Përballimi i situatës së rënduar të COVID-19 në Shqipëri kërkonte që të shtoheshin masat shtesë të kufizimit, të cilat u prezantuan sot nga Komiteti i Ekspertëve.
Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero ka folur rreth masave kufizuese që do të zgjasin për tre javë. Pipero ka pranuar se këto masa i paraprijnë një mbyllje totale, që në mendimin e tij nuk do të përsëritet në vendin tonë.
“Natyrisht që vendimin për mbylljen dhe unë e kam dëgjuar nga mediat. Të gjithë biem dakord që mbyllja nuk është zgjidhja por është e detyruar nga rritja e shifrave. Është një vendim i cili po merret në të gjitha vendet e botës. Unë kam kërkuar që të kufizohen kapacitetet e bareve dhe restoranteve, duke hequr tavolinat, Vendimi për masat e reja kufizuese i paraprin një mbylljeje totale. Në mendimin tim nuk do të ketë një karantinë të plotë të dytë”, tha Pipero.
Pipero iu përgjigj edhe ankesave të qytetarëve se pacientët presin në autoambulanca, ku edhe trajtohen se janë ezauruar vendet tek Infektivi. Pipero e mohoi duke treguar si qëndron e vërteta.
“Unë besoj që asnjë nga këto që po më thoni ju, të paktën në dijeninë time nuk qëndron aq sa po e nënvizoni. Unë përditë kaloj nëpër pavijone, përditë shikoj të sëmurë. Natyrisht ka momente të caktuara kur prurjet në urgjencë janë më të mëdha se shtretërit në urgjencë, por jo në spital dhe duhet disa minuta, ndoshta dhe më shumë se kaq që të sistemohen, pra të kalojnë në pavijon personat që janë në urgjencë dhe të futen edhe të tjerë. Nuk është kaq e thjeshtë të administrosh një pacient nga autoambulanca në urgjencë dhe nga urgjenca lart në pavijon. Secila procedurë do kohën e vet dhe shpesh duket sikur “obobo munguan vendet”. Në fakt është procedura që zgjat sepse kemi të bëjmë me jetën e qytetarit dhe duhet të jemi të përgjegjshëm në cdo hallkë të shërbimit shëndetësor ndaj pacientëve“, vijoi mjeku i mirënjohur.