Aktualitet15 Shtator 2018, 10:36

‘Luftë’ në det të hapur, helikopterët e GdF bllokojnë superskafin me 2 tonë drogë, pranga dy trafikantëve sh

Shkruar nga Pamfleti
‘Luftë’ në det të hapur, helikopterët e GdF

Një sasi rekord droge është kapur në brigjet e Adriatikut, ku dyshohet se vinte nga Shqipëria. Mediat italiane raportojnë për kapjen e rreth 2 tonë droge, pas një ndjekjeje si nëpër filma nga helikopterët e Guardia di Finanza. Lënda narkotike po transportohej drejt Italisë me një skaf me motor të fuqishëm, ndërsa janë arrestuar dy skafistët shqiptarë.

Sipas medieve italiane, operacioni ka nisur në mëngjes pas sinjalizimit se një skaf me dy motorë të fuqishëm ishte nisur nga Shqipëria drejt brigjeve italiane, ndërsa po transportonte kanabis. Operacioni në det të hapur përshkruhet si në filma, ndërsa në ndjekje të skafit ka qenë edhe një helikopter.

Pas ndjekjes për disa orë në det në fund shqiptarët janë prangosur dhe skafi është bllokuar në Vieste. Identiteti i shqiptarëve nuk bëhet i ditur nga mediat italiane. Në muajin e fundit janë bllokuar disa gomone me kanabis nga policia italiane. Më 25 gusht në Brindisi u arrestuan dy vlonjatë dhe u sekuestruan 535 kilogramë marijuanë.

Ndërsa, më 30 gusht, një sasi prej 700 kilogramë marijuanë u tentua të trafikohej drejt Italisë, por u kap në kanalin e Otrantos dhe në pranga ranë sërish dy shqiptarë. Në datë 2 shtator u sekuestruan 550 kilogramë drogë po në Brindisi, që vinte nga Shqipëria.

Që nga fillimi i këtij viti, sipas të dhënave zyrtare, janë sekuestruar 15 mjete lundrimi, mbi 16 tonelata marijuanë dhe 37 skafistë janë arrestuar nga Guardia di Finanza.

Aktualitet drogë Itali Shqiptaret