Anti-Mafia 3 Maj 2019, 12:53

Lista, SHBA-BE: Këta gjyqtarë dhe prokurorë nuk duam t’i shohim më në drejtësi

Shkruar nga Pamfleti
Lista, SHBA-BE: Këta gjyqtarë dhe prokurorë nuk duam t’i

Lista, SHBA-BE: Këta gjyqtarë dhe prokurorë nuk duam t’i shohim më në drejtësi

Në listë edhe ‘peshkaqeni i fjetur’ Xhezair Zaganjori që i shpëtoi komisionit të parë të Vetingut, Kolegji i Apelimit asnjë seancë që nga gushti 2018 për Zaganjorin  

Njerëzit  e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit të Vetingut kanë bërë një listë me gjashtë gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët nuk duan që t’i shohin më në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Këta gjyqtarë dhe prokurorë u konfirmuan në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit mendon se këta personazhe nuk janë të denjë për të shërbyer në drejtësi, pasi kanë shkelur ligjet, kanë shmangur taksat dhe kanë fshehur pasuritë. Ata janë kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, prokurori pranë Prokurorisë së Përgjithshme Adnan Kosova, gjyqtari pranë Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës Artur Malaj, gjyqtari pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gentian Medja, prokurori pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda Gentian Osmani dhe ish-kryetar i Gjykatës së Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Deri më tani, nga kjo listë, është marrë vendim vetëm për ish-kryetarin e Kushtetueses, Bashkim Deden. Kolegji i Apelimit vendosi të shkarkonte Deden nga detyra. Dedja kishte një pasuri modeste dhe nuk justifikonte 15 mijë euro, por Kolegji vendosi ta shkarkonte duke treguar se rekomandimet e SHBA-BE janë ligj. Me shkarkimin e Dedes, Kolegji vendosi një standard të fortë, me të cilin pritet të fundosë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që OMN rekomandon që të shkarkohen, por edhe ata për të cilët Komisioneri Publik ka kërkuar që të shkarkohen. Rekomandimet e ONM dhe konfirmimi i tyre nga Kolegji i Apelimit janë një shuplakë për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili duhet të heqë dorë nga operimi me dy standarde në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Njerëzit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit të Vetingut kanë rekomanduar shkarkimin e Xhezair Zaganjorit që në 6 gusht të 2018. Zaganjori njihet edhe si ‘peshkaqeni i fjetur’ i drejtësisë, pasi ka ditur të ruajë balancat me grupet politike dhe e ka paraqitur veten e tij si gjyqtar me integritet. Por, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Komisioneri Publik thonë se Zaganjori nuk meriton të shërbejë në drejtësi, pasi nuk ka deklaruar një pjesë të pasurisë gjatë viteve, nuk justifikon shpenzimet, kontrata fiktive etj. Megjithatë, duket e çuditshme se pse Kolegji i Apelimit, prej gati një viti nuk ka zhvilluar asnjë seancë për Zaganjorin./Pamfleti

Anti-Mafia Këta gjyqtarë dhe prokurorë nuk duam t’i shohim më në drejtësi Lista SHBA-BE