Aktualitet 9 Maj 2022, 17:54

Manja mesazh SPAK-ut: Hetoni Berishën për “21 Janarin”, “Gërdecin” dhe kompleksin “Partizani”, verifikoni edhe pasurinë e Shkëlzenit!

Shkruar nga Pamfleti
Manja mesazh SPAK-ut: Hetoni Berishën për “21 Janarin”,

"Presidenti"/ Balla përjashton çdo mundësi për dialog me Berishën: Këto të botës së përtejme nuk i njohim!

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja i ka kërkuar SPAK-ut që të hetojë Sali Berishën për vrasjet në Bulevard më 21 Janar të 2011-tës, shpërthimin në Gërdec më 15 Mars të vitit 2008-ës, si dhe tjetërsimin e privatizimin në mënyrë korruptive të ish- kompleksit Partizani për të ndërtuar në fushat e sportit, pallatet e dhëndurrit, Jamarbër Malltezi.

Gjatë fjalës së mbajtur në konferencën “Drejtësia në kohë sfidash” që po zhvillohet në Tiranë, me prezencën edhe të ambasadores amerikane Yuri Kim, Manja deklaroi se drejtësia duhet të hetojë gjithashtu edhe djalin e ish-kryeministrit, Shkëlzen Berishën, për pasurinë e tij.

Drejtësia e re të hetojë Berishën, për vrasjet në bulevard për Gërdecin, për kompleksin “Partizani”. Të hetojë pasurinë e djalit të tij”- theksoi Manja. Duke folur në emër të maxhorancës socialiste, e cila — sipas ministrit — “ka hapur derën për të kapur të madh e të vogël”, Manja kërkoi që drejtësia të jetë e barabartë për të gjithë.

“Do të më falni që nuk do të rreshtoj këtu arritjet. Që nuk janë te pakta po të kemi parasysh se ku ishim deri para disa vitesh. Jam i bindur që këtë do ta bëjnë të tjerë këtu. Sepse mund të flitet vërtetë shumë për risitë dhe dobitë e Reformës në Drejtësi. Mund të flitet sot për dobinë dhe potencialin e madh të institucioneve të reja të drejtësisë. Por këtu unë dua të them dy fjalë për elefantin në mes të dhomës së drejtësisë së re, si i thonë fjalës.

Ai zotëria i shpallur “non grata”, si kalorës i korrupsionit dhe kundër demokracisë nga aleati jetik i vendit dhe kombit tonë, nuk është problemi i Amerikës, por i Shqipërisë. Shqiptarët meritojnë të dinë si qëndron drejtësia e re në raport me këtë çështje të rëndë për shtetin shqiptar, të cilën Qeveria Amerikane e ka thënë shumë qartësisht se u takon institucioneve shqiptare ta hetojnë dhe ta gjykojnë!

Zotëria është i famshëm për karshillëkun e tij ndaj ligjit dhe organeve të drejtësisë, të cilave u ka përplasur deri edhe derën në fytyrë, duke penguar ekzekutimin e urdhrave të tyre pas vrasjes së katër qytetareve në bulevard. Nuk është thirrur megjithatë kurrë nga organet e drejtësisë, as për ato vrasje, as gjithë atë shpërthim kriminal municionesh që hodhi në erë qindra shtëpi e mori dhjetëra jetë njerëzish, as për të tjera skandale korruptive marramendëse, ku mbiemri i tij ka qenë qershia mbi tortën e babëzisë!

Madje mund të them, meqë kemi dhe titullin e konferencës të tillë, ai jo vetëm nuk është pyetur kurrë nga organet e drejtësisë deri më sot, por e sfidon vetë sensin e drejtësisë, duke anatemuar deri institucionet e reja të drejtësisë.

Unë vërtetë kam një karrierë të tërë në prokurori, po këtu as nuk po bëj prokurorin, as po ngre akuza! Nuk po bëj as gjykatësin dhe as po shpall fajtorë. Por po bëj hapur, troç, me zë të lartë, atë pyetje që bëjnë shqiptarët prej kaq shumë vitesh dhe sot edhe më shumë se dje, qëkur ndodhi shpallja “non grata” e Sali Berishës:

Ore kur do hapen nga drejtësia e re petët e lakrorit të këtij njeriu që e ka pasur okllainë e pushtetit në dorë kur kanë ndodhur gjëmat dhe skandalet më të mëdha në këtë vend?! Nëse është i pafajshëm siç ulërin me të madhe, dhe një dynja e gjitha, bashkë me vetë shtetin amerikan kanë lajthitur deri në pikën që t’i bien në qafë një plaku qelibar, atëherë le të na e thotë pra drejtësia e re këtë!

Të hetohet roli i tij në 21 janar, të hetohet roli i tij në Gërdec, të hetohet roli i tij në aferat e bujshme të Çez/Dias, apo klubit Partizani, të hetohen edhe burimet financiare të djalit të tij, që atje në Amerikë është bërë edhe personazh filmash e librash… dhe nëse në të gjitha këto punë që nuk duken hiç të bardha, zotëria del i larë, hajde t’i kërkojmë falje dhe t’i kërkojmë edhe Amerikës t’i kërkojë falje!

Po jo kështu; nisen hetime kryesisht për personazhe dytësore e tretësore dhe nuk preken me dorë kallëzimet për kryepersonazhin e tragjedive e dramave më të mëdha të këtyre tridhjetë vjetëve, që vazhdon sjell vërdallë jetën publike shqiptare si ata gangsterët e Hollivudit!  

Kjo nuk i bën asnjë nder drejtësisë dhe më keq akoma, e minon besimin tek drejtësia e re!”- tha ministri i Drejtësisë.

“Kutinë e pandorës” për hetime ndaj Sali Berishës e çeli kreu i socialistëve Edi Rama, i cili gjatë Asamblesë së Përgjithshme të PS-së, por edhe në Kongresin e 9 prillit, i kërkoi SPAK që të mos qëndrojë vetëm në një krah — duke nënkuptuar hetimet ndaj zyrtarëve të  PS-së sikurse është bërë me çështjen e inceneratorëve —  por të hetojë të gjithë ata që kanë grabitur këtë vend gjatë qeverisjeve apo pushtetit të tyre, duke filluar nga Plaku “non grata” dhe Presidenti në detyrë, Ilir Meta.

Vlen të theksohet se, megjithëse nuk janë mbyllur ende hetimet për dy nga 4 viktimat e 21 janarit, Hekuran Deda dhe Aleks Nika,  Prokuroria ka dështuar të thirrur të dëshmojë dëshmitarin kyç të këtyre vrasjeve, Sali Berishën. I pyetur nga mediet për vrasjet e ndodhura live gjatë protestës së asokohe opozitës socialiste, ky i fundit ka dhënë deri tani 5 versione të ndryshme të ngjarjes, por zyrtarisht ende asnjë dëshmi në organet ligjzbatuese.

Ndërkaq, kanë nisur hetimet në fillim të marsit për aferën me privatizimin e Kompleksit Partizani. Përmes një mesazhi më 3 mars, 2022, SPAK njoftonte se: “Pas verifikimit të kryer në regjistrin e njoftimit të veprave penale në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit rezulton se: Më datë 01.12.2020, është regjistruar procedimi penal me nr.287, për veprën penale të parashikuar nga neni 287 i K.Penal. Ky procedim është në fazën e hetimit”. Po ashtu, SPAK ka hapur edhe njëherë dosjen e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona, duke hetuar si person përgjegjës për tragjedinë ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Por asnjë shenjë për Xenin apo Sali Berishën.

Lexo edhe: 

Rihetimi i “Gërdecit”/ Luan Hoxha njeriu kyç që mund të fundosë Berishën, Shkëlzenin dhe Mediun; roli i SHBA-së dhe lëvizjet e SPAK

Kryesore Berisha manja Shkëlzen Berisha