Pas marrëveshjes së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për çështjen e targave, presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, thotë se kjo tregoi sa i rëndësishëm është Bashkimi Evropian në rajon.
“Zgjidhja e konfliktit ndoshta ka treguar edhe një herë se sa e rëndësishme është Evropa, sa i rëndësishëm është Bashkimi Evropian në rajon. Nëse nuk do të ishte kjo dëshirë ndaj Evropës, atëherë në thelb Evropa nuk do të kishte fuqi negociuese në konflikte të tilla ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha Steinmeier gjatë një interviste për DW.
Presidenti gjerman ka theksuar se “Evropa e ka këtë fuqi negociuese”.
“Arriti ta shmangë këtë konflikt, në pamje të parë të vogël, atëherë edhe konfliktet më të mëdha në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të adresohen.”, tha ai.
Më 23 nëntor, pas rreth gjashtë orësh bisedime në Bruksel, Kosova është pajtuar që të heqë dorë nga masa e gjobës për targat ilegale dhe kështu është nënshkruar marrëveshje për de-eskalim në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ndryshe, siç u kuptua pas takimit të fundit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit Aleksandër Vuçiç, BE-ja kishte ofruar një propozim i cili kërkonte nga Serbia që të mos lëshojë më targa ilegale, kurse nga Kosova të mos gjobisë shoferët që vozisin makina me targa ilegale.
Serbia e pranoi kushtin, derisa Kosova pranoi por me kërkesën që të diskutohet brenda këtij pajtimi – ashtu siç ishin rënë dakord edhe më herët – për precizimin e fund-muajit shkurt si afati kur duhet të arrihet një pajtim fillestar për marrëveshje përfundimtare.
Qeveria e Kosovës kishte filluar zbatimin e shkallëzuar të vendimit për targat më 1 nëntor – që përfshinin qortime, gjoba dhe më në fund konfiskime – duke shkaktuar protesta dhe dorëheqje masive të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve serbë në Kosovë.