Thirrja e Bepe Marotas, në lidhje me situatën e futbollit italian, të mbingarkuar nga urgjenca Covid është e fortë. “Seria A dhe, në përgjithësi futbolli italian, janë në rrezik dështimi, – u shpreh administratori i Interit në një intervistë të gjatë me “Il Sole 24 Ore”.
Qeveria dhe institucionet politike nuk mund ta injorojnë më këtë gjë. Është një sistem në prag, – shtoi ai, – i cili sigurisht që ka patur disbalanca edhe para Covid-it, por që praktikisht nuk ka marrë asgjë në këto dy vite të pandemisë”.
Në detaje, ajo që shqetëson Marotën nuk është vetëm gjendja emergjente që ka dëmtuar rëndë sektorin e futbollit, por edhe indiferenca e politikës italiane, e akuzuar se ka braktisur ndjeshëm klubet profesioniste.
Ndryshe nga sa ndodh në shtetet e tjera, ku klubet janë mbështetur financiarisht, në Itali ekzekutivi i ka dhënë ndihmë vetëm me pikatore dhe ka ulur kapacitetin e ambienteve sportive. Masat, që së bashku me pandeminë kanë ndikuar shumë në buxhetet e klubeve, tani rrezikojnë ta dërgojnë të gjithë sektorin e futbollit italian në falimentim.
“Duke qenë se shëndeti i tifozëve është i rëndësishëm për ne mbi të gjitha, – shpjegoi Marota. – Nuk ka dyshim që me maskën ffp2, “green pass” dhe kapacitetin e reduktuar në 50%, ambientet e jashtme janë hapësira të sigurta. Reduktimi në 5 mijë spektatorë ishte një demonstrim i mëtejshëm serioziteti dhe një sakrificë e mëtejshme për ne, – vazhdoi ai. – Për këtë arsye, në masat e fundit të qeverisë, do t’i prisnim më shumë konsideratë”.
“Me masat e kontrollit që kemi, nëse Franca po përgatitet të hapë stadiumet me 100% të kapaciteteve, siç ndodh tashmë në Angli, çfarë kuptimi ka që ne të mbetemi të gozhduar me shifra më të ulta?- pyet Marota. – Besohet se futbolli është ende bota e presidentëve ‘të pasur budallenj’ që hedhin para për kënaqësi, – vazhdoi administratori i Interit.
Bota jonë po përpiqet të njihet për atë që është, por si ta bëjmë këtë për të injoruar faktin se futbolli profesionist është një sektor industrial si çdo tjetër? Që ka një xhiro para pandemisë gati 4 miliardë dhe paguan 1.2 miliardë në organet tatimore çdo vit? Pse të mos njohim një lloj të drejte autori dhe një fond më të dukshëm për këtë xhiro?”.