Aktualitet 4 Gusht 2022, 08:59

Luksi i fëmijëve të Bllokut, kryehetuesi i regjimit tregon si vajzat e pushtetarëve vishnin rroba të shtrenjta të modës së fundit

Shkruar nga Pamfleti
Luksi i fëmijëve të Bllokut, kryehetuesi i regjimit tregon si

Luksi i fëmijëve të Bllokut, kryehetuesi i regjimit tregon si vajzat e pushtetarëve vishnin rroba të shtrenjta të modës së fundit

Lufta për pushtet shkaktoi edhe të çarën e madhe në udhëheqje. Personat më të aftë dhe pretendentë potencialë për të marrë pushtetin pas vdekjes së udhëheqësit, por që nuk do të vlerësoheshin përfundimisht të besueshëm, do të viktimizoheshin me radhë, për të garantuar kalimin e pushtetit përfundimisht te pasardhësi i zgjedhur nga vetë i gjithëpushtetshmi

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”, Qemal Lame

Sipas të dhënave të kundërzbulimit, punonjësi i ambasadës franceze në Tiranë që kishte arritur të kontaktohej dhe të merrte të dhëna nga Marjeta Shehu ishte zbulues me shumë përvojë.

“Kështu, në lidhje me këtë francezin që njihte fëmijët e Mehmetit, ishte fiksuar nga survejimi ynë se një ditë para se të ndodhte vdekja e Mehmetit kishte shkuar me makinën e tij me shumë shpejtësi nga Hani i Hotit. Me siguri kjo ka ndodhur për të dërguar informacionin e marrë në drejtim të familjes së Mehmet Shehut. Kuptohet se ai ishte një zbulues me eksperiencë.

Edhe fëmijët e udhëheqësve të tjerë të Bllokut vepronin po në të njëjtën mënyrë. Ata shfrytëzonin pozitën e tyre shoqërore dhe nivelin e mirëqenies për të gëzuar jetën më mirë se të tjerët. Sjelljet dhe qëndrimet e tyre binin në sy të opinionit konservator të imponuar po prej udhëheqjes politike të kohës. Nuk mungonin kritikat dhe pakënaqësitë në bisedat shoqërore, ku thuhej, se ndryshe nga sa baballarët propagandojnë, fëmijët ishin ndryshe, kishin hyrë në rrugën e qejfeve. Disa fanatikë i vlerësonin si shfaqje të huaja të degjenerimit, të shthurjes etj.

“Bënim mbrëmje me raste të ndryshme, ku kërcenim pothuajse lakuriq, nën dritën e qirinjve. Në këto mbrëmje merrnin pjesë të gjithë fëmijët e udhëheqësve, me përjashtim të djalit të madh të Enverit dhe Vladimirit, djalit të madh të Mehmetit… Ndërsa fëmijët e të tjerëve ishin shumë të shthurur… Gratë e Bllokut ziheshin e mburreshin se kush i kishte fëmijët e sidomos nuset më të bukura“. Moda e veshjeve dhe jetës perëndimore ishin bërë pjesë e jetesës së fëmijëve të familjes Hoxha. Fëmijët e udhëheqjes visheshin me rroba të shtrenjta të modës së fundit perëndimore dhe të firmosura nga vetë stilistët më të shquar e të njohur të elitës së modës franceze dhe botërore. Ndryshimi ishte i dukshëm edhe për mjekun francez Yves Pouliquen, kirurg i famshëm i spitalit francez “Broussais”.

Mjeku kishte ardhur me porosi për të ekzaminuar Enver Hoxhën më 7 dhe 8 maj, në vitin 1979, në kulmin e Luftës së Ftohtë, ku regjimi në Shqipëri shquhej si bastioni i fortë i vazhdimësisë së veprës së Stalinit të socializmit diktatorial. 37 vjet më vonë Yves Pouliquen kujton dy takimet dhe bisedat me Enver Hoxhën:

“Më tha se para se të largohesha për në Paris të vija ta përshëndesja para nisjes. E mbajta fjalën dhe vetura që do të më çonte të nesërmen në mëngjes në aeroport në shoqërinë e kolegëve të mi oftalmologjistë, më çoi drejt shtëpisë së tij. Në pragun e portës së izoluar të vilës së tij ai më priste si ditën e parë, por kësaj here i rrethuar nga gruaja dhe fëmijët e tij. Kjo ndarje m’u duke e sinqertë dhe e mbushur me njëfarë emocioni. Me këtë të huaj francez mbaruan edhe çastet e qetësisë dhe të kujtimeve të rinisë së tij. Kur po i shtrëngoja dorën dhe po e falënderoja për pritjen e tij, premtova angazhimin tim për të riardhur, sipas programit që ai më kishte fiksuar.

Duke përshëndetur zonjën Hoxha, duke e falënderuar edhe atë për pritjen, si dhe duke bërë edhe njohjen me fëmijët e tij, vura re një detaj që më çuditi shumë: ata kishin veshur këpucë dhe veshje perëndimore. Ato kishin pullat e prodhimeve borgjeze, madje pse jo edhe të nënshkruara nga vetë rrobaqepësit më të mëdhenj të Perëndimit. Ky detaj i çuditshëm më goditi fort në kontrast me qëndrimin e prindërve të tyre, sidomos me idetë që i mbështetnin aq nxehtësisht. Ishte një ndotje e fshehtë e udhëheqjes marksiste që i imponohej me të keq një populli të tërë. Provë që ai nuk ishte asnjëherë profet i popullit të tij. Thjesht para se të ndaheshim, Enver Hoxha më zgjati një bllok ku kishte vendosur disa fotografi të takimit tonë. Mora veturën që më priste dhe kur ajo po merrte vrull duart tona tundeshin për të dhënë lamtumirë.”

Moda e veshjeve të elitës perëndimore binte në kontrast të thellë me modën socialiste që bazohej në prodhimet e veshjeve të tregut vendës dhe plotësonte nevojat më elementare të veshjes, pamjes së jashtme pothuajse uniforme, e njëjtë për të gjitha gratë, burrat e fëmijët.

Pothuajse nuk kishte ndryshim midis veshjeve zyrtare të ushtarëve dhe popullit të thjeshtë. Masivisht, të rinj dhe të rritur vishnin edhe veshje ushtarake, sidomos në fshat, ku varfëria ishte edhe më e madhe.

Moda socialiste imponohej nga propaganda zyrtare. Etika dhe estetika edukoheshin hapur e në çdo aspekt të jetës.

Opinioni shoqëror reagonte në çdo çast për të ruajtur vlerat socialiste dhe kërkohej të zbatohej me rreptësi mënyra e tradita komuniste e thjeshtësisë së veshjeve dhe pamjes së jashtme.

Nuk imagjinohej kujdesi për diçka të veçantë në pamjen e jashtme. Për të qëndruar të saktë me mënyrën e atëhershme të jetesës, vlen të rikujtojmë realitetin e vërtetë, të theksojmë se nuk njihej fjala “luk”. Në tregun vendës mungonin shpesh sendet më elementare të veshjes.

Mirëqenia dhe luksi i udhëheqjes dëshmonin kontrastin e thellë me popullin

Veshja me modën perëndimore e fëmijëve të udhëheqjes, sidomos e vajzave të tyre, binte në kundërshtim me politikën e modës modeste komuniste dhe edukimin ushtarak patriotik të popullit. Propaganda parapëlqente të reklamonte femrën me uniformë ushtarake.

Shihej me interesim, por edhe me ndjenjë pakënaqësie kush arrinte të gjente e të vishte një këmishë, një fustan, një kollare, kush përtypte në gojë një çamçakëz etj.

Kjo ishte gjendja me shfaqjen më të skajshme të varfërisë, në kushtet e shtetit të diktaturës së proletariatit dhe të një shoqërie të izoluar, megjithëse pretendonte se plotësonte nevojat me nivelin modest të mirëqenies së popullit. Sipas statistikave ndërkombëtare, shqiptarët kishin treguesit më të ulët në Evropë dhe radhiteshin ndër vendet më të varfra të botës.

Në të vërtetë nga populli i shkolluar, me kulturë dhe kërkesa për zhvillime bashkëkohore pretendohej të shihej më tej perdes së hekurt ideologjike dhe telave me gjemba të kufijve shtetërorë, të jetohej më mirë, të liberalizohej jeta dhe të kishte më shumë liri, me gjithë kërcënimin e përditshëm të arrestimeve dhe të dënimeve për mendime dhe qëndrime kundër politikës zyrtare. Dënimet e shumta për agjitacion dhe propagandë të intensifikuara në vitet shtatëdhjetë, ishin bërë pothuajse pjesë e ngjarjeve të shpeshta dhe opinionit shoqëror. Populli po krijonte mendimin e ri politik e shoqëror dhe nuk po trembej si më parë.

Në masën e gjerë të popullit ishte krijuar natyrshëm një bindje në shpresën për një jetë më të mirë dhe kushte të tjera politike dhe shoqërore. Shqipëria me veçoritë e saj të socializmit, si edhe realiteti linçues si vendi i vetëm ateist në botë, ishte në kushtet e izolimit të plotë nga qytetërimi evropian, megjithëse gjeografikisht ishte në mes të Evropës dhe me lidhje të ngushta me popujt e tjerë, historinë, kulturën dhe kontributin reciprok që nga lashtësia dhe në vazhdimësi në kohën moderne. Sistemi politik i vendosur që pas Luftës së Dytë Botërore nuk do të mund të rezistonte i vetëm për të vazhduar atë rrugë pa perspektivë ku ndodhej.

Me gjithë besimin që ekzistonte në idealizimin e socializmit dhe të politikës së udhëheqjes të imponuar nga propaganda dhe forca e pushtetit, pritej dhe parandihej se ndryshimi do të ndodhte. Me këto rethana politike dhe shoqërore shpjegohet edhe tronditja e sistemit politik dhe pasiguria e pushtetit në fuqi. Ato patën ndikimin e tyre edhe në masat që u morën për mbrojtjen me çdo mjet të pushtetit dhe eliminimin e kundërshtarëve të dyshuar. Drama e kryeministrit evidenton qartë këtë fazë kritike dhe alarmante në të cilën ndodhej udhëheqësi autoritar. Kërkohej dhe u gjet preteksti me motiv sa politik aq edhe kriminal. Fejesa e bujshme e djalit të kryeministrit u përkrah fillimisht nga personazhet kryesore të kohës.

Ajo u pranua dhe u vlerësua me të njëjtin ritual dhe shpejtësi të traditës së krijuar për idealet e rinisë komuniste, për kriteret për krijimin e familjes së re socialiste. Por, megjithëse u miratua, ajo do të kundërshtohej dhe dënohej politikisht e me rreptësi po nga vetë udhëheqja. Një veprim si fejesa në kundërshtim me filozofinë e kohës u shfrytëzua për të dënuar njeriun që ishte personi numër dy në piramidën e pushtetit. Natyrshëm, për vetë kontributin e njohur në drejtimin e shtetit, ai kishte marrë në fakt miratimin në heshtje në mekanizmat partiakë dhe shtetërorë dhe në popull si pasardhësi i udhëheqësit të sëmurë që ishte në vitet e fundit të jetës. Por kjo nuk do të ishte e mjaftueshme për ta shpëtuar nga tragjedia që ishte paragjykuar ndaj tij.

Lufta për pushtet shkaktoi edhe të çarën e madhe në udhëheqje. Personat më të aftë dhe pretendentë potencialë për të marrë pushtetin pas vdekjes së udhëheqësit, por që nuk do të vlerësoheshin përfundimisht të besueshëm, do të viktimizoheshin me radhë, për të garantuar kalimin e pushtetit përfundimisht te pasardhësi i zgjedhur nga vetë i gjithëpushtetshmi. Kjo do të ndodhte në mënyrë të maskuar dhe pastaj me forcën e pushtetit në prag të vdekjes, në perëndim të jetës së udhëheqësit të madh.

Dossier “blloku” Komunizëm Modë