Aktualitet28 Shtator 2018, 19:24

Luksi i shfrenuar i Gjiknurit, merr një milion euro për të rehatuar veten dhe ‘parazitët’ në ministri, rrugët

Shkruar nga Pamfleti

Luksi i shfrenuar i Gjiknurit, merr një milion euro për të rehatuar veten dhe 'parazitët' në ministri, rrugët e shqiptarëve copë-copë (Dokumenti)

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, vijon të grabisë arkën e shtetit. I pangopur nga shpenzimet maramendëse për pak kilometra rrugë apo për dhënien e koncesioneve, Gjiknuri ka urdhëruar së fundi që të rregullojë zyrat e tij. Më poshtë, ju sjellim dokumentin e një tenderi, që ka hapur ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me një fond prej 113.315.914 lekësh të reja (mbi 1 milionë euro me TVSH). Në dokumente thuhet se objekti i kontratës është “aplikimi i teknikës me të fundit të eficencës në godinën e MIE”.

Pra, zyrat e kësaj ministrie do të jenë nga më luksozet, ndërsa ende nuk dihet përse kjo lëvizje e madhe e ministrive nga njëra godinë në tjetrën. Pak kohë më parë, ministri Gjiknuri ndërroi zyrën, ku nga godina në afërsi të Teatrit të Kukullave, doli përballë Bulevardit, ngjitur me Bashkinë. Ndërkohë, zyrën e tij e zuri ministria e Mjedisit, e cila ishte stacionuar për disa kohë në ish-godinën e ATSH-së. Dhe në momentin që një ministri lëviz, janë paguar qindra milionë lekë për rikonstruksione.

Megjithatë, “rekordi” është vendosur nga Gjiknuri, i cili ka akorduar më shumë se 1 milionë euro për rregullimin e zyrave. Në vend që të investohet në përmirësimin e infrastrukturës, sitaleve apo shkollave, për të cilat fondet gjenden me vështirësi ose mungojnë, panorama është e ndryshme kur vjen puna tek zyrat e pushtetit, për të cilat paratë gjenden dhe shpenzohen pa asnjë problem.  Në një vend të varfër si Shqipëria, shifra të tilla për rinkonstruksione stonojnë jashtëzakonisht shumë.

Ministria thotë se qëllimi i rinovimit është përmirësimi i kushteve të brendshme. Sipas saj, ndërtesa 3 katëshe e Ministrisë është një objekt, ku gjatë historikut në të janë vendosur institucione të ndryshme, të cilat kanë bërë investime të pjesshme. Ministria thotë se ndërtesa është amortizuar, sidomos përsa i përket sistemit elektrik, sistemit të kaldajave, sistemit te ftohjes me chiller dhe Fan-Coil, tavanore të veçanta, të shkarkimit të ujërave të zeza dhe izolimit të tarracës që ka shkaktuar dëme mjaft serioze në lidhje me lagështinë.

Në dokumente thuhet se sipas materialeve teknike të marra nga Arkivi Qendror, gjatë 20 vjeçarit të fundit ndërteses i është shtuar dhe me një gjysem kat, që ka rritur peshën e ndërtesës. Më tej, vijohet se fasada është tejet e amortizuar dhe profilet e dritareve dhe vetratave janë në kundërshtim dhe pa asnjë cilësi, referuar rëndësisë së ansamblit të monumentit të kulturës.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Aktualitet Damian gjiknuri ministria e infrastruktures tender