Aktualitet 9 Mars 2022, 12:16

Ligji ndalon mandatimin e fituesve Bardh Spahia në Shkodër e Rahim Spahiu në Dibër; Nuk janë banorë të bashkive

Shkruar nga Pamfleti

Ligji ndalon mandatimin e fituesve Bardh Spahia në Shkodër e Rahim Spahiu në Dibër; Nuk janë banorë të bashkive

Dokument/ A do t’i shkelin nenet 60 e 61 të Ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, gjykatat e këshillat bashkiak Shkodër-Dibër dhe KQZ-ja, për t’i certifikuar dy fituesit e këtyre bashkive? Le të presim e shohim, nëse për dy fituesit, do ketë pazar anti-ligjor mes treshes Rama i PS dhe dyshes “non grata” Berisha-Meta të “Shtëpisë së Lirisë”

Më 6 mars, komisionet Zgjedhore Zonale në Shkodër e Dibër, shpallën fitues për kryetarë të bashkive, kandidatët Bardh Spahia të Foltore-LSI e Rahim Spahiu të PS, mandatimi i të cilëve në detyrë, do kalojë dhe në dy procedura ligjore.

Brenda datës 26 mars 2022, gjykatat Shkodër e Dibër, duhet të vërtetojnë vlefshmërinë e mandateve të dy fituesve, ndërsa brenda 30 ditësh Spahia i Shkodrës dhe Spahiu i Dibrës, duhet të betohen para këshillave bashkiak përkatës, për t’u legjitimuar në detyrë.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Mirëpo pavarësisht se këta janë shpallur fitues, Ligji nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i ndalon të mandatohen e të fillojnë detyrën Kryetar Bashkie, madje ky ligj është shkelur nga vetë KQZ që i ka miratuar për kandidim.

Pika “C” e Nenit nr. 61 të këtij ligji, përcakton se mandati i Kryetarit të Bashkisë, ndërpritet dhe quhet i pavlefshëm, kur personi i zgjedhur nuk është banor i përhershëm brenda territorit të bashkisë që drejton apo do drejtojë.

Konkretisht, Bardh Spahia i Foltore-LSI dhe Rahim Spahiu i PS nuk janë fare banorë të Shkodrës e Dibrës, dhe prej 25 vitesh janë banorë të Tiranës, ndërkohë që minimalisht 6 muaj para datës 6 mars, duhej të ishin banorë të bashkive ku kandiduan,.

Duke mos qenë as votues në këtë bashki, dhe të bindur se fitoren ua “djeg” ligji në fuqi, Bardh Spahia e Rahim Spahiu, dy ditë para zgjedhjeve, tentuan të bëheshin banorë të Shkodrës e Dibrës, por nuk i lejoji afati ligjor për ndryshimin e vend-banimit.

Aktualisht, ata vërtetë janë shpallur fitues për postet kryetar bashkie, por janë në kushtet e ndalimit të plotë e të prerë ligjor, për t’u mos u mandatuar nga gjykatat e këshillat bashkiak në Shkodër dhe Dibër e për certifikim nga KQZ-ja.

Pra, nuk mund të marrin dot mandatin e të fillojnë detyrën si kryetar të dy bashkive, për shkak të ligjit në fuqi, që ndalon të jenë të marrin këtë detyrë, persona të cilët nuk janë banorë të bashkive.
Madje neni 61, përcakton dhe ndërprerjen para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, kur vërtetohet se nuk është banor i përhershëm i saj, ndërsa në rastin e fituesve Bardh Spahia të Shkodrës e Rahim Spahiu të Dibrës, atyre u ndalohet mandatimi, mbasi nuk janë fare banorë të këtyre bashkive.

Pyetja që bëhet edhe si referencë për SPAK është kjo: – A do t’i shkelin nenet 60 e 61 të Ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore” gjykatat e këshillat bashkiak Shkodër-Dibër dhe KQZ-ja për t’i mandatuar si kryetarë bashkie?

Të presim e shohim, nëse për dy fituesit, do ketë pazar anti-ligjor mes treshes Rama i PS dhe dyshes “non grata” Berisha-Meta të “Shtëpisë së Lirisë”?/Pamfleti

Kryesore Bardh Spahia KQZ Rahim Spahiu