
"Mbajmë zi për vdekjen e efektivëve", Sekretari amerikan ngushëllon familjet dhe ministren Xhaçka
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Patrick Shanahan i ka dërguar mesazh ngushëllues ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka për humbjen e jetës së dy efektivëve të FA, Zarife Hasanaj dhe Klodian Tanushi në Letoni.
“Pranoni ngushëllimet e mia të thella për vdekjen tragjike të nëntetare Hasanajt dhe major Tanushit. Mbajmë zi për humbjen e tyre dhe ndajmë dhimbjen me Shqipërinë. Humbja e tyre është një kujtesë e dhimbshme për rrezikun me të cilin përballen ushtarët tanë ndërsa mbrojnë lirinë”, thuhet në mesazhin e Shanahan.
Shanahan ngushëllon edhe familjet Hasanaj dhe Tanushi, ndërsa uron shërim të shpejtë Rreshter Kapajn.