
Përfaqësues të një elektorati, të paguar nga një popull fukara, para syve të fëmijëve, gjysheve, nënave, motrave, zgjedhin parlamentin të shfryjnë ndjenjat perverse, ‘live’ në televizion.
Shkruar nga Ramazan Bekteshi
Parlamenti ynë është si një teatër i absurdit, këtu ‘maksimat’ teatrale janë aq grafike sa që më vjen turp edhe kur i citoj, bilës edhe kur shkronjat i zëvendësoj me pika.
Përfaqësues të një elektorati, të paguar nga një popull fukara, para syve të fëmijëve, gjysheve, nënave, motrave, zgjedhin parlamentin të shfryjnë ndjenjat perverse, ‘live’ në televizion.
Dhe gjithë kjo luftë në parlament nuk bëhet për të përmirësuar mirëqenien e qytetarit, por për t’ia nxirë jetën atij me dekada. Pra, të gjithë e venë interesin e partisë para shtetit.
Pra kështu, këta përfaqësues të popullit, parakalojnë në ketë ‘arenë’ të parlamentit që të shfryjnë energjitë negative. Shpesh ata i sheh aty, me sy të zgurdulluar dhe fytyra të mrrolura, me mimika e grimasa terse teatrale, me lëvizje kërcënuese të gjymtyrëve, sikur të bëhen gati për një ‘kamikaz’/vetëflijim në ballë të foltores së kuvendit.
Në këtë ‘teatër’/parlament, gjuha e tyre është e vrazhdë, kërcënuese, neveritëse, qe kalon çdo kufi, që e çan edhe kupën e qiellit e të turpit së bashku.
Kështu pra, muaj pas muaji, vit pas viti defilojnë Cezarët, Hamletët, Dezdemonat dhe Ofelitë, Romeot dhe Xhulietat, jo për të kryer misionin e tyre ndaj votuesit, por për të aktruar, duke na e sjellë Shekspirin me gjithë arsenalin e tij në këtë parlament tonin si një teatër.
Çuditërisht, vetëm ne parlamentin tonë zgjidhen individë që punën e parë në karrierë e kanë atë të deputetit, dhe ata së bashku me ata të pashkollët, që nuk i shkëputen parlamentit me dekada, duhet të sjellin ‘ligje’ për fatin e një kombi, dhe kjo nuk kalon pa emocione e zhurmë, duke u çjerrë si horra, sikur të ishin protagonistë të një melodrame viktoriane.
Në parlamentin tonë, është bërë traditë të defilojnë fanatikë partish, që me bullizëm të imponohen në çdo seancë, duke e plotësuar mosdijen me arrogancë e sharje, derisa bashkë partiakët u dhurojnë duartrokitje.
Në parlament marshuan nja dy gra, si dy ‘shota’, që hynë nga porta e madhe, jo për të ndjek seancën, por për të vënë firmën e turpit për një mëditje të rrejshme, e pastaj, pa fije turpi me bishtin nën shalë zhduken, për tu rishfaqur në seancën e radhës, por tani për një mision tjetër, për të mbajtur leksione e për të shit moral.
Në parlamentin tonë, kontrabandohen biznesmenë, jo për hallin e elektoratit, por për mirëmbajtje të pasurisë, evazion fiskal dhe rritje të profitit jashtë normave ligjore.
Në parlamentin tonë, është bërë traditë të katapultohen bijtë e bijat, vëllezër e kushërinj, kunetër e kunata të njerëzve të politikës, por që asnjëri-asnjëherë nga këto emra nuk e dha provimin në parlament, për gjithë këto vite të humbura.
Në parlamentin tonë, parakaluan edhe komandantë të famshëm gjatë luftës, luftëtarë të pa kompromis të lirisë, disa të ashpër kundër armikut e disa ndaj kundërshtarëve politik, por çuditërisht paqja i shndërroi në politikanë me tapi e me pasuri përrallore, dhe disa, të përjetshëm në parlament.
Në Parlamentin tonë, shkelën edhe sekserë, që e okupuan atë me dekada, për të ndarë pushtetin, bizneset, privatizimin, tenderët, terminalet, në mes politikanësh e partish, por dhe duke sjell marrëveshje të frikshme për vendin.
Në parlamentin tone, kishte edhe nomadë e turistë, negociatorë e shefa, që e humbën Çantën e dialogut në Bruksel me dokumente të klasifikuara e para të gatshme dhe kush s’dha përgjegjësi!
Në parlamentin tonë, bënë xhiro edhe ata që e ndihmuan votimin e Speciales, Zajednicës, demarkacionit. Në parlamentin tonë opozita hesht turpshëm kur Rama e arsyeton armatimin e Serbisë dhe kur ai hesht kur Serbia nuk i vë sanksione Rusisë.
U bënë aq shumë afera, aq shumë vjedhje, shkelje, e vrasje, por ky parlament vazhdon të hesht, ashtu si heshti për dëmshpërblimet e luftës që s’ia kërkoi kurrë Serbisë, as për pensionet, dhe as që e paditën agresorin për gjenocid.
Por, parlamentarët tanë dinë të ndërsehen lehtë dhe të ‘lehin’, jo kundër hasmit por kundër njeri-tjetrit, si ajo ‘lehja epike’ teatrale, me këmbë-e-duar e shefit të grupit parlamentar të PDK-së: -“jau q. Robtë” juve parlamentarëve, por jo dhe Vuçiqit!