Sulmuesi shqiptar nga Kosova, Arb Manaj ka realizuar katër gola për skuadrën e tij, Bandirmaspor në fitoren 5-0, duke u kualifikuar më tej në fazën e 1/16-ve të Kupës së Turqisë. Protagonist absolut ishte 23-vjeçar, që shënoi vetëm një gol në pjesën e parë, por plotësoi pokerin në pjesën e dytë.
Një goleadë që vjen në momentin e duhur për sulmuesin që kishte humbur vendin e titullarit në ndeshjet e fundit, por tani trajneri duhet të mendohet dy herë për shqiptarin.
Sezoni i kaluar ishte vërtet i mirë për Manajn që shënoi 6 gola, ndërsa këtë vit ka hasur vështirësi, duke mos u aktivizuar shumë. Manaj ishte pjesë e Kosovës në qershor të këtij vit, duke shënuar dhe një gol ndaj Guineas, ndërsa në total ka zhvilluar 3 paraqitje për “Dardanët”.