Zbardhen detaje nga operacioni i evakuim-shpëtimit mes amerikanëve dhe kurdëve në kampin famëkeq të “Al Hol”-it. Disa grupe ekspertësh anti-terrori kanë mundur të ndërhyjnë dhe të nxjerrin nga aty edhe 13 shqiptarë të tjerë, 9 prej të cilëve fëmijë, duke çuar në 43 numrin total të bashkatdhetarëve të shpëtuar deri tani.
Mësohet se, shqiptarët e riatdhesuar kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në aeroportin e Prishtinës, të sigurt në duart e autoriteteve shqiptare. Ata u pritën nga ministri i brendshëm Bledi Çuçi, i cili shprehu mirënjohje për partnerët strategjikë, SHBA-të, që bënë jashtëzakonisht shumë për finalizimin me sukses të operacionit të katërt.
“Kurrsesi nuk është operacioni i fundit dhe as do të ndalemi derisa të rikthejmë edhe gratë e fëmijët e mbetur ende në kampet famëkeqe të zonave në konflikt, duke u bazuar gjithashtu në listat e hartuara më herët me partnerët libanezë, Gjeneral Major Abbas Ibrahim dhe këshilltarin tonë diplomatik në rajon, Marc Ghorayeb”, tha Çuçi.
Ky është misioni i katërt i shpëtimit të shqiptarëve në Siri. Mirëpo, në atë operacion shpëtimi mungon sërish Eva Dumani, vajza që prej kohësh është kthyer kryefjalë e domosdoshmërisë së ndërhyrjes në atë kamp izolimi që kontrollohet nga ISIS-i, por që ajo nuk është gjendur sërish. Autoritetet shqiptare nuk kanë bërë me dije se kush janë personat e shpëtuar, pasi operacioni ende nuk ka përfunduar deri sa ata të mbërrijnë në Rinas, por sipas të dhënave bëhet me dije se nga pala shqiptare kanë qenë tre përfaqësues.
Më herët gjatë 3 misioneve të tjera janë riatdhesuar në Shqipëri 25 gra dhe fëmijë, ndërkohë që vijojnë të jenë në kampe dhe 17 shqiptarë të identifikuar.