
Luizi ‘kthehet fuqishëm’ edhe në Eurovision, kënga e 2006-s renditet në vend të dytë në listën e Youtube
Festivali i famshëm europian i muzikës, “Eurovision”, vazhdon “traditën” si çdo muaj duke publikuar në YouTube listën me 20 këngët më të dëgjuara të këtij festivali ndër vite.
Në listën e këngëve më të dëgjuara të janarit të vitit 2023, fansat e Eurovision-it kanë hasur projektin e vitit 2006, atë të Luizit, që ka arritur të renditet i dyti në këtë listë.
Është pikërisht kënga “Zjarr e ftohtë” e këngëtarit shqiptar Luiz Ejlli, që është kthyer në sensacion me pjesëmarrjen e tij në “Big Brother Albania VIP”.
Ai ka përfaqësuar Shqipërinë në ‘Eurovision 2006’ me këtë këngë, ndërsa tashmë duket se i është fshirë “pluhuri i harresës”.
Pas bujës së madhe në “BBV”, fansat e artistit i janë rikthyer repertorit të Ejllit dhe këngët e tij po kthehen në hite e trende të rrjeteve sociale.
Kënga e Luizit kishte rreth 220 mijë klikime para se ai të futej në shtëpi, ndërsa tani kur ka kaluar vetëm një muaj, “Zjarr e ftohtë” numëron mbi 1.5 milion klikime në YouTube.
Ndërkohë, në listën e 20 këngëve më të dëgjuara të Eurovisionit në muajin janar 2023 është edhe kënga që përfaqëson Shqipërisë në Eurovision, “Duje” nga Albina dhe Familja Kelmendi.