
Perëndimi mendoi se një luftë artilerie dhe tankesh në Evropë nuk do të ndodhte më kurrë, ndaj zvogëloi rezervat e armëve. Por, ishte gabim.
Shkruan Steven Erlanger dhe Lara Jakes, New York Times
Me rënien e Bashkimit Sovjetik, kombet evropiane morën “dividendin e paqes”, duke zvogëluar në mënyrë drastike buxhetet e vëna në dispozicion për mbrojtjen, ushtritë dhe arsenalet bërthamore.
Me ngritjen e Al Kaedës gati një dekadë më vonë, terrorizmi u bë objektivi, çka kërkoi investimin në forma të ndryshme ushtarake dhe më shumë ekspedita (grupime ushtarake të armatosur e organizuar për të përmbushur një objektiv specifik në një vend të huaj). Edhe angazhimi i gjatë i NATO-s në Afganistan kishte deri diku ngjashmëri me një luftë tokësore në Evropë, e rëndë në artileri dhe tanke, që pothuajse të gjitha ministritë e mbrojtjes mendonin se nuk do të përsëritej kurrë.
Por e kishin gabim.
Në Ukrainë, lloji i luftës evropiane që deri më tani mendohej i paimagjinueshëm po përtyp rezervat modeste të artilerisë, municionit dhe mbrojtjes ajrore të asaj që disa në NATO i quajnë “ushtritë bonsai” të Evropës (të emërtuara sipas pemëve të vogla japoneze). Edhe SHBA-të si superfuqi kanë vetëm rezerva të kufizuara të armëve që ukrainasit duan dhe kanë nevojë për të fituar luftën me Rusinë, dhe Uashingtoni nuk është i gatshëm të devijojë armët kryesore nga rajone delikate si Tajvani dhe Koreja – ku Kina dhe Koreja e Veriut po testojnë vazhdimisht fuqinë e tyre nukleare – për t’ia dhënë Ukrainës.
Tashmë, 9 muaj pas luftës, zgjatja e konfliktit e ka gjetur Perëndimin të papërgatitur, duke krijuar një të çarë të thellë në furnizimet e Ukrainës me atë që është e nevojshme, ndërkohë që NATO-s po i shterojnë rezervat. Teksa të dyja palët vazhdojnë të harxhojnë armë dhe municione me një ritëm të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore, konkurrenca për të mbajtur arsenalet “gjallë” është bërë një front kritik që mund të jetë vendimtar për përpjekjet e Ukrainës.
“Sasia e artilerisë që po përdoret në luftë është tronditëse”, thonë zyrtarët e NATO-s. Në Afganistan, forcat e NATO-s mund të kishin gjuajtur edhe 300 fishekë artilerie në ditë dhe nuk kishin asnjë shqetësim të vërtetë për mbrojtjen ajrore. Ndërkaq, në Ukrainë mund të gjuajë mijëra fishekë çdo ditë dhe sërish gjenden të dëshpëruar për mbrojtjen ajrore kundër raketave ruse dhe dronëve të prodhuar nga Irani.
“Një ditë në Ukrainë është një muaj ose më shumë në Afganistan,” tha Camille Grand, një ekspert i mbrojtjes në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, i cili deri vonë ishte ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s për investimet në mbrojtje.
“Verën e kaluar në rajonin e Donbasit, ukrainasit gjuanin 6 deri në 7 mijë fishekë artilerie në ditë. Ndërsa rusët 40 deri në 50 mijë fishekë në ditë” – tha një zyrtar i lartë i NATO-s. Dhe këto statistika, vijnë në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës prodhojnë vetëm 15,000 fishekë çdo muaj.
Thënë shkurt, Perëndimit po i mbarojnë edhe pajisjet e municionet e epokës sovjetike që Ukraina mund të përdorë tani, duke përfshirë raketat e mbrojtjes ajrore S-300, tanket T-72 dhe veçanërisht predha artilerie të kalibrit sovjetik.
Perëndimi po përpiqet gjithashtu të dalë me sisteme alternative, edhe nëse ato janë më të vjetra, për të zëvendësuar stoqet e pakësuara të raketave të shtrenjta të mbrojtjes ajrore dhe antitanket Javelins. Ai po dërgon sinjale të forta për industritë perëndimore të mbrojtjes se kontratat afatgjata janë në linjë – dhe se duhet shtuar numri i punonjësve dhe duhet të rinovohen linjat e vjetra të fabrikave. SHBA po përpiqet gjithashtu të blejë municion nga vende si Koreja e Jugut për të “mbushur” rezervat që dërgohen në Ukrainë.
Madje ka diskutime rreth një investimi të mundshëm të NATO-s në fabrikat e vjetra në Republikën Çeke, Sllovaki dhe Bullgari për të rifilluar prodhimin e predhave të kalibrit sovjetik 152 mm dhe 122 mm për armaturën e artilerisë së Ukrainës ende kryesisht të epokës sovjetike.
Sidoqoftë, pengesat janë po aq të shumta sa edhe zgjidhjet që po ndiqen.
Vendet e NATO-s – shpesh me bujë të madhe – i kanë ofruar Ukrainës disa artileri të avancuara perëndimore, edhe pse ushtria ukrainase përdor predha 155 mm të standardeve të NATO-s. Këtu duhet sqaruar se sistemet e NATO-s rrallëherë janë të certifikuara për të përdorur municione të prodhuara nga vende të tjera të NATO-s, të cilat shpesh i bëjnë predhat ndryshe. (Kjo është një mënyrë për prodhuesit e armëve që të sigurojnë se mund të shesin municion për armët e tyre, ashtu sikurse prodhuesit e printerëve nxjerrin fitim nga fishekët e bojës.)
Pastaj ekziston problemi i kontrolleve legale të eksporteve, të cilat rregullojnë nëse armët dhe municionet e shitura në një vend mund të dërgohen në një tjetër në luftë. Kjo është arsyeja që zviceranët, duke pretenduar neutralitet, refuzuan t’i jepnin leje Gjermanisë për të eksportuar tanke në Ukrainë, pasi i nevojiteshin municione kundërajrore të prodhuara nga Zvicra dhe të shitura në Gjermani për t’i vënë ato në përdorim. Nga ana tjetër, edhe Italia ka një kufizim të ngjashëm në eksportet e armëve.
Një zyrtar i NATO-s e përshkroi lëmshin e krijuar nga sistemet si “kopshti zoologjik i NATO-s”, marr parasysh këtu emërtimin e armëve sipas kafshëve, si: Gepard (gjermanisht për gatopard) dhe sistemin e raketave tokë-ajër të quajtur Crotale (frëngjisht për gjarpër me zile). Pra, furnizimi është i vështirë, siç është edhe mirëmbajtja.
Edhe rusët kanë problemet e tyre të furnizimit. Megjithëse kanë një numër të lartë fishekësh artilerie, ata tani po përdorin më pak, për shkak se një numrë i tyre është i lartë dhe pjesa tjetër janë më pak të besueshme. Të përballur me një problematikë të tillë, Moska po përpiqet gjithashtu të rrisë prodhimin ushtarak dhe thuhet se po kërkon të blejë raketa nga Koreja e Veriut dhe më shumë dronë të lirë nga Irani.
Duke pasur parasysh aneksimin rus të Krimesë në vitin 2014 dhe luftën në rajonin e Donbasit, synimet e reja të shpenzimeve ushtarake të NATO-s ( 2% e prodhimit të brendshëm bruto deri në vitin 2024, me 20 për qind të kësaj në pajisje në vend të pagave dhe pensioneve), duken modeste. Sidoqoftë, s’mund të bëhet më mirë pasi edhe ato u injoruan kryesisht nga vendet anëtare kyçe.
“Në shkurt, kur filloi lufta në Ukrainë, rezervat për shumë kombe ishin vetëm rreth gjysma e asaj që supozohej të ishin“- tha zyrtari i NATO-s, duke shtuar se “kishte pak përparim në krijimin e armëve që mund të përdoreshin në mënyrë të ndërsjellë nga vendet e NATO-s”.
Edhe brenda Bashkimit Evropian, vetëm 18 % e shpenzimeve të mbrojtjes nga kombet janë bashkëpunuese. Për vendet e NATO-s që i kanë dhënë sasi të mëdha armësh Ukrainës, veçanërisht shtetet e vijës së frontit si Polonia dhe Balltiku, barra e zëvendësimit të tyre ka rezultuar e rëndë.
Francezët, për shembull, kanë ofruar disa armë të avancuara dhe kanë krijuar një fond prej 200 milionë eurosh (rreth 208 milionë dollarë) për Ukrainën për të blerë armë të prodhuara në Francë. Por Franca tashmë i ka dhënë Ukrainës së paku 18 topa moderne të tipit Caesar – rreth 20 për qind të të gjithë artilerisë së saj ekzistuese, duke nguruar të japë më shumë.
Bashkimi Evropian ka miratuar 3.1 miliardë euro për të shlyer shtetet anëtare për atë që i ofrojnë Ukrainës, por ky fond, Lehtësia Evropiane e Paqes, është varfëruar pothuajse 90 për qind. Në total, vendet e NATO-s kanë ofruar deri më tani rreth 40 miliardë dollarë armatime për Ukrainën, afërsisht sa madhësia e buxhetit vjetor të mbrojtjes të Francës.
“Vendet më të vogla e kanë shteruar potencialin e tyre”, tha një zyrtar tjetër i NATO-s, “me 20 nga 30 anëtarët e aleancës që tashmë kanë shfrytëzuar gjithçka mundën, duke dalë jashtë kapacitetit të tyre”. Megjithatë, 10 të mbeturit mund të ofrojnë akoma më shumë, sugjeroi ai, veçanërisht aleatë më të mëdhenj. Kjo do të përfshijë Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Holandën.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka këshilluar aleancën – duke përfshirë edhe Gjermaninë – se udhëzimet e NATO-s që u kërkojnë anëtarëve të mbajnë rezerva nuk duhet të jenë pretekst për të kufizuar eksportet e armëve në Ukrainë. Mirëpo është gjithashtu e vërtetë se Gjermania dhe Franca, si Shtetet e Bashkuara, duan të kalibrojnë armët që merr Ukraina, për të parandaluar përshkallëzimin dhe sulmet e drejtpërdrejta ndaj Rusisë.
“Ukrainasit duan të paktën katër sisteme që Perëndimi nuk i ka ofruar dhe nuk ka gjasa t’ua sigurojë: raketa tokë-tokë me rreze të gjatë të njohura si ATACMS që mund të godasin Rusinë dhe Krimenë; avionë luftarakë perëndimorë; tanke perëndimore; dhe një mbrojtje ajrore shumë më të avancuar”- tha Mark F. Cancian, një ish-strateg armësh i Shtëpisë së Bardhë, i cili tani është këshilltar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare të Uashingtonit.
ATACMS, me një rreze prej rreth 190 kilometrash, ose rreth 118 milje, nuk do të jepet nga frika se mund të godasin Rusinë; tanket dhe avionët luftarakë janë thjesht shumë të komplikuar, duke kërkuar një vit ose më shumë për t’u trajnuar në mënyrën e përdorimit dhe mirëmbajtjes. Sa i përket mbrojtjes ajrore, zoti Cancian shprehet se: “NATO dhe Shtetet e Bashkuara çaktivizuan pjesën më të madhe të mbrojtjes ajrore të tyre me rreze të shkurtër pas Luftës së Ftohtë dhe nuk ka shumë për të bërë. Prodhimi i më shumë mekanizmave për mbrojtje mund të zgjasë deri në dy vjet.”
Mirëmbajtja është thelbësore, por ka komanda “smart” për pajisje relativisht më të thjeshta, si p.sh. obusi M-777 i dhënë Ukrainës. Nëse di ta përdorë si duhet, një inxhinier ukrainas mund të lidhet me një oficer artilerie amerikane në Fort Sill, Oklaoma, dhe të flasë për mirëmbajtjen përmes Zoom.
Ukraina është treguar gjithashtu e adaptueshme. Forcat e saj njihen brenda NATO-s si “Ushtria MacGyver”, një referencë për një serial të vjetër televiziv në të cilin heroi është shpikës dhe improvizues me gjithçka që vjen në dorë.
P.sh: Për të goditur pozicionet ruse në ishullin e gjarpërinjve, ukrainasit vendosën Cezarët – me një distancë prej 40 kilometrash – në maune dhe i tërhoqën ato zvarrë për 10 kilometra me qëllim që predhat e tyre të arrinin objektivin (ishulli që ndodhej 50 kilometra larg), duke habitur francezët. Ukraina fundosi gjithashtu Moskva-n, flamurin e flotës ruse të Detit të Zi, me raketat e veta të përshtatura dhe ka ndërtuar drone që mund të sulmojnë anijet në det.
Si përfundim, pavarësisht gjithçka përmendëm, zyrtarët amerikanë këmbëngulin se ushtria amerikane ka ende materiale të mjaftueshme për të vazhduar furnizimin me Ukrainën dhe për të mbrojtur interesat e SHBA-së gjetkë.
“Ne jemi të përkushtuar t’i ofrojmë Ukrainës atë që i nevojitet në fushën e betejës“- zëvendës sekretarja e shtypit e Pentagonit, Sabrina Singh, këtë muaj kur njoftoi dërgimin e më shumë raketave “Stinger” për Ukrainën.
Uashingtoni po shikon gjithashtu alternativa më të vjetra, më të lira, si dhënia e raketave antitank TOW, të cilat janë në furnizim të bollshëm, në vend të Javelins; si dhe raketave tokë-ajër Hawk, në vend të versioneve më të reja. Sakaq, zyrtarët amerikanë po e shtyjnë gjithnjë e më shumë Ukrainën të jetë më efikase dhe të mos gjuajë, për shembull, një raketë që kushton 150 mijë dollarë në një dron që kushton 20 mijë dollarë.
Tashmë, disa armë po mbarojnë.
Sipas një analize të zotit Cancian, që nga shtatori, ushtria amerikane kishte një numër të kufizuar të fishekëve të artilerisë 155 mm në rezervat e saj dhe një numër të kufizuar raketash të drejtuara, raketahedhës, obus, Javelins dhe Stingers.
Mungesa e predhave të artilerisë 155 mm “është ndoshta më e madhja që shqetëson së tepërmi planifikuesit”- tha zoti Cancian.
“Nëse doni të rrisni aftësinë e prodhimit të predhave 155 milimetërshe, do të kalojnë 4 ndoshta deri në 5 vjet para se të filloni t’i shihni ato të dalin nga ana tjetër”- përfundoi ai./ Përshtati në shqip: Pamfleti