Bota19 Shtator 2019, 18:15

Luftë për shkencën ruse, pothuajse asnjë shkollë e lartë pa korrupsion

Shkruar nga Pamfleti
Luftë për shkencën ruse, pothuajse asnjë shkollë e

Luftë për shkencën ruse, pothuajse asnjë shkollë e lartë pa korrupsion

Frenimi, korrupsioni, mungesa e cilësisë karakterizojnë shkencën në Rusi. Kremlini kërkon shkencëtarë të nivelit botëror – por ai vetë gjithnjë e më shumë minon lirinë e shkencës.

Kohët e fundit në radhët e akademikëve rusë pati protesta të forta. Ministri i Arsimit  urdhëroi që shkencëtarët të informojnë për çdo takim me studiues nga jashtë – një përpjekje e qartë për të kufizuar kontaktin me kolegët e huaj.

“Shkenca nuk është ruse apo e huaj, por rezultat i përpjekjeve të përbashkëta”, komentoi gazetarja e shkencës, Irina Yakutenko në Facebook. Udhëzimi kufizues u ngjan praktikave të Bashkimit Sovjetik. Kjo në një kohë kur Kremlini dëshiron të ndihmojë që Rusia të fitojë një format të ri. Deri në vitin 2024, Rusia ka si objektiv të ngrihet në pesë kombet kryesore që drejtojnë në shkencë. Po si është me të vërtetë gjendja në shkencën ruse?

Pothuajse asnjë shkollë e lartë pa korrupsion

Universiteti Shtetëror Lomonosov konsiderohet një nga qendrat më të rëndësishme të arsimit në vend. Kur përfundoi ndërtimi në 1954, ndërtesa staliniste prej 240 metrash ishte më e larta në botë jashtë Amerikës së Veriut. Këtu dhe në 950 shkollat e tjera të larta të vendit, çdo vit, më shumë se 200.000 vetë nisin studimet e tyre.

Po të ishin vetëm shifrat, Rusia do të ishte tashmë një komb i madh i shkencës. Gati 63 përqind e 25-34 vjeçarëve kanë një diplomë universitare. Vetëm Koreja e Jugut ka më shumë akademikë. Sidoqoftë, një diplomë nuk thotë domosdoshmërisht diçka për arsimin. Në fund të fundit, shumë universitete i kanë ulur kërkesat e tyre të studimit, për të pranuar sa më shumë studentë që paguajnë – duke lehtësuar kështu vështirësitë financiare, në të cilat u ndodhën pas kolapsit së Bashkimit Sovjetik.

Edhe korrupsioni i mban universitetet financiarisht të gjallë. Vlerësohet se çdo vit në Rusi shiten më shumë se gjysmë milioni diplomash të rreme. Në këtë mënyrë, për tregun e punës kontaktet personale mbeten më të rëndësishme se kualifikimet në letër.

Autoriteti mbikqyrës mbyll në mënyrë arbitrare shkolla të larta

Në anën tjetër të Moskës është një ndërtesë tjetër shtetërore. Shumë më e vogël se Universiteti Lomonosov, me ngjyrë të verdhë të ndritshme dhe pa tërhequr vëmendjen është vendosur këtu Rosobrnadsor – Autoriteti Federal Mbikqyrës në fushën e arsimit dhe shkencës. Ai licenson institucionet arsimore dhe si rrjedhojë ka shumë pushtet. Për shkeljet më të vogla formale, ai mund të mbyllë universitetet.

Këtë e ndjeu Universiteti Evropian në Shën Petersburg. Ky institucion privat në Rusi vlerësohet si një ishull i mendimit liberal. Me një pretekst, Rosobrnadsori nuk pranoi t’ia zgjasë licensën në vjeshtën e vitit 2017. Kolektivit iu desh të largohet nga ndërtesa dhe ta ndërpriste mësimdhënien. Por studentët protestuan kundër mbylljes dhe mediat e pavarura raportuan për të. Pas një riformatimi të kabinetit në vitin 2018, universiteti u lejua të rifillojë funksionimin.

Kjo nuk mbeti lufta e vetme midis institucioneve arsimore të lira dhe shtetit rus. Në verën e vitit 2018, Rosobrnadsori i hoqi Shkollës së Lartë prestigjioze të Shkencave Sociale dhe Shkencave Ekonomike në Moskë (Higher School of Social and Economic Sciences) lejen që të nxjerrë diploma shtetërore. Mësimdhënia nuk i plotëson standardet akademike të Rusisë, u tha.

Represione ndaj shkencëtarëve

Alexander Kynew, politolog në Higher School of Economics thotë se tani është bërë normale që shërbimet e fshehta të ndërhyjnë në mësimdhënie. “Përveç kësaj, ka intriga të vazhdueshme brenda universiteteve.” Për të hequr qafe konkurrencën e pakëndshme, disa shkencëtarë përdorin ankesat e pushtetit shtetëror si justifikim. Në kushte të tilla nuk mund të ekzistojë asnjë shkencë e pavarur. “Kur e para vjen besnikëria, ajo shkatërron çdo formë të shkencës së lirë”.

Kremlini politizon Akademinë e Shkencave

Akademia Ruse e Shkencave shndrit në ar pas Parkut Gorki, arkitektura e saj të kujton një rekuizitë për një film retro-futurist. Por kjo ndërtesë është bërë simbol i stanjacionit sovjetik.

Akademinë e Shkencave e themeloi në vitin 1724 cari Pjetër i Madh. Sot, ajo shërben si një rrjet për më shumë se 700 institute në të gjithë vendin. Prej rreth 100.000 punonjësve, gjysma janë të përfshirë në punë shkencore. Për një kohë të gjatë Akademia ishte autoriteti më i rëndësishëm në fushën e politikës shkencore. Ky autoritet nisi të shkatërrohej në vitin 2013. Në atë kohë, qeveria ruse i kufizoi kompetencat e Akademisë duke ia kaluar kontrollin mbi financat dhe strukturat administrative një institucioni tjetër shtetëror.

Lufta për pavarësinë e Akademisë vazhdon. Në vitin 2017, rreth 400 shkencëtarë rusë i shkruan një letër me kërkesë urgjente Presidentit Vladimir Putin. Rregullat e institucionit të kontrollit injoronin “krejtësisht natyrën krijuese dhe hulumtuese të shkencëtarëve”. Ata shkruan se është e padurueshme që politika t’u diktojë studiuesve sa zbulime duhet të bëjnë dhe sa artikuj duhet të botojnë.

Gjithnjë e më shumë shkencëtarë emigrojnë

Rregullat e shtetit për shpërndarjen e fondeve çojnë në rezultate absurde. Numri i botimeve të mangëta akademike po rritet dhe madje po nxitet nga shteti. Sepse për të shfrytëzuar fonde, gjithnjë e më shumë shkencëtarë rusë publikojnë artikuj që nuk ofrojnë as përfundime dhe as plotësojnë standarde shkencore. Në Rusi tani ekziston një treg për të ashtuquajturat botime spam. Për një pagesë, ata publikojnë çdo tekst pa kontrolluar kriteret e cilësisë akademike. Me shifra të larta botimesh, ata zënë vende kryesuese në listat e shitjes.

Të gjitha këto zhvillime në shkencën ruse kanë si rrjedhojë që gjithnjë e më shumë talente akademike emigrojnë jashtë vendit. Më shumë se dhjetë milionë e rreth afërsisht 144 milionë qytetarëve rusë jetonin jashtë vendit në vitin 2017 – kjo është shtatë përqind e popullsisë ruse. Për aq kohë sa shkenca të mbetet jo e lirë, puna akademike të zhvlerësohet dhe kur sasia ecën para cilësisë, kthimi i tyre është i pasigurt.

Bota autoriteti mbikqyrës frenimi Korrupsioni lufta për shkencën ruse mungesa e cilësisë