Aktualitet21 Maj 2022, 16:12

Luftë brrylash në SPAK/ Prokurori që zbërtheu killerin Nuredin Dumani u la në hije, si u planifikua operacioni 1 ditë para takimit të Ramës me presidentin e KE

Shkruar nga Pamfleti
Luftë brrylash në SPAK/ Prokurori që zbërtheu killerin

Drejtuesi i Prokurorisë Speciale, Arben Kraja, vuri theksin tek rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar, gjatë një raportimin para Komisionit Parlamentar të Ligjeve, të Premten e 20 Majit.

Kraja ishte shoqëruar nga tre prokurorë të tjerë, pjesë e seksionit të luftës kundër korrupsionit, një degë e shumë-kritikuar së fundmi për rezultatet larg pritshmërisë.

Ndërkohë, ajo që ra në sy gjatë raportimit të shefit të SPAK-ut, ishte mungesa e drejtuesit të Njësisë Kundër Krimit të Organizuar, prokurorit Altin Dumani, dega e të cilit ka arritur disa rezultate, për të cilat ka marrë përgëzime vendase e ndërkombëtare.

Dumani nuk ishte i pranishëm as në konferencën mediatike të zhvilluar të Enjten, ku u prezantuan rezultatet e operacionit “Plumbi i Artë”, në bazë të të cilit u njoftua zbulimi i disa ngjarjeve të rënda kriminale, të ndodhura gjatë viteve të fundit në Elbasan, Durrës e Tiranë.

Burime nga SPAK-u deklaruan për se prokurori Dumani është në një shërbim jashtë Shqipërisë dhe për këtë arsye nuk ka qenë i pranishëm në aktivitetet e fundit publike.

Megjithatë, duket disi e habitshme që operacioni “Golden Bullet” u zhvillua në mungesë të prokurorit kryesor të dosjes.

Ku “humbi” prokurori i çështjes?

Të dhënat e siguruara nga redaksia tregojnë se Altin Dumani ishte prokurori që ka bindur Nuredin Dumanin dhe Henrik Hoxhaj për të rrëfyer krimet e kryera prej tyre dhe personazheve të tjerë, një pjesë e të cilëve janë arrestuar.

Megjithatë, SPAK-u vendosi të zhvillojë operacionin në terren, pikërisht në ditët që prokurori kryesor nuk është në zyrë për të ndjekur në dinamikë veprimet në terren.

Operacioni nuk duket se kishte urgjencë. “I penduari” Nuredin Dumani dhe kolegu i tij në krime, Henrik Hoxhaj, kishin disa javë që po rrëfenin ngjarjet kriminale dhe emrat e organizatorëve, porositësve dhe ekzekutorëve.

Tashmë sfida e prokurorëve specialë është sigurimi i provave të pakundërshtueshme, të cilat duhet të mbështesin deklarimet e “të penduarve”.

Dhe ky moment duket se është “thembra e Akilit” për këtë operacion masiv, por që, bazuar në dosjen hetimore të bërë publike, duket se ka shumë të çara, të cilat mund të shfrytëzohen më së miri nga të dyshuarit dhe mbrojtësit e tyre ligjorë.

Duke mbajtur në vëmendje rezultatet jo shumë të mira të operacionit – ku nuk u arrit të arrestohen ata që konsiderohen si “kokat e grupeve kriminale” , ka vend për pikëpyetje nëse kryesuesi i grupit hetimor, Altin Dumani, ka qenë apo jo dakord për ndërhyrjen në këtë moment.

Me herët se operacioni “Golden Bullet” duket i nxituar dhe, pse jo, edhe i dekonspiruar.

Operacioni ndodhi një ditë pasi drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja, u gjend nën kritika në Këshillin Kombëtar të Integrimit, për rezultate të pamjaftueshme në luftën kundër korrupsionit dhe një ditë para se SPAK-u do të jepte llogari para Komisionit Parlamentar të Ligjeve.

Një goditje e madhe kundër krimit të organizuar do të sheshonte çdo dyshim mbi efikasitetin e SPAK-ut.

Operacioni “Plumbi i Artë”, ndoshta për rastësi, ndodhi një ditë para takimit në Tiranë të kryeministrit Edi Rama me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Mishel.

Rama, besohet se i ka raportuar zyrtarit të lartë europian për arritjet e rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë edhe operacionin e mesjavës të SPAK-ut, në përpjekje për të treguar se mos-hapja e negociatave me Bashkimin Europian është thjesht dhe vetëm rezultat i “bllokadës bullgare” për Maqedoninë e nuk ka asnjë lidhje me qeverisjen e tij.

Pra, duket se operacioni “Golden Bullet” ka qenë një lëvizje e detyruar për SPAK-un, në mbrojtje ndaj kritikave dhe në shërbim të qeverisë përballë strukturave skeptike ndërkombëtare.

Por, nëse pranohet se operacioni ka qenë “i nxituar”, kjo dëshmon edhe për një situatë ftohtësie brenda institucionit më të rëndësishëm hetimor, të dalë nga Reforma në Drejtësi, ku prokurorët nuk duket se kanë koordinim me njëri-tjetrin.

“Lufta e brrylave”

Në Dhjetor të këtij viti, SPAK-u pritet të zgjedhë drejtuesin e ri, në përfundim të mandatit 3-vjeçar të zotit Kraja.

Një situatë e tillë, me shumë mundësi, do të aktivizojë “luftë brrylash”, ku grupimet e krijuara brenda Prokurorisë Speciale do të duan secila që të dalë e fituar.

Fërkimet e brendshme në Prokurorinë Speciale, nuk është aspak çudi, që të reflektojnë rezultate të dobëta edhe në aktivitetin hetimor.

Aq më tepër, kur raportet mes SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) nuk janë në “muajin e mjaltit”.

Këtë situatë ftohtësie e tregoi edhe raportimi i drejtuesit të SPAK-ut, Kraja, para Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), javën e kaluar.

Në atë mbledhje, anëtarët e KLP-së i drejtuan shefit të SPAK-ut disa pyetje lidhur me raportet me BKH-në, duke lënë të kuptohet se ata kishin informacion të mjaftueshëm që tregon se strukturat që duhet të bashkëpunojnë në luftën kundër korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar, e zhvillojnë jetën institucionale secila “për hesap të vetë”.

Në tre vjet ekzistencë, SPAK-u po manifeston huqet e çdo institucioni tjetër në këtë vendin tonë të rrëmujshëm.

Luftë brrylash, manovra të nxituara, shmangie të “kolegëve-rivalëve”, hetime të pjesshme, mangësi në luftën kundër korrupsionit.

Dhe, natyrisht, të fituar janë ata që nuk dëshirojnë t’u trokas SPAK-u në derë./Bold News

Aktualitet #GoldenBullet #SPAK