
Mbetet i panjohur shkaku për helmimin e 113 vetave në Bulqizë, ISHP: Uji pa ndotje mikrobiologjike
Ende nuk është gjetur arsyeja e helmimit të 113 personave në Bulqizë. Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar rezultatet e një prej analizave të ujit të pijshëm marrë në rrjetin ujësjellës në Bulqizë, por që ka rezultuar negativ.
“Përgjigja e mostrës së sjellë nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive, Njësina Vendore e Kujdesit Shëndetësor Bulqizë, në laboratorin e ISHP, ka dalë negative për ngarkesë mikrobiologjike, pra nuk ka ndotje mikrobiale,” informon ISHP.
Për një përgjigje më të plotë për shkaktarin e simptomave tek qytetarët e Bulqizës do të priten rezultate të tjera të analizave nga mostrat e marra nga grupi i ISHP në Bulqizë.
“Nga ana e specialistëve të ISHP në zonën ku janë paraqitur më shumë raste, janë marrë mostra uji në rrjetin ujësjellës, këto mostra janë në proces analizimi për parametrat mikrobiologjik, fiziko-kimike dhe toksikologjike (metalet e rënda dhe pesticidet), këto analiza pritet të dalin në ditët në vijim” informon ISHP.