
Masakra në Bucha ka alarmuar të gjithë botën. Imazhet e kufomave të hedhur rrugëve tregojnë se kemi të bëjmë me një krim lufte. Të gjithë liderët botërorë kanë reaguar të irrituar. Presidenti amerikan Joe Biden ka kërkuar që homologu i tij rus, Vladimir Putin të hetohet për krime lufte. Ai është shprehur se ka pasur të drejtë kur e cilësoi Putinin kriminel lufte.
“Ajo që po ndodh në Bucha është një krim lufte”, tha Biden, duke njoftuar se administrata e tij po studion sanksionet e reja kundër Moskës. “Ju mund të mbani mend që u kritikova që e quajta Putinin kriminel lufte. Epo, e patë se çfarë ndodhi në Bucha, kjo e vërteton atë që kam thënë. Ai është një kriminel lufte”, tha presidenti.
Po ashtu shtoi se të gjithë që kanë kryer krime lufte duhet të ndëshkohen. “Ky djalë është brutal. Ajo që ka ndodhur në Bucha është e egër dhe të gjithë e kanë parë. Ai duhet të mbajë përgjegjësi”, shtoi Biden. Biden tha se ata duhet të vazhdojnë t’i ofrojnë Ukrainës armët që i nevojiten për të vazhduar luftën.
Të gjithë kundër Putinit
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se vrasjet ishin “një brutalitet kundër civilëve që nuk e kemi parë në Evropë për dekada të tëra”.
Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss tha se “sulmet pa dallim” kundër civilëve ukrainas në qytete si Bucha dhe Irpin duhet të hetohen si krime lufte. Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken i përshkroi imazhet nga Bucha si një “goditje në stomak”. Ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ka folur shpesh me Presidentin Putin që nga fillimi i konfliktit, i quajti fotografitë “të padurueshme”.
Duke shkruar në Twitter, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha: “E tmerruar nga raportet e tmerreve të papërshkrueshme në zonat nga të cilat Rusia po tërhiqet. “Një hetim i pavarur nevojitet urgjentisht. Autorët e krimeve të luftës do të mbajnë përgjegjësi”.