Liderët rajonalë mund ta drejtojnë Ballkanin e Hapur në pista që nuk janë të kontrollueshme nga perspektiva e politikës së zgjerimit të BE-së dhe as të dedikuara për sundimin e ligjit. Dhe në fakt kjo është dëshira dhe ëndrra e disa liderëve ballkanikë, të cilët duan të shiten si bashkëpunues në mes veti, por përjashtues ndaj legjitimimit të Kosovës si shtet dhe ndaj standardeve evropiane, përfshi edhe sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit e korrupsionit.
Shkruan Emin AZEMI
Për tu vërtetuar se Ballkani i Hapur që është inicuar nga Aleksandar Vuçiqi, është një iniciativë e dyshimtë që synon të mbaj sa më larg frymën evropiane në rajon, flet sjellja e presidentit serb në Samitin e BE-së që po mbahet në Bruksel. Ai e përsëriti se nuk do ta njeh asnjëherë pavarësinë e Kosovës dhe për dallim nga Edi Rama, me të cilin takohet me shumë kënaqësi, ai po iu ikë takimeve me Presidenten Vjosa Osmani. Pra, Vuçiqi nuk don të ketë punë me politikanët e Kosovës, sepse është i bindur se ata mund të nënshtrohen kollaj duke përdorur si vegël Edi Ramën.
Vuçiqi i mëshon fort iniciativës së Ballkanit të Hapur, sepse është i bindur se me këtë do të arrij ta mbaj sa më larg Kosovën nga proceset eurointegruese, kurse Serbia do të bëhej njëfarë piemonti i bashkëpunimeve rajonale, por pa kurrfarë garancie nga BE.
Disa ekspertë tërheqin vërejtjen se Ballkani i Hapur nuk është i lidhur me asnjë standard të BE-së, ndryshe nga Procesi i Berlinit, i cili ka standarde të vendosura nga ‘acquis communautaire’, apo legjislacioni i BE-së. Ballkani i Hapur mund edhe të bjerë ndesh me Procesin e Berlinit, meqë fushëveprimi i të dyja iniciativave në shikim të parë është i njëjtë, por ajo që krijon diferencën është mungesa e garancisë për standardet e BE-së, sfidë kjo që i shqetëson ideatorët dhe iniciatorët e Ballkanit të Hapur.
Për rrjedhojë liderët rajonalë mund ta drejtojnë Ballkanin e Hapur në pista që nuk janë të kontrollueshme nga perspektiva e politikës së zgjerimit të BE-së dhe as të dedikuara për sundimin e ligjit. Dhe në fakt kjo është dëshira dhe ëndrra e disa liderëve ballkanikë, të cilët duan të shiten si bashkëpunues në mes veti, por përjashtues ndaj legjitimimit të Kosovës si shtet dhe ndaj standardeve evropiane, përfshi edhe sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit e korrupsionit.
Liderët e Ballkanit të Hapur i urrejnë reflektorët e BE-së. Ata duan të jenë shumë të përzemërt në mes veti, por tepër skeptikë ndaj politikave evropiane eurointegruese. Kjo u vërejt edhe në prag të Samitit të BE-së në Bruksel, ku liderët e Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisël së Veriut u munduan të demonstrojnë njëfarë karshillëku ndaj Brukselit, duke dashur të imponojnë gjoja unitet qëndrimesh e eveprimesh. Por pikërisht ky samit dëshmoi se Ballkani Perendimor nuk mund të bëj asnjë hap përpara pa vullnetin dhe gatishmërinë e BE-së. Vetoja bullgare që po rri varur mbi qafën e këtyre shteteve, asnjëherë nuk mund të hiqet pa presionin e liderëve evropianë, prandaj na duket donkishotizëm i paparë naiviteti i Ramës i cili i ka varur të gjitha shpresat te Vuçiçi sa i përket perpsketivës rajonale të Shqipërisë. Në vend se të angazhohet për përparimin e procesit eurintegrues të vendit të tij dhe të lobojë në favor të Kosovës, Edi Rama merret me Bullgarinë duke u bërë kështu avokat i Maqedonisë, një detyrë kjo që askush nuk ia ka kërkuar./ Pamfleti