
Kombet e Bashkuara kanë kërkuar që marrëveshja për eksportin e grurit mes Ukrainës dhe Rusisë, e ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia, të vazhdohet, në mënyrë që të rifillojë eksporti i drithërave.
Kjo sipas OKB-së, është e nevojshme për të kontribuar në sigurinë globale ushqimore. Marrëveshja fillestare ishte caktuar të zgjaste 120 ditë, me opsionin për ripërtëritje më 19 nëntor “nëse asnjë palë nuk kundërshton“, tha zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric në një deklaratë më 28 tetor.
Arritja e marrëveshjes çliroi eksportet nga tri portet e Ukrainës – Odesa, Chornomorsk dhe Yuzhne – të cilat ishin bllokuar që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit. Duke lejuar kështu që afro 9 milionë tonë drithë të largoheshin nga këto tri porte.
Rusia dhe Ukraina janë të dyja furnizuese kyçe të drithërave, dhe konflikti i vazhdueshëm ka vënë në pah brishtësinë e zinxhirit global të furnizimit me ushqime, kur dy shtetet kryesore janë jashtë tregut.
Më 2021, Rusia dhe Ukraina janë renditur si lidere globale në eksport të elbit, misrit, luleve të verdha për vajra, farave të lulediellit dhe vajit të lulediellit. Së bashku, ato eksportojnë pothuajse 30 për qind të furnizimeve me grurë në botë. Rusia eksporton 17 për qind të grurit në nivel botëror, ndërsa Ukraina rreth 20 për qind të luleve të verdha për vajra.