Aktualitet19 Gusht 2022, 14:07

Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi/ BE e pafuqishme pa përfshirjen e SHBA-ve

Shkruar nga Pamfleti

Lider të partive politike, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarët e shohin BE-në si të pafuqishme për ta ndihmuar arritjen e marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ata besojnë se vetëm me përfshirjen e thellë të ShBA-së në këtë proces mund të arrihet marrëveshje me njohje reciproke.

Zvarritja e procesit të dialogut Kosovë-Serbi ka bërë që të shihet me skepticizëm roli i Bashkimit Evropiane si ndërmjetësues i këtij procesi.

Tani kur kanë filluar diskutimet për një marrëveshjen përfundimtare ndërmjet të dy shteteve, BE-ja po shihet se e pafuqishme për të avancuar këtë proces.

Lider të partive politike, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarët po kërkojnë përfshije më të madhe të SHBA-së në këtë proces. Sipas tyre, pa përfshirjen e ShBA-së nuk mund të ketë marrëveshje finale me njohje reciproke.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që BE-ja të heqë dorë nga ndërmjetësimi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se BE-ja këtë agjendë duhet t’ia dorëzojë SHBA-së.

“Unë nuk jam anti-evropian. Unë jam evropian, unë besoj në Evropën, jemi familje, na jemi në Evropë, jemi dhe do të jemi. Arsyeja pse Këshilli i Sigurimit e ka bartë çështjen e dialogut te BE-ja ka qenë për mos me marrë kundërshtim prej Rusisë dhe Kinës. A e kuptoni? Me gjetë një lloj linje prej rezolutës 1244, me mbulu në aspektin e ligjit ndërkombëtar, me ua dhënë shërbimit të jashtëm të BE-së, BE-ja që e falënderoj shumë, deri sot ka bë shumë dialog dhe ka rezultate prej dialogut. Pra mos harroni… ka shumë të arritura. Ne e shohim se kancelari i ri, i ka pritur këta në Berlin, e ka pritë Albinin dhe Vuçiqin, pastaj Lajçaku, pastaj ka ardhë ai këtu. Çka tjetër mund të bëjë më një shef i vendit më të madh në BE”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se me këtë çështje tani e tutje duhet të merret presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

“Veç mund ta përsëris, por tani e tutje, sa herë që ai i takon këta, bën përsëritje, si lifti poshtë e lart. Në anglisht i thonë ‘elevators proces’, pra evropianët i kanë konsumuar instrumentet e veta. Kanë bë atë që munden me e bë dhe tash i kanë duart e lira për shkak të luftës në Ukrainë, nuk kanë më nevojë ata me u kujdes për obligimet e dikurshme në kuadër të Këshillit të Sigurimit që duhesh me mbetë në shërbimin e jashtëm. Në situatën e Këshillit të Sigurimit, me luftën në Ukrainë, me pozicionin që ka marrë Rusia, është një vend që sponzorizon terrorizmin, BE-ja është mirë me ia dorëzu agjendën e dialogut Amerikës. Edhe Albin Kurti e Vjosa Osmani duhet t’i thonë BE-së: ‘faleminderit shumë, a mundeni këtë me ia dhanë presidentit Biden’”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se takimi i radhës në mes të Albin Kurtit dhe Aleksander Vuçiqit duhet të ndodh në Shtëpinë e Bardhë. “Unë besoj se z. Escobar, sidomos kam shpresë shumë te ai, se e kam pa presionin ata se sa jep rendësi kësaj çështjeje, besoj që do të kërkojë rezultate konkrete nga ky takim edhe unë mendoj jemi afër një takimi në Shtëpinë e Bardhë të presidentit Biden. Unë mendoj se ajo e radhës që duhet të ndodhë pas këtij takimi, nuk ka mbetë diçka tjetër përpos me riciklu është që Kurti edhe Vuçiq thirren në Uashington për nënshkrim të marrëveshjes për përmbylljen e asaj që po quhet normalizim mes dy vendeve me njohje reciproke”, ka thënë Haradinaj.

Njëjtë mendon edhe udhëheqësi i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri.

Ai ka thënë se marrëveshja përfundimtare në mes të dy vendeve varet nga niveli i përfshirjes se SHBA-së në këtë proces. “Mendoj se mund të kemi një lloj zotimi mbase të dy liderëve sesi do të ecim përpara në procesin e dialogut. Marrëveshje të shpejtë nuk mund të ketë. Mendoj që interesimi i vendeve perëndimore ekziston dhe ShBA-së që të kemi një proces të përshpejtuar të dialogut dhe të arrijmë një marrëveshje. Kjo varet edhe prej nivelit të përfshirjes së ShBA-së. Nëse ShBA janë të përfshira në dialog mendoj që gjasat janë që të arrijmë më shpejt nëse jo nuk shoh një përparim të shpejt në dialog”, ka thënë Ymeri për “Ekonomia Online”.

As qytetarët e Kosovës më nuk i besojnë Bashkimit Evropian që t’i udhëheq këto bisedime.

Në një sondazh të gazetës Nacionale në grupin e saj në Viber, në të cilin është shtruar pyetja “Kush duhet të udhëheq negociata Kosovë-Serbi?”, rreth 97 për qind e tyre kanë thënë se ShBA-ja duhet t’i prijë këtij proces.

Takimi i tretë zgjati pesë orë, por pa rezultate

Takimi i tretë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili është mbajtur dje në Bruksel, nuk ka sjell ndonjë rezultat.

Ndonëse palët diskutuar për pesë orë, pas takimit u tha se nuk kishte ndonjë përparim.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se takimet e 18 gushtit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk kanë qenë takim i zakonshëm.

“Nuk kemi një marrëveshje sot, por ky nuk është fundi. Të dy liderët janë pajtuar që procesi ka nevojë që të vazhdojë dhe se diskutimet do të rinisin në ditët në vijim. Ka ende kohë deri në shtator. Unë nuk heq dorë”, ka thënë Borrell në një konferencë për medie, pas takimit.

Borrell ka deklaruar se tensionet në veri të Kosovës erdhën në kohën kur kontinenti evropian po përballet me një situatë të rrezikshme për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

“Kjo nuk është koha për rritjen e tensioneve. Është koha të shikohet të gjenden zgjidhje dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet e kahmotshme”, është shprehur ai.

Gjithashtu, ai ka treguar se palët kanë diskutuar edhe për marrëveshjen gjithëpërfshirëse.

“Ne po ashtu u përqendruam për rrugën përpara drejt normalizimit gjithëpërfshirës midis Kosovës dhe Serbisë. Të dy liderët patën mundësi që të tregonin në detaje lidhur me këtë marrëveshje gjithëpërfshirëse, teksa tensionet aktuale në terren janë simptoma të problemit më të gjerë të statusit të pazgjidhur të raporteve”, ka deklaruar Borrell.

Pas takimit, ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës.

Përmes një komunikate për medie, Qeveria ka tregua për temat që janë diskutuar në këtë takim.

“Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, është thënë në komunikatën e djeshme të Qeverisë.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, e ka vlerësuar të enjten si ditë të vështirë.

“Një ditë e vështirë është prapa nesh, ishte një ditë e vështirë për të gjithë qytetarët dhe për mbarë vendin tonë, nuk mund të them se ka përfunduar me sukses, por përmbahem nga komentet e tjera, sepse shpresoj se është e mundur që me ndonjë mrekulli të arrijmë një zgjidhje kompromisi. Prandaj do të vazhdoj të luftoj për paqe dhe stabilitet”, ka thënë mes tjerash Vuçiq.

Takimi i tretë në mes të Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel është thirrur pas tensioneve të fundit në veri, ku serbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht vendosën barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të zbatuar vendimin për targat e makinave dhe reciprocitetin në letërnjoftimeve për qytetarët që hyjnë nga Serbia.

Kryesore