Hetimet nisën në dhjetor 2018 nga prokuroria e Tiranës, e cila me sa duket ka ngecur, pasi është mjaftuar vetëm me pyetjen e Qendros dhe Gradecit, pa mundur të gjejë Dobin, dhe pa guxuar të pyesë Ulajn, Gjiknurin dhe Ramën. Ndërsa kjo çështje zvarritet dhe abuzuesit janë jashtë qelive të burgut, njëri në kërkim ndërsa të tjerët duke vjedhur paratë e shqiptarëve apo duke “bilbiluar” për Reformën Zgjedhore, shqiptarët kanë besim vetëm tek SPAK për zbardhjen e këtij skandali
Po kalon një vit nga skandali i mashtrimit të tenderave të lotit të parë të Unazës së Re dhe i interkoneksionit Burrel-Peshkopi, dhe drejtësia shqiptare ende nuk ka kopsitur dosjen në ngarkim të të akuzuarve për ta dërguar në gjykatë.
Mashtrimi përmes falsifikimit të dokumenteve të tenderave mes të cilëve dhe vulën apostile të SHBA dhe firmën e Sekretarit të Shtetit, është bërë nga kompania fituese “DH-Albania” prapa së cilës fshihet Bashkim Ulaj, oligarku klient i Ramës, me qëllim përfitimin e 30 milionë eurove.
Kështu, një nga skandalet më të mëdha, për vetë faktin se si asnjëherë më parë u arrit deri atje sa u falsifikua firma e sekretarit të Shtetit të Delavare në SHBA, për përfitimin e miliona eurove nga Ulaj, fshehur pas kompanisë fantazmë “DH-Albania”, është lënë në harresë të plotë.
Edhe pse po mbushet 1 vit nga koha kur u zbulua se si 30 milionë euro do përfitoheshin nga oligarku klient i Ramës, askush nuk është vënë përpara përgjegjësisë së këtij falsifikimi.
Pavarësisht se në këtë aferë janë të involvuar që nga Ulaj e deri tek ish krerët e ARRSH e OST përkatësisht Afrim Qendro e Klodian Gradeci e deri tek ish ministri i Infrastrukturës e Energjisë, Damian Gjiknuri, pa përjashtuar kryeministrin Rama, hetimet kanë ngecur.
Avdjol Dobi, 26-vjeçari i cili figuronte si përfaqësuesi ligjor i kompanisë “DH-Albania”, degë e kompanisë “D-Haberman”, regjistruar në Dalavare, vazhdon të jetë në liri të plotë, pasi organet ligjzbatuese shqiptare ende s’kanë mundur ta arrestojnë.
Ndërkohë që për Bashkim Ulajn, oligarkun klient të Ramës as që bëhet fjalë t’i afrohen për ta pyetur qoftë dhe me cilësinë e personit që ka dijeni, ndërsa kompania e tij “Gener 2” vazhdon aktivitetin normal, duke “thithur” pafund paratë e qytetarëve shqiptarë.
Hetimet nisën në dhjetor të vitit 2018 nga prokuroria e Tiranës, e cila me sa duket ka ngecur në këto hetime, pasi është mjaftuar vetëm me pyetjen e Qendros dhe Gradecit, pa mundur të gjejë Dobin, dhe pa guxuar të pyesë Ulajn, Gjiknurin dhe ndoshta dhe Ramën.
Ndërkohë që ende nuk janë evidentuar zyrtarisht personat përgjegjës për këtë skandal që rrezikoi dhe marrëdhëniet me partnerin tonë të madh, mësohet se organi i akuzës justifikohet me faktin se është në pritje të përgjigjes për letërporosinë nga SHBA lidhur me regjistrimin e “DH- Albania” në Dalavare.
Ndërkohë që kjo çështje zvarritet dhe abuzuesit me ligjin janë jashtë qelive të burgut, njëri në kërkim ndërsa të tjerët duke vjedhur paratë e shqiptarëve apo duke “bilbiluar” për Reformën e Zgjedhore, shqiptarët kanë besim vetëm tek SPAK për zbardhjen e këtij skandali.
Ndërkohë që s’ka asnjë informacion për “bedelin” Avdjol Dobi i cili në mënyrë spektakolare, pa punuar asnjë ditë më parë në jetën e tij, u shfaq nga hiçi dhe fitoi tenderin 18 milionë euro të Unazës së Re bashkë me 12 milionë euro nga OST.
Thuhet se është zhdukur në drejtim të paditur, ndërkohë që burimet saktësojnë se ai shetit i lirë sa në Tiranë ashtu dhe jashtë vendit, pa i hyrë “ferrë në këmbë” as në pikën doganore të Morinës kur shkon për të kapur avionin në Prishtinë, dhe as nga Qafë-Thana kur shkon për në Shkup./Pamfleti