Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për lirimin nga detyra të Avokates së Përgjithshme së Shtetit, Brunilda Lilo. Nuk dihen ende arsyet e largimit apo shkarkimit të Lilos, ndërkaq mësohet se Odise Moçka do të jetë Avokati i ri i Përgjithshëm i Shtetit.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M PËR LIRIMIN DHE EMËRIMIN E AVOKATIT TË PËRGJITHSHËM TË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 21, pika 1, 26, pika 5, shkronja “a”, të ligjit nr.10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave.
V E N D O S I:
1-Znj. Brunilda Lilo, Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, lirohet nga kjo detyrë.
2-Odise Moçka emërohet Avokat i Përgjithshëm i Shtetit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I EDI RAMA”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se, Brunilda Lilo u emërua avokate e Përgjithshme e Shtetit në qershor të 2021, me largimin nga ky pozicion të Enkelejda Muçajt, pas dështimit me çështjen Becchetti në Arbitrazh.
Vlen të theksohet se, Avokatura e Shtetit është institucion qendror i administratës publike, i ngarkuar ekskluzivisht për dhënien e asistencës juridike. Qëllimi i ndihmës juridike që jep është të përfaqësojë dhe mbrojë në gjyq interesat pasurore të shtetit, të këshillojë institucionet publike qendrore dhe entet publike, dhe të ndërmjetësojë për zgjidhjen me pajtim të konflikteve mes institucioneve të administratës qendrore apo enteve publike.