Aktualitet 7 Qershor 2022, 19:51

Liria pa kushte e bosëve të krimit nga burgimi i “përjetshëm”

Shkruar nga Pamfleti
Liria pa kushte e bosëve të krimit nga burgimi i

Ekzekutimi i vendimeve penale për krime të rënda si vrasja, prodhimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike apo pastrimi i parave është shpesh më i shkurtër se sa parashikon ligji, pasi gjyqtarët bëjnë një sy qorr ndaj Kodit Penal.

Lirimi me kusht nga burgu i Lulzim Berishës, një nga emrat më famëkeqë të botës së krimit në Shqipëri, krijoi debate dhe polemikë në vitin 2016.

Kreu i bandës së Durrësit la qelinë me mbështetjen e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako, i cili përveç një profili pozitiv të familjes, i dha gjykatës garanci se Berisha do të punësohej në bashkinë e qytetit bregdetar, nëse ai nuk gjente punë në sektorin privat.

Fillimisht i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje dhe krijmin e organizatave kriminale, Berisha vuajti pak më shumë se 10 vjet heqje lirie, duke përfituar nga një seri e dyshimtë vendimesh për ulje dënimi dhe përllogaritja e gabuar e ditëve të burgut nga Gjykata e Apelit Durrës, përpara se të fitonte lirinë me kusht.

Kur Gjykata e Lartë e përmbysi vendimin e Apelit për lirimin në dhjetor 2021, Berisha kishte më shumë se një vit që ishte larguar nga vendi, pasi mbi të rëndonin akuza të reja për vrasje.

Rasti i Lulzim Berishës nuk është i vetëm. Gjatë viteve të fundit, ndërsa sistemi gjyqësor në Shqipëri po i nënshtrohet në reforme të thellë për të shmangur koorporatizmin dhe korrupsionin, një numër eksponentësh të krimit të organizuar të dënuar me burgim të përjetshëm u liruan në shërbim prove.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se institucionet e vuajtjes së dënimit japin rëndom pëlqimin ndaj kërkesave për liri me kusht nga të dënuarit për krime të rënda, ndërkohë që disa gjyqtarë i miratojnë kërkesat për ulje dënimi në shkelje të Kodit Penal.

“Shumë nga subjektet e liruar janë dënuar për vepra penale edhe gjatë kohës që kanë qenë në burg,” tha Alban Koçi, pedagog në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.

“Ky është realitet i hidhur dhe mund të themi që sistemi ka dështuar, dhe sistemi dështon që nga gjyqtari dhe prokurori, deri tek inspektori i fundit i burgut,” shtoi ai.

Avokati Detar Hysi, mbrojtësi ligjor i Lulzim Berishës i tha BIRN se vendimi i Gjykatës së Lartë ishte i gabuar.

“Gjykata e Lartë ka tejkaluar kompetencat, pasi vendimi i Gjykatës së Apelit Durrës – ku shtetasi L.B duhet të mbante kontakte me shërbimin e provës për një periudhë 5-vjeçare, ishte ekzekutuar terësisht,” tha ai.

 Gjyqtarët shkelin ligjin

Sipas të dhënave të bëra publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në sistemin e riedukimit në Shqipëri vuajnë dënimin 2160 të burgosur, nga të cilët 8% janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe 15% me dënime më të rënda se 20 vjet heqje lirie.

Nenit 64 i Kodit Penal përcakton se për të dënuarit për krime të rënda që dënohen me burgim më shumë se 5 vjet, liria me kusht lejohet vetëm kur i pandehuri ka kryer tre të katërtat e dënimit.

Sipas Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, ky parashikim ligjor është zbatuar gabimisht nga Gjykata e Apelit Durrës gjatë gjykimit të kërkesës së Lulzim Berishës për liri me kusht në vitin 2016.

Kolegji shprehet se Gjykata e Apelit Durrësi ka gabuar me gati dy vjet në përllogaritjen e kohës së heqjes së lirisë prej tre të katërtat e vuajtjes së dënimit nga ana e Berishës.

Berisha ka qenë dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm, por ky dënim u ul nga Gjykata e Lartë në vitin 2014 në 25 vjet heqje lirie.

“Gjykata e Lartë ka krijuar disa precedentë të rrezikshëm për ndryshimin e vendimeve gjyqësore nga burgim i përjetshëm në burgime të tjera dhe krijimin e një jurisprudence pak të rrezikshme që në Shqipëri nuk është asgjë e sigurt,” tha pedagogu Koçi.

“Në gjykimin tim, burgimi i përjetshëm duhet të jetë i tillë në momentin që faktohet,” shtoi ai.

Në Shqipëri, një i dënuar me burgim të përjetshëm nuk mund të përfitojë nga liria me kusht në qoftë se nuk ka kryer të paktën 35 vjet burgim.

Megjithatë, precedentë të ndryshëm të vendosur gjatë viteve të fundit kanë treguar se gjykatat shpesh nuk i respektojnë parashikimet e Kodit Penal.

Indrit Dokle, një tjetër anëtar i bandës së Durrësit i dënuar me burgim të përjetshëm, u lirua në vitin 2020 nga gjyqtarja e Rrethit Gjyqësor Krujë, Enkelejda Hoxha duke përfituar nga tre amnisti radhazi dhe kohë paraburgimi shtesë. Një vit më vonë, gjyqtarja Hoxha u arrestua e akuzuar për korrupsion pasiv për një rast të ngjashëm dhe u shkarkua nga detyra nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Përveç Dokles, gjyqtarja Hoxha ka liruar nga burgu edhe Genc Tafilin, vrasësi i ish-kryepolicit të Shkodrës, Arben Zylyftari, edhe pse ligji nuk e lejon lirimin me kusht të personave që kanë vrarë punonjësit e policisë dhe janë dënuar sipas nenit 97/c të Kodit Penal. Në kohën e lirimit me kushte nga burgu, Tafili kishte vuajtur 21 vite e 7 muaj heqje lirie nga 25 që ishte dënuar nga Gjykata e Lartë.

Hoxha nuk ishte e arritshme për koment nëpërmjet mbrojtësit të saj ligjor. Ajo e ka apeluar vendimin për shkarkimin nga detyra në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Një rast i ngashëm me Doklen është edhe ai Gerd Gjinerarit, i dënuar më burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit në Milano në vitin 1997. Gjinerari u lirua me kusht nga Gjykata e Shkallës së Parë Korçë në shkurt të vitit 2019.

Në vendimin për lirimin e Gjinerarit, gjyqtari Markelian Kuqo e konsideroi të burgosurin një “rast të jashtëzakonshëm” dhe argumentoi se ai duhej liruar për arsye të veçanta. Gjyqtari Kuqo përmendi si arsye të veçantë faktin se bashkëjetuesja e tij ishte në pritje të një fëmije.

Vendimi i Kuqos u rrëzua nga Gjykata e Apeli e Korçës. Sipas Gjykatës së Apelit, kërkesa e Gjinerarit për lirimin me kushte ishte dorëzuar vetëm 11 ditë pas tansferimit nga burgu i Peqinit në burgun e Korçës – një kohë e pamjaftueshme për të vlerësuar sjelljen e tij.

“Por edhe po t’i referohemi paraqitjes së kërkesës deri në përfundim të gjykimit, periudha e vlerësimit është shumë e shkurtër dhe papërfillshme krahasuar me tërësinë e kohës së dënimit të vuajtur,” shprehet Gjykata e Apelit Korçë.

Ngjashëm me Lulzim Berishën, edhe Gjinerari nuk u kthye në qeli pas anulimit të vendimit për lirimin e tij nga Gjykata e Apelit.

Në dhjetor 2020, me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtari Markelian Kuqo u shkarkua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për shkeljet e konstatuara në vendimin për lirimin me kusht të Gerd Gjinerarit. Kuqo e ka apeluar vendimin për shkarkimin e tij nga detyra në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Gjyqtari Markelian Kuqo i tha BIRN se ai nuk mund të shprehej mbi vendimmarrjen përkatëse të KLGJ-së, pasi sipas tij i’a ndalon ligji, përderisa gëzon ende statusin e magjistratit. Megjithatë, ai vuri në dispozicion materialin e mbrojtjes së tij të paraqitur përpara KLGJ-së. Në dokumentin voluminoz, gjyqtari pretendon se i dënuari Gerd Gjinerari kishte në favor për lirimin e tij dy raporte pozitive, nga IEVP Drenovë dhe Zyra Vendore e Shërbimit të Provës.

Gjyqtari i Gjykatës së Elbasanit, Taulant Tafa është një tjetër magjistrat që rrezikon të humbasë statusin e tij për interpretim të gabuar të nenit 64 të Kodit Penal, për lirimin me kusht një të dënuari me burgim të përjetshëm. Tafa akuzohet se ka favorizuar në mënyrë të paligjshme lirimin nga burgu të Arben Grorit, duke zbatuar një standard të ndryshëm nga vendimet e tij të mëparshme për çështje të ngjashme.

Grori është shpallur gjithashtu fajtor për vrasjen në Itali në Naim Zyberit në vitin 1997, në bashkëpunim me Gerd Gjinerarin.

“ILD ka analizuar vendimmarrjen 4 vjeçare të magjistratit (2017-2021), me objekt ulje dënimi, dhe konstaton se ndryshe ka vepruar gjyqtari në dhënien e 155 vendimeve të tjera, ku 7 kërkesa janë nga të dënuar me “Burgim të përjetshëm”, e ku janë respektuar kriteret formale ligjore,” shpjegoi ILD.

Kreu i ILD-së, Artur Metani i tha BIRN se vendimet për liri me kusht kanë qenë në vëmendje të Inspektoriatit që nga krijimi i këtij institucioni. ILD ka iniciuar në vitin 2020 një inspektim tematik për këtë çështje në 18 gjykata, duke marrë në shqyrtim më shumë se 4600 vendime, por procesi i analizimit të të dhënave nuk ka përfunduar. Megjithatë, nga dosjet e analizuara deri tani nga inspektorët janë gjetur shkelje nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Ka pasur një mospërmbushje të pajustifikuar të funksioneve gjatë gjykimit, duke sjellë përfitime të padrejta për palët në kundërshtim dhe në mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedurial penal,” tha Metani.

ILD ka kërkuar deri tani shkarkimin e 4 magjistratëve, nga të cilët tre janë shkarkuar, ndërsa çështja ndaj Tafës po shqyrtohet nga KLGJ.

Sipas kreut të ILD-së, nga ana e magjistratëve të proceduar nuk janë respektuar me dashje parashikimet ligjore në fuqi lidhur me aplikimin e institutit të lirimit para kohe me kusht, përfitimet në kuadër të dhënies së amnistisë, apo dhe një sërë dispozitash të tjera ligjore lidhur me të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve të cilat kanë të bëjnë me uljen e dënimit, apo vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë.

“Këto veprime janë kryer nga ana e magjistratëve nëpërmjet nxjerrjes së akteve apo vendimeve gjyqësore të paarsyetuara, si dhe shtrembërimit të fakteve në raport me provat e administruara në procese gjyqësore,” theksoi Metani.

Sipas Metanit, nga analizimi i dokumentacionit, problematika nuk ka karakter të shtrirë në nivel gjykate apo prokurorie, por lidhet me sjelljen e magjistratëve të caktuar në kundërshtim flagrant me legjislacionin në fuqi.

“Magjistrati e ushtron funksionin në mënyrë të pavarur, por ai nuk mund të veprojë në mënyrë arbitrare dhe të gjykojë rastet duke u bazuar në preferecat personale, interesi vetjak apo keqbesimi, por vetëm duke u bazuar në ligjet përkatëse dhe duke i interpretuar ato në varësi të rrethanave të veçanta të një çështjeje,” theksoi Metani.

Liri pa kushte

Sipas nenit 64 të Kodit Penal, përveç afatit të vuajtjes së dënimit, që luhatet nga dy të tretat në tre të katërtat e dënimit në varësi të veprës penale, një i dënuar mund të përfitojë nga liria me kushte vetëm nëse me sjelljen dhe punën e tij, tregon që me dënimin e vuajtur është arritur qëllimi për edukimin e personit.

Ky vlerësim bëhet nga institucionet e sistemit penitenciar dhe i përcillet gjykatës për vlerësim. Të dhënat e siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtë informimit tregojnë se vetëm gjatë dy viteve të fundit, burgjet administruan 221 kërkesa për liri me kusht nga të dënuar për vepra të rënda penale, si vrasja me dashje, me paramendim ose në rrethana cilësuese, apo kultivimi dhe trafikimi i narkotikëve ose pastrimi i produkteve të veprës penale.

Për 63% të rasteve, IEVP-të e kanë pranuar kërkesën e të dënuarit për liri me kusht ose kanë dhënë mendim pozitiv për të, në 31% të rasteve kërkesa është refuzuar. Kërkesa më të shpeshta për lirim me kusht janë bërë nga të burgosur të dënuar për vepra penale të lidhura me narkotikët.

Pedagogu Alban Koçi thekson se raportet që përgatiten nga IEVP-të për lirimin me kusht jo gjithmonë janë objektive dhe duhet t’i nënshtrohen hetimit gjyqësor.

“Gjykatës i ngelet një rol shumë i rëndësishëm për të vërtetuar këto lloj raportesh dhe efikasitetin e tyre, sepse mund të shkuajë një inspektor, një psikolog i burgut një raport që nuk i përgjigjet së vërtetës,” tha Koçi.

Ai mendon se vendimet e gjyqtarëve për lirimin me kusht të të dënuarve me krime të rënda duhet të merren në sitë nga institucionet e reja të drejtësisë.

“Institucionet që kryejnë vetingun nuk duhet të fokusohen vetëm tek pasuria e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por të kalojnë në verifikim dhe vendimet që lidhen me lirimet me kusht”, përfundoi Koçi. /BIRN/

Aktualitet ##lirime burgje