Editorial 6 Janar 2023, 10:35

“Loja shtesë” e ambasadores amerikane Yuri Kim  

Shkruar nga Pamfleti
“Loja shtesë” e ambasadores amerikane Yuri Kim  

“Loja shtesë” e ambasadores amerikane Yuri Kim  

Yuri Kim – Altin Dumanit: arresto “Peshqit” e Mëdhenj!

Shkruan Sokol Pepushaj

“Loja shtesë” e ambasadores Yuri Kim, ka zgjuar shpresa tek shqiptarët. Durimi është sosur. E kanë mbushur “kupën”; nga hajdutët e mafiozët e deri tek ligjvënësit e qeveritarët, ose, në respekt të fjalorit të fshatit, nga i shkurtri tek i gjati. Jemi në finalen për përmbushjen e  investimit publik të Shtëpisë së Bardhë për fund të zi të çdo hajduti.

Por ka ca dilema

Cilët janë më të kërcënuar, zyrtarët që vjedhin me inceneratorë, tenderë, apo të mëdhenjtë fare që nuk firmosin me dorë të tyre, as i numërojnë paratë vetë, se ua palosin të tjerët “skutave” ku nuk hyn as “syri” i ambasadores Kim, as SPAK-u i Dumanit, që ta themi, po shihet si dermani i mundësive që kapërcejnë pritat e pritshmërive.

Po, “Peshqit” e Mëdhenj mund të arrestohen të parët, pasi në një shtet ligjor, nuk është normale që zyrtarët të jenë me ngarkesa më të rënda antiligjore se të burgosurit, ose, sa më lart që rri, më hajdut je.

Beteja për drejtësi është beteja për burg

Nga Ligji e deri tek Maliqi është krijuar zona neutrale. Në njërën anë harbutët e në tjetrën të “butët”.

Këta të fundit, e mbajnë syrin gjysmë të hapur, se kanë provuar gazin lotsjellës dhe lotët e shpirtit në minimum të jetesës.

Presin të lëvizë buzët ambasadorja Yuri Kim apo prangat Altin Dumani, pasi gjithkush e di se në Olimp nuk janë veç më të pabesueshmit, por më të pandershmit. Më hajdutët, më të pasurit.

Çdo deputet e qeveritar përfiton rrogë mujore disa fish një mësuesi apo polici, pagesa për telefon më shumë se 13 000 lekë në muaj, kur dihet botërisht se me dhjetë herë më pak, kompanitë ofrojnë minuta dhe internet pa limit.

Por këta nuk kanë limit në vjedhje… 

Deputetët, përfitojnë 100 litra karburant në muaj, rast pas rasti. Edhe nëse makinën e kanë ma naftë, tërheqin benzol, si me thënë “hiqja qimen derrit” se para ka me shumicë. Megjithëse kanë banesa në Tiranë, përfitojnë edhe pagesa për banim, si të pa strehë.

Ecim me skandale ligjore

Çdo deputet përfiton shofer, sekretar dhe zyrë elektorale. Dieta ju paguhen jo veç jashtë Shqipërisë, por edhe jashtë Tiranës.

Pastaj komisionet ligjore dhe hetimore, janë pagesa të “majme”, edhe pse asnjë sinjal shprese nuk kanë ndezur në rrugën drejt integrimit Euro-Atlantik.

Fondet për çdo grup parlamentar, shpenzimet operative, hotelet, e drejta të ecin kundër tabelave, duke fyer policët e demonstruar arrogancë para ligjit, janë në mundësinë e qeveritarëve, deputetëve, pushtetarëve, mafiozëve që kanë para me shumicë.

Kudo bëjnë shenj makinat e zyrtarëve, jeta e luksit, pronat e paratë, prandaj janë në siklet të gjithë.

Vetëm një diçiturë kanë prapësitë e 32 viteve; Zyrtarët e mëdhenj janë hajdutët e mëdhenj, prandaj Yuri Kim urdhëron SPAK-un, arresto “Peshqit” e Mëdhenj./Pamfleti

Editorial “Pamfleti” #“Loja shtesë” e ambasadores amerikane Yuri Kim Sokol Pepushaj