Përplasja e madhe po vjen…
Erion Braçe nuk është më një “grindavec” politik brenda PS-së, por një politikan që ka dalë hapur kundër lidershipit të partisë së tij.
Dy ditë më parë Braçe ka sulmuar ashpër Taulant Ballën, i cili është në ditët më të këqija të tij, pasi pritet të jetë kontigjent i hetimeve të SPAK për grupet kriminale të Elbasanit.
Edhe pse një gjykatë në qytetin e ‘pushtuar’ nga krimi ka vendosur që të mos e fusë në dosje përgjimin ku Taulant Balla flet me atje, ai përgjim nuk është zhdukur. E sipas gjasave hetimi ndaj tij do të nisë me ditë dhe librazhdioti që ka kohë që hiqet se është pasardhësi i Gramoz Ruçit, pritet të thirret në SPAK.
E këtë Erion Braçe e dinte mjaft mirë kur ka nisur sulmin ndaj tij, pas ndalimit të diskutimit të një amendamenti në mbrojtje të fermerëve. Kjo përplasje nuk është gjë e vogël, pasi Edi Rama nuk mundet ta zëvendësojë kaq lehtë Ballën nëse ai shpallet nën hetim apo i pandehur. Zëvendësi i Ballës, Erion Braçe i ka shpallur luftë edhe Taulantit por edhe Edi Ramës.
Kryeministri, i ka çuar mesazh që të mos duket në Divjakë, ku ka prenotuar si deputet kryetarin e bashkisë. E sherri që ndodhi, si për të hapur një luftë të madhe në PS, e cila sipas gjasave do të vijojë gjatë.
Erion Braçe, Pandeli Majko, Fatmir Xhafa, tashmë po dalin hapur për të mos i dhënë kohë Edi Ramës që të vendosë një kryetar grupi parlamentar të komanduar. Sipas statutit nëse hiqet Taulant Balla, gjë që është shumë e pritshme, ai do të zëvendësohet ose nga Erion Braçe ose nga Damian Gjiknuri, i cili edhe ai nuk se i ka punë mirë me Ramën, dhe ka shumë kohë që e ka shkëputur komunikimin me të.
Kryeministri mësohet se synon që të vendosë Elisa Spiroalin si drejtuese ad hoc, por grupi parlamentar ja ka kundërshtuar hapur. Nuk se Rama i ka duart e lidhura, si njeri me pushtet absolut mund të shpikë formula pa fund. Por gjendjen nuk e ka aspak grurë. E nëse shpërfaqet në publik një përçarje në PS, atëherë nis edhe fillimi i fundit për pushtetin e tij.
E për këtë ka shumë në Partinë Socialiste që po e urojnë; që nga Lali Eri, të cilit i ka hyrë tartakuti se Edi Rama i ka dhënë Jorida Tabakut bashkinë e Tiranës. Dy janë çështjet kryesore që po diskutojnë ndërkombëtarët: të largojnë Ramën me një lëvizje të fortë nga SPAK apo t’i japin opozitës bashkinë e Tiranës siç ka kërkuar Rama.
Veliaj po lufton për të kundërtën, e jo vetëm ai, sot njerëzit e tij po nisin revoltën për të marrë kreun e grupit parlamentar…/Pamfleti