
Zënkat për pushtet në Kremlin kanë nisur të dalin jashtë kontrollit, madje tani po diskutohet se presidenti rus, Vladimir Putin mund të sfidohet drejtpërdrejte nga kreu i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, madje shtohet se presidenti mund të mos jetë më në gjendje t’i bëjë ballë atij.
Sipas gazetarit rus dhe autorit të librit “Të gjithë njerëzit e Kremlinit”, Mikhail Zyga, presidenti rus ishte i sigurt se mund të dobësonte pushtetin e oligarkut, i cili ka kritikuar vazhdimisht figura të larta brenda Kremlinit, por jo gjithçka i shkoi pas planit.
Në një artikull për New York Times, gazetari është shprehur se efekti mund të jetë i kundërt, pasi shumë njerëz e shohin Prigozhin si favoritin më të mundshëm për të pasuar Putinin.
“Deri në fund të vitit 2022, shumë biznesmenë dhe zyrtarë të Moskës besonin fuqimisht se Prigozhin ishte një kërcënim i vërtetë… Për disa muaj vitin e kaluar u hodhën pyetjet se pse Putin nuk do ta vendoste Prigozhinin në vendin e tij, me mediat që jepnin arsyet kundra. Kjo është loja tradicionale burokratike e Putin, e cila ka qenë efektive shumë herë, por mund të mos funksionojë këtë herë,” tha ai.
Gazetari rus shtoi gjithashtu se mënyra e Putinit për zbehur pushtetin e Prigozhin, nëpërmjet ngritjes në detyrë të kundërshtarëve të tij nuk do të ketë shumë efekt, përkundrazi pritet që të kthehet si bumerang.
“Shumë rusë, të zombifikuar nga propaganda, janë të frustruar që ushtria nuk po fiton. Duke emëruar gjeneralin Gerasimov komandant suprem, Putin merr përgjegjësinë për të gjitha disfatat e mëvonshme. Ndërsa Prigozhin, nuk dëmtohet, pasi Putin nuk e kritikoi atë. Kjo do të thotë se, në të ardhmen e afërt, Prigozhin mund të sfidojë Putinin dhe ai mund të mos jetë më në gjendje të kundërshtojë ish-kuzhinierin e tij,” përfundoi gazetari rus.