Pas dy orë e gjymë protestë para Kryeministrisë, një grup të rinjsh kanë nisur marshimin drejt drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Protestuesit pasi ecën përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit, duke bllokuar kështu qarkullimin, u stacionuan te Drejtoria e Policisë së Tiranës, duke bërë thirrje për lirimin e të shoqëruarve.
“Lironi shokët tanë!”, “Nuk keni pranga, mjaftueshëm për ne!”- kanë qenë këto disa nga brohoritjet e të rinjve me megafon.
Po ashtu, thirrjeve ndaj policisë për t’iu bashkuar kauzës për uljen e çmimit të naftës dhe produkteve të shportës i është bashkuar edhe aktori Gent Kame. Para Kryeministrisë, Kame u shpreh se: “Shqipëria po humb njerëzit e saj, shqiptarët po humbin identitetin e tyre. Shtrenjtimi i jetës është rrjedhojë, problemi është keqqeverisja. Ne duam frymë të re. I bëj thirrje vëllezërve dhe motrave të policisë, qeveritë shkojnë dhe vijnë, por mos tradhtoni popullin tuaj, lironi ata djem.”
Kujtojmë se, rreth 1 mijë forca policie janë mobilizuar për të ruajtur rendin dhe sigurinë në protestën e sotme, ndërsa Kryeministria veç rrethimit me forca të shtuara të policisë, është blinduar me dyerë të hekurta.