit” në rrumbullak, se për atë punë paguhet nga taksat e shqiptarëve, edhe të vetë Learit deri sa shpirti i tij “fluturoi” në Qiell, atje ku do ta presë një ditë vrasësin e vet.
Në sallën e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ata që kanë fatin dhe jetën e qytetarëve në dorë, as japin, as kanë ndërmend të japin emër vrasësi.
Ata nuk janë në gjendje as të numërojnë milionat e dollarëve të veta, larg qoftë të marrin përgjegjësitë e detyrës shtetërore, të zbatojnë ligjin, të ndalojnë vrasjet pa gjyq të qytetarëve të pafajshëm.
Po çfarë dihet për tragjedinë?
I riu 32 vjeçar nga Kukësi, po ecte rrugës në punë të vet, në Tiranë. U arrestua nga policia, pa asnjë akuzë. Ashtu e humbi edhe jetën, pa asnjë arsye, asnjë shpjegim, asnjë pamje, megjithëse policët, makinat, ambientet, ligji i detyron të kenë kamera, apo nuk janë tërhequr paratë për atë shërbim?
Ndoshta nga Edi Rama qe frymëzuar Perandori romak Tiberius. Perandori urdhëroi Muhamet Rrumbullakun e vet, prefektin Pons Pilat, për të vrarë një të ri 33 vjeç.
Edhe Jezu Krishti prej Nazaretit, po ecte rrugës në punë të vet, në Jerusalem, kur u arrestua. As akuzë, as arsye, por fund tragjik si Leari pati.
As Jezusi, as Leari s’ishin vendas.
Leari vinte nga Kukësi në Tiranë, Jezusi nga Nazareti në Jerusalem. Të dy kërkonin ekonomi më të mirë.
Jezusi para se të vritej u akuzua nga guvernatori i Perandorisë Pons Polati si “rebel” kundër Romës, apo jo?
Po Lear Kurti?
Këtij ju lexua akuza pas vdekjes. Polici Muhamet Rrumbullaku, por edhe mediat, thonë se përveçse “rebel” kundër Rilindjes së Edi Ramës, ishte edhe përdorues droge dhe vetëvrasës.
Sa për fakte, këta nuk gjejnë as drogën që i “gjetën” në stomak, as kanë fakte sa herë ishte vetëvrarë.
Të vetmet fakte që dihen botërisht, janë vdekja e tmerrshme, e ngadalshme, si e Jezusit.
Leari u vra më barbarisht se Jezusi.
Nuk e lanë aty në kryq të kryqëzimit të Tiranës, ta shohë edhe populli, edhe diplomatët e huaj, që të flitet diçka e të shkojnë para drejtësisë katilët që nën autoritetin e shtetit vrasin fëmijët e qytetarëve, pastaj me ato duar përkëdhelin fëmijët e vet.
Këta katilë, të pajetë e morën kurmin e Lear Kurtit dhe e plasën në spital të traumës. Mjekët dolën tek dera, i matën pulsin, nuk kishte jetë.
Me vulë e firmë plotësuan dokumente zyrtare që ai është i vdekur dhe policia e ka sjellë kot.
Ky dokument duhet t’u përcillet sot ambasadave e të çimentohet në konturet e historisë, se është shteti vrasësi, apo jo?
O kemi histori, o mrekulli, flitni?
Dikush mendon se mjekët tanë, pasi Leari kishte vdekur, e ringjallën.
Pamjet nga spitali, ku Leari i vdekur disa orë më parë po merrte ilaçe, kanë mbushur gjithë eterin e rrjeteve sociale.
Madje jo vetëm që ishte i gjallë, pasi u dha lajmi zyrtar se ka vdekur, por u pa i lidhur me pranga për hekura të krevatit.
Sot pas 2000 vitesh vrasjet janë më mizore, por mesazhi është i njëjtë.
Kur Jezu Krishti prej Nazareti që u vra në Jerusalem la postulatin “Fali o Zot se nuk dinë ç’ka bëjnë”, kush e mendonte se Lear Kurti prej Kukësi, i vrarë në Tiranë, do lutej, “Fali o Zot vrasësit e mi, se kanë fëmijë për të rritur”!/Pamfleti