
Ministrja e Kulturës Elva Margariti, ka justifikuar privatizimin e Butrinit. Duke folur në një studio televizive, ajo tha se në Butrint nuk do të ketë as hotele dhe as kafeteri, por do të mbështetet kërkimi shkencor dhe gërmimet.
“Ato që mblidhen janë të ardhura të mjaftueshme për të kryer pjesën e mirëmbajtjes. Butrinit është një pasuri botërore në UNESCO dhe si e tillë duhet të arrijë në lartësinë e vendeve të tjera. Jemi duke balancuar kohën kur duhet ta bëjmë. Butrinti nuk është thjesht pasuri shqiptare, duam të shtojmë vizitorët, dhe të kenë një vend dinjitoz, ku të pushojnë, të kenë guida, dhe të gjitha shërbimet që ka në të gjitha vendet e tjera të botës”, tha ajo në “Neës 24”.
Por edhe pse u shpreh se nuk do të ketë hotele e bare, ministrja nga ana tjetër flet për rritje të punësimit në këtë park. “Përfshirja më e gjallë në këtë aset është një prioritet, synojmë edhe të shtojnë numrin e punonjësve. Duam të çojmë në 44 punonjës, aktualisht janë 14. Kemi vendosur si objektiv të kemi 110 persona të punësuar dhe kemi menduar që ky fondacion të kontribuojnë me grante për mbështetje të punonjësve lokalë. Me këtë fondacion për krijojmë një buxhet të dedikuar për krijimin e research group dhe bashkë me ekspertët shqiptarë arkeologë kemi vendosur të gjitha linjat guidë që duhet të ndjekin të gjitha fazat”, tha ajo.