Për ata që kanë dyshime në seriozitetin e vendimit amerikan për shpalljen e Sali Berishës ‘non grata’, i është përgjigjur në mënyrë shteruese Sekretari i Shtetit Antony Blinken. Përgjigja zyrtare i është drejtuar kongresmenit republikan, Lee Zeldini, i cili kërkonte informacion të detajuar për procesin e ndjekur për shpalljen ‘non grata’ të Sali Berishës.
Përmes një letre, Sekretari Blinken deklaron se Berisha ka qenë i përfshirë në korrupsion madhor në kohën kur ishte në krye të Shtetit.
Sipas DASH, Berisha ka keqpërdorur fondet publike, ka përdorur pushtetin për përfitime personale dhe për të fuqizuar ekonomikisht bashkëpunëtorët e tij politikë, si edhe anëtarët e familjes së tij, në kurriz të mbështetjes së popullit shqiptar.
Në sqarimin e Blinken, theksohet se për futjen e Berishës në listën e zezë amerikane, DASH i është referuar informacioneve të deklasifikuara, pra nga shërbimet inteligjente.
Shuplaka tjetër për Berishën nga SHBA, është se kjo e fundit konstaton se pas vendimit, Berisha po përpiqet të mbrojë veten dhe familjen, duke mos i lënë vend drejtësisë të thotë fjalën e saj.
Gjithashtu, Sekretari Blinken thekson se arsyet për shpalljen ‘non grata’ të Berishës, dihen ndërkombëtarisht, pasi kanë qenë pjesë e raportimeve të mediave vendase dhe të huaja, si edhe pjesë e shumë hetimeve.
Me pak fjalë, dosja e Berishës është voluminoze, dhe është koha që drejtësia të nisë shfletimin e saj, pasi Berisha nuk mund ‘t’ja hedh paq’ për krime që meritojnë ndëshkim.
Kjo letër e Sekretarit amerikan Antony Blinken është edhe sinjal i qartë për drejtësinë shqiptare, që të marrë të pandehur Sali Berishën, e më pas të japë llogari edhe familja e tij, gjithashtu ‘non grata’.
Letra e plotë e Blinken:
I nderuar zoti Zeldin:
Faleminderit për pyetjet tuaja gjatë seancës dhe letrën tuaj të 7 qershorit, në lidhje me emërtimin publik nga Sekretari, të ish-Presidentit të Shqipërisë, ish-Kryeministrit të Shqipërisë dhe deputetit aktual të Shqipërisë Sali Berisha, sipas nenit 7031(c) të Departamentit, i Aktit të Përvetësimeve të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Përafërta, 2021 (Seksioni 7031(c)), për përfshirjen e tij në korrupsion të rëndësishëm gjatë kohës që ishte zyrtar publik. Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken e kanë bërë prioritet luftimin e korrupsionit në nivel global, duke përdorur të gjitha autoritetet ligjore në dispozicion të tyre. Seksioni 7031(c) është një mjet unik i fuqishëm që është përdorur shpesh që nga fillimi i tij në 2008, sepse emërtimet në përputhje me të mund të shpallen publikisht. Si një autoritet ligjor i detyrueshëm, seksioni 7031(c) kërkon nga Sekretari, ose i emëruari i tij ose i saj, të caktojë publikisht ose privatisht zyrtarë të qeverive të huaja, si dhe anëtarët e ngushtë të familjes së tyre, kur ka informacion të besueshëm se zyrtari ka qenë i përfshirë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, në korrupsion të konsiderueshëm, për sa kohë që aktet kualifikuese kanë ndodhur në kohën kur individi ka qenë zyrtar publik.
Informacioni i besueshëm mund të përfshijë të gjitha informacionet burimore të deklasifikuara ose jo, duke përfshirë raportimin e besueshëm të medias, raportimin e shoqërisë civile, raportimin e Departamentit dhe ndërinstitucional, informacionin e qeverisë së huaj dhe çdo burim tjetër informacioni që konsiderohet i besueshëm nga Departamenti. Lidhur me shpalljen ‘non grata’ të z. Berisha, Departamenti mund të konfirmojë se ka ndjekur procedurat e vendosura për të përcaktuar se ai ka qenë i përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm, në kohën kur ai ishte zyrtar publik. Kjo përfshin një rishikim të plotë dhe të detajuar nga të gjithë aktorët e politikave të Departamentit, duke përfshirë byronë përkatëse rajonale, si dhe një rishikim ligjor nga Zyra e Këshilltarit Ligjor të Departamentit.
Së fundmi, lidhur me arsyen e vendimit, përfshirja e zotit Berisha në korrupsion të konsiderueshëm ndodhi gjatë mandatit të tij si Kryeministër i Shqipërisë dhe përfshinte shpërdorim të fondeve publike dhe ndërhyrje në procese publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimin e tij dhe për pasurimin e tij, aleatët politikë dhe anëtarët e familjes së tij, në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë. Për më tepër, siç vuri në dukje Sekretari, vetë retorika e zotit Berisha tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies.
Disa nga aktivitetet specifike korruptive të zotit Berisha janë raportuar gjerësisht në mediat shqiptare dhe ndërkombëtare dhe raportime të besueshme hetimore. Faleminderit përsëri për interesimin tuaj në këtë përcaktim dhe zbatimin nga Departamenti të Seksionit 7031(c). Departamenti pret që të vazhdojë të punojë me ju për të forcuar koordinimin dhe komunikimin ndërmjet Departamentit dhe Kongresit, duke përfshirë interesin tonë të përbashkët në luftimin e korrupsionit dhe identifikimin e aktorëve të korruptuar globalisht.